E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Scajola: Bashkëpunim për centralin bërthamor

VERONA- Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin italian të Ekonomisë Claudio Scajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti. Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të vazhdojë intensiv dhe në fushën e energjisë bërthamore. Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dy vendeve, të sapo krijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji në afat të gjatë. Ministri italian i Ekonomisë Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në ngritjen e centraleve bërthamore, që prodhojnë energji të rinovueshme. “Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri –Itali”, tha ai. Kryeministri Berisha, ritheksoi rëndësinë dhe fokusimin në koordinimin e punës për të çuar drejt suksesit projektet në fushën e energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha i shprehu edhe njëherë Ministrit Scajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj.(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›