Meta prezanton “Planin për veprim” në Berat
Lideri i LSI-së, z. Ilir Meta, ka vijuar prezantimin e “Planit për veprim” në qarkun e Beratit, ku ka premtuar se vetëm kjo forcë politike do ta nxjerrë vendin nga kriza. Kreu i LSI-së, i shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë për këtë qark, ka prezantuar planin qeverisës të LSI-së, në komunën Kutalli. “Për mua është kënaqësi të jem sërish në komunën e Kutallisë. Në radhë të parë dua t’ju ftoj që më 28 qershor të votoni për LSI-në, si alternativa më e besueshme për të zhvilluar vendin dhe për të garantuar hapjen e 100 mijë vendeve të reja pune”, - tha ai. Meta u shpreh më tej: “S’ka asnjë forcë tjetër politike deri tani që të ketë paraqitur një program konkret. Votoni për LSI-në si forca politike me program më të qartë për të nxjerrë bujqësinë nga situata e vështirë dhe për ta futur në rrugën e zhvillimit, si forca më e qartë përsa i takon zgjidhjes së problemit të punësimit për gjithë Beratin dhe gjithë Shqipërinë”. Sipas tij, LSI-ja u jep të gjithëve mundësinë për të punuar dhe për të jetuar me dinjitet. Kreu i LSI-së ka prezantuar “Planin për veprim” edhe në lagjen “Vakëf” të qytetit të Beratit. Ne fjalën e tij Meta theksoi se në katër vite Berisha nuk mundi të përfundonte rrugën që lidh Beratin me Çorovodën, kanë mbetur 3 km për katër vjet ndërsa në Parlament Berisha premtoi që rruga do të përfundonte. “Berisha premton 120 mijë vende pune, por s’ka se si ti hapë, kur ka mbyllur 20 mijë vende vetëm në muajt e fundit. Prandaj Berati dhe Shqipëria do të votojë për kandidatët e LSI-së, do të votojë për LSI-në si alternativë qe sjell zhvillim dhe është më pranë njerëzve”, - përfundoi ai.