E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon përpjekja e PS-së për të nxjerrë jashtë zgjedhjeve PAA-në

Kolegji Zgjedhor vendos që agrarët të vijojnë garën

PS, tjetër kërkesë: PDK-ja, jo parti opozitare

* * * *

Agrarët e drejtuar nga Lufter Xhuveli mund të vazhdojnë garën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, edhe pse Partia Socialiste, me të cilën kanë qeverisur para 2005-s, bën çdo përpjekje ligjore për ta nxjerrë PAA-në nga kjo garë. Kolegji Zgjedhor vendosi dje në favor të PAA-së dhe në mbështetje të vendimit të mëparshëm të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke hedhur poshtë kërkesën e socialistëve. Në mbledhjen e tij të ndjeshme, Kolegji vlerësoi si të pambështetur në ligj kërkesën e bërë nga socialistët për të rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për regjistrimin e PAA-së në listën e forcave që do të garojnë për zgjedhjet e 28 qershorit. Kërkesa e socialistëve përmbante dy pika: njëra që ka të bëjë me çregjistrimin e listave shumemërore të PPA-së dhe tjetra që ka si objekt të saj pezullimin e vendimit të KQZ-së për prodhimin e fletës së votimit, deri në një vendim të kolegjit për fatin e kësaj force. Socialistët kanë argumentuar kërkesat e tyre, duke sjellë në vëmendje të Kolegjit se KQZ-ja ka miratuar listat e kësaj force politike, duke mos respektuar ligjin për sa i përket kriterit të përfaqësimit në lista të secilës gjini në kuotën e 30%-shit.

Ndërsa kërkesa e dytë është argumentuar me arsyetimin se do të ishte humbje e madhe financiare për KQZ-në, në rast se do të vazhdonte të prodhonte një fletë votimi, ku të bënte pjesë edhe PAA-ja. Përfaqësuesi i PS-së pretendoi gjatë ballafaqimit se KQZ-ja kishte shkelur Kodin Zgjedhor. Avokati i kësaj partie tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor e konkretisht me nenin 56 dhe 67 të tij. Sipas tij, KQZ-ja ka pranuar të miratojë një listë e cila në qarkun Fier dhe Shkodër nuk përmbushte kriterin që 30% e listës të jenë femra. Por KQZ-ja kishte argumentet e saj të cilat i paraqiti përfaqësuesja juridike, Dëshira Pasko. Ajo u shpreh se “lista e PAA-së kaloi dy herë për shqyrtim, në shqyrtimin e parë u vu re se lista kishte probleme me dokumentacionin, jo vetëm këto dy qarqe, por edhe në qarqe të tjera. Kur është bërë shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar i listës, të

gjitha vërejtjet e KQZ-së ishin pasqyruar”. Ndërkaq, përfaqësuesi i selisë rozë tha se nuk ishin plotësuar ende kriteret për qarkun Fier dhe Shkodër dhe se në zyrën e protokollit të KAZ nuk gjen asnjë dokument apo shkresë të PAA-së për të rregulluar listën. Por KQZ-ja mendon se në të dy këto qarqe është përmbushur kriteri i 30% pasi janë tërhequr dy kandidatë nga lista, duke e lënë listën e kandidatëve të PAA-së me 10 emra në Shkodër dhe nga 11 që duhen. Tërheqja e një kandidati nuk e zhvlerëson kriterin e përfaqësimit të grave, sipas KQZ-së. E njëjta rrugë është ndjekur edhe në qarkun e Fierit. Por avokati i PS-së pretendoi se ky ndryshim është bërë pas miratimit të listës përfundimtare dhe se nuk ka asnjë shkresë që vërteton këto dy tërheqje.

PDK

Një tjetër vendim ka marrë dje Kolegji Zgjedhor, i cili ka vendosur përfundimisht që partia e drejtuar nga Nard Ndoka të mos konsiderohet parti e opozitës në hedhjet e shortit për grupet e numërimit të votave. Kolegji mori në shqyrtim dje ankimimin e PS-së që Partia Demokristiane të mos konsiderohet si parti e opozitës në procesin e hedhjes së shortit për anëtarin e tretë dhe të katërt të GNV-ve. Pas vendimit të djeshëm, PDK-ja do të konsiderohet si parti e mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›