E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Sannino: Opozita po e bazon fushatën në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj

15-04-2011 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë Sali Berisha takon drejtorin e Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Stefano Sannino, e informon për plotësimin e 12 rekomandimeve të BE si dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit

Drejtori i Zgjerimit në BE, Stefano Sannino deklaroi dje se, raporti përfundimtar për zgjedhjet vendore do të pasqyrojë dhe rolin specifik që ka pasur çdo forcë politike në mbarëvajtjen e tyre. Në një takim me kryeministrin Berisha, Sannino theksoi rëndësinë e madhe që zgjedhjet vendore kanë për Shqipërinë jo vetëm në planin e brendshëm por dhe në atë të integrimit. Drejtori i BE ka mbështetur miratimin sa më të shpejtë të Planit të Veprimit theksoi nevojën për arritjen e një metodologjie për trajtimin e përbashkët të problematikave që shtrojnë 12 prioritetet dhe rëndësinë për të ruajtur vëmendjen dhe ritmin e punës në procesin e integrimit evropian edhe pas zgjedhjeve. Gjatë takimit, kryeministri Sali Berisha siguroi bashkëbiseduesit se qeveria do të bëj çdo gjë që është në dorën e saj për të garantuar suksesin e procesit të integrimit. Kryeministri Berisha mbështeti plotësisht bashkëpunimin e Ministrisë së Integrimit me Komisionin për Integrimin të Kuvendit duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që ky Komision luan në këtë proces. Duke folur për procesin zgjedhor, kryeministri e njohu drejtorin e BE me një seri masash të marra në kuadër të përmirësimit cilësor të procesit zgjedhor të tilla si; miratimi i listave të zgjedhësve të pastruara nga dublikatat, personat më shumë se 100 vjeç dhe ata që kanë lënë shtetësinë, miratimin e ligjit për financimin e partive politike, urdhrin e fundit të kryeministrit për ndalimin e përdorimit të automjeteve shtetërore dhe aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore, etj. Nga ana tjetër, Berisha dënoi incidentet e ndodhura gjatë fushatës duke theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe për tensionimin e fushatës. Ai theksoi se do të vazhdojë ti kërkojë të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin zgjedhor që të shmangin dhe distancohen nga çdo akt dhune dhe tensionim i fushatës zgjedhore. Kryeministri riafirmoi qëndrimin se Partia Demokratike dhe kandidatët e saj do të bëjnë një fushatë pozitive të bazuar në vlera dhe të fokusuar tek qytetari dhe komunitetet vendore pavarësisht se zoti Rama dhe Partia Socialiste e bazojnë fushatën e tyre në sulme ndaj mazhorancës dhe kandidatëve të saj dhe përpiqen t’i paraqesin zgjedhjet jo si zgjedhje administrative, por me karakter politik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›