E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha SHBA mbeshtetje te madhe per Shqiperine ne keta 20 vjet


Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha ishte i pranishëm sot pasdite, në pritjen e dhënë nga Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, zoti Aleksandër Arvizu, me rastin e 20 vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë.
Në pritjen, e cila nisi në mjediset e brendshme të rezidencës së ambasadës amerikane, merrnin pjesë si të ftuar nderi, personalitete të larta shtetërore.

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha e vlerësoi këtë ngjarje, si më të rëndësishmen në historinë e dy vendeve dhe kombeve tona, si dhe i shprehu ambasadorit Arvizu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA, qeveria dhe kombi amerikan, i kanë dhënë Shqipërisë, në momentet më të rëndësishme historike.

“Dua të falenderoj përzemërsisht ambasadorin Aleksandër Arvizu për organizmin e shkëlqyer të kësaj ngjarje, ndër të rëndësishmet në historinë e dy kombeve tona, dy vendeve tona, por një nga ngjarjet më të rëndësishme historinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, rihapjen e ambasadës së SHBA-ve 20 vjet më parë, pas rreth 45 viteve së pushuari të funksionimit të saj në Shqipëri. Shqiptarët patën rastin ti dëshmojnë kombit tuaj dhe mbarë botës në pranverën e vitit ‘91 se vërtet ambasada e SHBA-ve pushoi së funksionuari gjatë viteve të egra të diktaturës, por kjo ndërtesë gjeti strehë të plotë në zemrën dhe mendjen e shqiptarëve. Pritja e jashtëzakonshme që shqiptarët i rezervuan sekretarit të shtetit James Baker, më e madhja dhe më e zjarrta që ata i kanë rezervuar ndonjëherë, ndonjë miku të shquar, në këtë tokë dëshmoi se aspirata e tyre e lirisë ishte një me dashurinë dhe respektin e tyre për SHBA-të , ndihmën dhe kontributin e tyre në lirinë e shqiptarëve. Por, zoti ambasador, ka dhe një moment shumë të veçantë të 20 viteve më parë. 20 vjet më parë qarkullonte një ide se Shqipëria mund të mbetej dhe si “Kuba e Ballkanit”. Shqiptarët i lëndonte shumë kjo ide, por të këtij mendimi nuk ishin presidenti i SHBA-ve dhe qeveria juaj. Ky ishte mesazhi i madh që solli sekretari i shtetit Baker në sheshin “Skenderbej” në Tiranë, se për ju shqiptarë liria do të funksionojë dhe funksionon. Në këtë 20 vjetor, sigurisht që ka një bilanc, por e pamundur që ta përqendrosh atë, në 20 vite. Të gjitha vendimet e presidentëve të vendit dhe të qeverisë suaj në 90 vitet e fundit janë vendime që kanë të bëjnë direkt me ekzistencën e lirë të shqiptarëve, me pavarësinë e tyre. Në një kohë kur të tjerët vendosën ta fshinin nga harta Shqipërinë ishte presidenti Ëillson , lisi, në të cilin siç do të thoshte Noli, kombet e shtypura kanë ndërtuar foletë e lirisë, që do të hidhte poshtë me përçmim këto plane dhe do të mbështeste shqiptarët në rrugën e pavarësisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët luftuan në një koalicion me vendin tuaj të madh, por ranë në diktaturën më çnjerëzore. Presidenti Truman mori të gjitha vendimet për tu treguar shqiptarëve se ai dhe qeveria e tij do të bëjnë ç’ishte e mundur për lirinë e tyre. Në vitin ‘91 presidenti Bush dhe sekretari i shtetit Baker sollën mesazhin e lirisë për shqiptarët. Presidenti Bill Klinton udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut, në çlirimin e shqiptarëve nga një regjim barbar. Presidenti Xhorxh Bush udhëhoqi komunitetin ndërkombëtar në pavarësinë e qeverisë së Kosovës. Presidenti Barak Obama firmosi anëtarësinë e Shqipërisë në NATO. Të gjitha këto janë akte madhore në lirinë e shqiptarëve. Ndaj dhe çdo shqiptar është krenar me pro-amerikanizmin e tij, ndjenjë kjo e rrënjosur në lirinë e tyre dhe që do të zgjasë për sa kohë të jetojë ideali i lirisë së tyre. Zoti ambasador, do ta mbyll këtë fjalë, duke shprehur një mirënjohje shumë të thellë për misionarët e parë diplomatikë të 20 viteve më parë , mikun e shquar të kombit shqiptar Christopher Hill dhe mikun tjetër të madh, ambasadorin Rajerson, të gjithë paraardhësit tuaj dhe ju zoti ambasador, por dhe për qindra e qindra burra e gra, djem dhe vajza të kombit tuaj, që me përkushtim të madh ndihmuan Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë jam dëshmitar i asaj kohe, kur vendi ngjante me një akullnajë të vërtetë dhe era e lirisë do të shkrinte një e nga një akujt e këtij vendi. Ekspertët, specialistët, punonjësit tuaj në të gjitha fushat dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Një mirënjohje të veçantë qeverisë suaj, presidentit Obama për ndjenjat miqësore dhe mbështetjen e madhe që i jep Shqipërisë. Ne jemi një komb i vogël dhe është në bindjen time më të thellë se gjëja më e madhe që ne mund ti ofrojmë kombit tuaj në shenjë mirënjohje dhe respekti është ndërtimi dhe konsolidimi i atyre vlerave të mëdha, të cilat kanë bërë kombin amerikan, më të madhin , më të fuqishmin, më të ndriturin në botë”, është shprehur kryeministri Berisha.

Më pas, pritja vijoi në një ceremoni, ku ishin të pranishëm politikanë, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të medias, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›