E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murati: Si shkova në Francë në bagazhin e një makine

TIRANE-Ka qenë një prej futbollistëve të parë që morën "arratinë" për të luajtur në klubet europiane. Ishte viti 1991, kur Edvin Murati shkoi në Francë, për të luajtur më pas me disa prej ekipeve më të njohura të këtij vendi, si Paris Sent Zhermen apo Lilë. Ish-lojtari i kombëtares shqiptare, në një rrëfim të bërë dje për agjencinë franceze AFP, ka treguar historinë e tij drejt një jete më të mirë, në vitet e para të tranzicionit të vështirë shqiptar. "Isha 15 vjeç dhe u nisa drejt Francës. Ishte shtatori i vitit 1991 dhe arrita këtu në bagazhin e një makine", tregon ish-mesfushori shqiptar nga Zyrat e Ambasadës Shqiptare në Paris, ku tashmë është një konsulent. Por, Murati tregon edhe një prapaskenë të panjohur për shumë njerëz. "Babaim im ishte pastiçieni i diktatorit komunist (Enver Hoxha), kështu që kemi qenë goxha të mbrojtur. Por, unë nuk doja të qëndroja më në Shqipëri, doja të provoja fatin tim, duke u bashkuar me vëllanë tim në Paris dhe të luaja futboll", rrëfen më tej ai. Pas vajtjes në Paris, Murati ka patur në fillim një jetë prej klandestini, ndërsa kthesa në jetë për ish-lojtarin e të rinjve të Partizanit, nisi pas një prove me sukses te Paris Sent Zhermen në vitin 1992. Ai ishte një mesfushor shtatshkurtër dhe me një teknikë të admirueshme. Shumë shpejt mori kombësinë e dyfishtë dhe në sezonin 1999-2000 luajti 16 ndeshje me PSG-në, pas eksperiencave me disa ekipe, për të shkuar më pas të Lilë e prej andej tek Iraklis Selaniku. Ai e la karrierën në moshën 32 vjeçare, për shkak edhe të problemeve me dëmtimet, ndërkohë që mbeti në historinë e kombëtares shqiptare si një prej anësorëve më të mirë të të gjitha kohërave, por edhe për golin e parë të realizuar në ndeshjen Shqipëri-Greqi të 4 shtatorit 2004.
Sot, Edvin Murati është një konsulent ekonomik në ambasadën shqiptare në Paris. "Duke parë raportet që unë kisha në Francë, menduam bashkë me ambasadorin që të punonim me shoqëritë franceze, që duan të investojnë në Shqipëri", shpjegon Murati për AFP. Përveç shqipes e frengjishtes, ai njeh disa gjuhë, si gjermanishtja, italishtja, anglishtja e greqishtja, gjë që e ndihmon në bisedimet me kompanitë e mëdha, për t'i bindur ato që të investojnë në ekonominë shqiptare. "Në 2011, Shqipëria doli nga lista e vendeve të sigurta. Por, kjo nuk i përgjigjet realitetit", thotë ambasadori shqiptar Ylljet Aliçka. "Edvin Murati na ka dhënë një impuls të ri, duke tërhequr vëmendjen e kompanive të mëdha kundrejt Shqipërisë. Është shumë i disiplinuar dhe efikas. Për të, të gjitha portat në Shqipëri janë të hapura", shton diplomati shqiptar. Murati thotë gjithashtu se tani është i orientuar totalisht në raportet Shqipëri-Francë. "Më pëlqen të bëj diçka për vendin tim, - shprehet ish-futbollisti kuqezi. - Kur isha lojtar, mjaftonte të jepja më të mirën kur luaja me kombëtaren, por tani që s'mund të vrapoj më, mund të përdor trurin. Unë e përdor reputacionin tim për të kursyer kohë. Futbolli është shumë i lidhur me biznesin, dhe meqë shqiptarët e duan shumë futbollin...". I martuar me një franceze (Caroline), Murati jeton në Paris, por për AFP duket një patriot i vërtetë, aq sa ai dëshiron të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë. "Duhet të japim një imazh tjetër të vendit tim. Këtu historia nuk është azhornuar, njerëzit janë ekoma mbrapa", përfundon ai.

(d.ba/latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›