E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama prezanton kandidatët në qarkun e Elbasanit

Kreu i PS-së, Edi Rama, prezantoi dje kandidatët për deputetë të kësaj partie në qarkun e Elbasanit dhe më pas u ndal në qytetin e Librazhdit. Rama në këtë takim u shpreh se të gjitha qytetet e Shqipërisë do të ecin me të njëjtin ritëm zhvillimi pas 28 qershorit. Ndaj ai u bëri thirrje qytetarëve të Librazhdit të bëhen pjesë e “bashkimit të madh që do të ndryshojë vendin, ritmit e shpejtësisë drejt BE-së, ku na takon të jemi pjesë, jo vetëm gjeografikisht”, - tha ai. Më tej, ai sqaroi dhe një herë pse po konkurron për t’u zgjedhur Kryeministër, ndërkohë që nuk ka hyrë në garë për t’u bërë deputet. Rama tha se “është në këtë garë nga atdhedashuria dhe jo nga etja për pushtet, siç është kundërshtari i tij politik, Sali Berisha. Është në këtë garë për të bërë të mundura së bashku me të gjithë qytetarët e Shqipërisë, gjëra që sot duken padrejtësisht të pamundura”. Rama premtoi ritme të reja të zhvillimit të biznesit të vogël në vend, pasi, sipas tij, nuk do të ketë më absurditete, si pagat e referencës. Ai gjithashtu premtoi inkurajim të biznesit të huaj për të investuar në këtë vend duke shtuar se “qeverisja e pas 28 qershorit nuk do të jetë vetëm për një familje dhe oborrin rreth saj, por për të gjithë shqiptarët”. Kreu i PS-së nuk u ka shpëtuar dot komenteve ndaj deklaratës së Kryeministrit Berisha për këngën elektorale të tij. “Sali Berisha tha se thirrjes sonë “Çohu”, i përgjigjet se është në këmbë. Por kënga jonë nuk është për Saliun që rri në këmbë, ngaqë kalin e pushtetit e ka lidhur me trungun e familjes, por për shqiptarët e zakonshëm, që i ka gjunjëzuar varfëria e papunësia, për popullin e tradhtuar për 18 vjet me radhë, që në 28 qershor do të çohet në këmbë, për ta zgjidhur kalin e pushtetit nga litarët e politikës së vjetër dhe për të vrapuar drejt Evropës pa kufij”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›