Berisha: Samiti i PPE-ve konfirmoi gatishmërinë e miqve tanë për mbështetjen e integrimit të Shqipërisë
Pjesëmarrësit në Kongresin e 20-të të PPE-së në Marsejë, vlerësuan politikat ekonomike që ka ndjekur qeveria shqiptare. Kryeministri francez, Francois Fillon, mbështet fuqishëm aspiratat e shqiptarëve për integrimin evropian
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se, gjatë vizitës së tij në Francë, ku mori pjesë në Kongresin e 20-të të Partive Popullore Evropiane në Marsejë, mori mjaft vlerësime për arritjet e qeverisë shqiptare.
Duke informuar rreth punimeve të Kongresit të XX të Popullorëve Evropianë si dhe takimin e zhvilluar me homologun e tij francez, Francois Fillon, Berisha tha se “miqtë tanë evropianë mbështesin progresin reformator të Shqipërisë si dhe integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian”.
Në këtë sens, kreu i qeverisë tha se informoi përfaqësuesit e PPE, mbi bllokimin që solli opozita shqiptare përgjatë 2 viteve, procesin e integrimit evropian të vendit. Duke folur mbi takimin me kryeministrin francez, Francois Fillon, Berisha theksoi se, “Franca mbështet fuqishëm aspiratat e shqiptarëve për integrimin evropian. Dëshiroj t’ju informoj shkurtimisht mbi vizitën time në Paris dhe për pjesëmarrjen në Kongresin e XX- të Partisë Popullore Europiane (PPE) në Marsejë. Së pari, unë dua të falenderoj shumë përzemërsisht qeverinë franceze, kryeministrin Francois Fillon, ministrin e energjisë Eric Besson, autoritetet e tjera dhe miq në Paris, të cilët më rezervuan një pritje të shkëlqyer dhe bënë të mundur realizmin e plotë të qëllimeve për të cilat unë shkova në Paris. Marrëdhëniet politike midis dy vendeve tona janë shumë të mira, shumë të shkëlqyera. Franca është një vend, e cila ka mbështetur fuqishëm dhe mbështet aspiratën e shqiptarëve për integrime euroatlantike dhe europiane. Franca është promotor kryesor i proceseve integruese, për të cilat diskutuam gjerësisht më kryeministrin Francois Fillon, ku unë e garantova dhe njëherë, se për qeverinë time ky proces është dhe do të mbetet tërësisht i bazuar në meritë dhe se për shqiptarët procesi i integrimit europian në Bashkimin Europian, duhet të jetë një proces kryekëput i bazuar në meritë dhe se nga ana tjetër qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka ka në dorë për të përmbushur me seriozitetin më të madh të gjitha kërkesat, normat, standardet, praktikat e domosdoshme për procesin e integrimit. E njoha me bllokimin që i bëri opozita shqiptare, në një rast unik në Europë këtij procesi, për dy vite me radhë, duke mos votuar ligjet me 3 /5 në Parlament, me idenë absurde se më ketë mënyrë do të mund të dëmtojë qeverinë, por dëmtoi thellësisht statusin dhe bllokoi faktikisht, për dy vite më radhë marrjen e statusit”, u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se, tashmë opozita është kthyer në Kuvend ku po bashkëpunon për ligjet dhe reformat themelore.
“Sikundër e njoha kryeministrin Fillon me zhvillimet e fundit në Shqipëri, në të cilat janë krijuar komisione dhe opozita tani punon normalisht në Parlament. Shpreha vendosmërinë time për të pranuar të gjitha propozimet e tyre që marrin miratimin e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, por që ky variant ra, sepse në vend të tij u miratua nga opozita një komision tjetër bipartizan për reformën zgjedhore me praninë e OSBE/ODIHR-it, sikundër e sigurova se përfaqësuesit tanë, në Komisionin e Venecias dhe në sesionin e ardhshëm do të mbështesin sugjerimet e çmuara të raportit të tyre mbi reformën zgjedhore”, tha kryeministri.
Nga takimi me homologun francez, Kryeministri mori garancinë për inkurajimin e investimeve franceze në Shqipëri.
“Kompani franceze do të marrin pjesë në projektet e energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, theksoi Berisha.
Sipas Kryeministrit, hapësirat për investime nga kompanitë franceze në turizëm, energji, miniera, manifakturë etj, janë shumë të mëdha.
“Kryeministri francez do të bëjë gjithçka për nxitje të bizneseve franceze për të investuar në Shqipëri. Fillon theksoi modelin e suksesshëm ekonomik dhe rritjen e parametrave të ekonomisë shqiptare, që përbëjnë një premisë mjaft të rëndësishme për inkurajimin e investitorëve francezë për të investuar në Shqipëri. Fillon garantoi që do të vijë në një vizitë në Shqipëri, tha Berisha. Franca do të asistojë me agjencitë e saj për dy projektet madhore, atë të pyllëzimit dhe drurët frutorë të Shqipërisë”, theksoi Kryeministri.
Ndërsa për takimin me ministrin e Ekonomisë, Eric Besson, Berisha vuri në dukje faktin që ai ka qenë ministër emigracioni dhe ka mbështetur plotësisht procesin e liberalizmit të vizave për Shqipërinë.
“Diskutuam mbi investimet franceze në fushën e energjisë. E njoha me potencialet e energjisë së rinovueshme dhe me ambicien e Shqipërisë për tu shndërruar në një superfuqi të vogël energjetike në rajon. Ministri Besson tregoi interes të madh për pjesëmarrjen e kompanive franceze dhe premtoi se do të inkurajojë investuesit francez për të investuar në Shqipëri”, tha Berisha.