E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi kritikon BE: Vonesat e Brukselit, të pajustifikueshme

PRISHTINE - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ripërsëritur kritikat e tij ndaj qasjes së Bashkimit Evropian karshi Kosovës, duke thënë se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhet dhe se vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, pasi sipas tij, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht.
Kryeminsitri theksoi se Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, ndërsa BE-ja ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë. Këto komente Thaçi i ka bërë të hënën, në takimin me kabinetin qeveritar, ku kanë diskutuar për integrimet evropiane të Kosovës.
“Nuk ka asnjë dyshim se Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane. Shteti i Kosovës është unik në rrafshin politik dhe gjithë etnik në vizionin integrues euro-atlantik. Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për marrëveshjen e Stabilizim asociimit. Por e vërteta është se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhen. Vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme, Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht. Përderisa, Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm për afrimin me strukturat e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë”, ka thënë Thaçi, transmeton Kosovapress.

Ai ka shtuar se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, as procese të përshpejtuara, “por vetëm kërkojmë trajtim të barabartë sikurse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ai ia ka bërë me dije Bashkimit Evropian se nuk duhet të tolerojë vrima të zeza në kontinentin Evropian.

Thaçi shfaqi mospajtimin e tij që mos njohja nga pesë vendet e BE-së po shihet si justifikim për të mos marrë një përkushtim të drejtë dhe të përgjegjshëm në përputhshmëri me interesat, punën, përkushtimin dhe përgjegjësinë evropiane të Kosovës edhe nga Brukseli.

(er.nu/tg/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›