E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rumania, kontribut në shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali

20-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri mbyll vizitën dy ditore në Rumani me ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në Kishën “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, organizuar nga ambasada shqiptare
 
"Në kishën “Sf. Nicolae Dintr-o Zi” ka dhënë meshën në gjuhën shqipe kleriku dhe personaliteti i shquar i kulturës shqiptare Fan S. Noli”

Kryeministri Sali Berisha, gjatë qëndrimit në Bukuresht, ku zhvilloi punimet Kongresi Statutor i Partisë Popullore Evropiane (EPP), mori pjesë pasditen e së enjtes në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore tek Kisha “Sf. Nicolae Dintr-o Zi”, aktivitet i organizuar nga ambasada shqiptare në Bukuresht, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Të pranishëm në këtë event ishin kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, Sorin Oprescu, ish presidentet rumun Iliesku dhe Kostandinesku, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të familjeve të vjetra, anëtare të delegacionit të Komunitetit të Shqiptarëve të Rumanisë që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, si dhe të atyre që firmosën deklaratën e pavarësisë.
Të pranishmit ndoqën fillimisht meshën e mbajtur me këtë rast, e më pas Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit mbajti një fjale ku i shprehu mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, si dhe uroi mbarë shqiptarët me rastin e festës së shënuar të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Kjo kishë, e vendosur në qendrën e Bukureshtit, bën pjesë edhe në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ajo është vënë në shërbim të Komunitetit Ortodoks shqiptar nga viti 1911-1945. Pikërisht në këtë kishë, krahas shërbesave fetare, shqiptarët e Rumanisë kanë festuar për vite me radhë 28 nëntorin, ditën e pavarësisë së vendit të tyre. Në kishën “Sf. Nicolae Dintr-o Zi” ka dhënë meshën në gjuhën shqipe kleriku dhe personaliteti i shquar i kulturës shqiptare Fan S. Noli.
Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij, duke falënderuar të pranishmit për prezencën e tyre u shpreh se ceremonia ka një simbolikë shumë të domethënëse për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Kryeministri tha se Bukureshti është një qytet i lidhur ngushtësisht me evenimente, fakte dhe personazhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe do të kujtohet gjithmonë nga shqiptarët si një nga qendrat më të rëndësishme të organizimit dhe përpjekjeve të tyre për krijimin e shtetit të pavarur. Kryeministri vlerësoi rolin përcaktues të komunitetit shqiptar në këtë qytet, në vendimin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali.
Ai vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rumanisë, janë raporte miqësie, respekti dhe mbështetjeje të plotë ndaj njëri-tjetrit.
Pas këtij aktiviteti dhe në mbyllje të vizitës në Rumani, Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Kryetari i Bashkisë së Bukureshtit, Sorin Oprescu organizuan një pritje për nder të Kryeministrit Berisha. Pritja u organizua në Grand Hotel Continental, për të përkujtuar një gur kilometrik të historisë shqiptare, nisjen e rrugëtimi të themeluesit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë në Vlorë.  100 vjet më parë, Ismail Qemali qëndroi në këtë hotel dhe takoi përfaqësues të bashkësisë shqiptare në Rumani dhe diskutoi me ta për shpalljen e Pavarësisë. Ky moment përkujtohet me një pllakë përkujtimore në ambientet e hotelit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›