E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rrjet të ri rrugor

Tiranë-Kryeministri Sali Berisha, gjatë një takimi paraditen e së dielës me banorë të Fushë Krujës, premtoi ndërtimin e akseve të shkurtra kombëtare, që shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri, më modern e më kohëshkurtër në rajon e Europë. Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, Kryeministri Berisha tha se gjatë katër viteve për bashkinë Fushë Krujë janë asfaltuar mbi 20 kilometra rrugë, kemi ndërtuar ujësjellës për 5-6 fshatrat të saj dhe kemi investuar në shkolla e qendra shëndetësore.

Pasi vlerësoi shndërrimet e katër viteve të fundit në Shqipëri në sajë të reformave të kryera, kreu i Qeverisë "siguroi fermerët shqiptarë për mbështetjen e fuqishme në vitet që vijnë".

"Unë i garantoj fermerët e Fushë Krujës dhe të mbarë Shqipërisë se qeveria ime do të shumëfishojë grantin për projektet që ata do të paraqesin, do të barazojë pensionin e tyre me atë të qytetit dhe do të finalizojë të gjithë sistemin e ujësjellësve dhe kanalizimeve", tha z. Berisha. Duke e vlerësuar çështjen e punësimit si moton e qeverisë në mandatin e dytë, ai premtoi ndërtimin e akseve të reja rrugore për të lehtësuar lëvizjen e shqiptarëve.

"Ne që asfaltuam në katër vite rreth gjashtë mijë kilometra rrugë, gjatë katër viteve që vijnë do të asfaltojmë të gjitha rrugët e Fushë Krujës dhe Shqipërisë, do të ndërtojmë akset e shkurtra kombëtare që mbarë shqiptarët të lëvizin në rrjetin rrugor më të ri dhe më modern, më kohëshkurtër në rajon dhe në Europë", nënvizoi Kreyministri. Edhe në takimin me banorët e Fushë Krujës ai bëri apel për pajisjen me letërnjoftime elektronike, si dëshmi e vullnetit për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›