E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti i ri përgatitet për dyvjetorin e pavarësisë

Festo me Kosovën
 

 
Kosova do të shndërrohet sërish në qendër të vëmendjes mediatike ndërkombëtare, në përpjekje për të përmirësuar imazhin e saj nëpër botë dhe për të shtuar njohjet
 
 
Në prag të dyvjetorit të pavarësisë, Kosova fton të rinjtë nga tërë bota që të bashkohen në festën e kosovarëve, e cila ka moton “Festo me Kosovën - me europianët e rinj”. Fushata për festimin e pavarësisë thuhet se u drejtohet aktorëve kryesorë ndërkombëtarë në Kosovë, liderëve botërorë, miqve të Kosovës nga e gjithë bota, vendimmarrësve ndërkombëtarë, fëmijëve nga shkollat lokale, si dhe kosovarëve në diasporë. Drejtuesi i planifikimeve në kompaninë “Saatchi & Saatchi”, Dejvid Kosmin, fton europianët e rinjtë dhe, siç shprehet ai, ata që ia duan të mirën Kosovës, që të festojnë me qytetarët e shtetit më të ri në botë. Kosmin thotë se duke dërguar video-urimet e tyre të personalizuara në internet, njerëzit do të marrin pjesë në një fushatë mediatike ndërkombëtare për Kosovën. Sipas tij, pjesë e festës së 17 Shkurtit do të jenë edhe liderët e shteteve të ndryshme të botës. “Gjithashtu, dëshirojmë të festojmë edhe me një pjesë shumë të rëndësishme të audiencës dhe kjo do të jetë me liderët botërorë, presidentët e vendeve, kryeministrat dhe udhëheqësit e ndryshëm të vendeve”, thotë Kosmin. Kompania sqaron se vizatime të fëmijëve kosovarë, që shënojnë vitin e dytë të pavarësisë së vendit dhe shpresat e tyre për të ardhmen, do t’u dërgohen udhëheqësve botërorë, në mesin e tyre edhe presidentit amerikan Barak Obama, kancelares gjermane, Angela Merkel, mbretëreshës Elizabetë të Britanisë së Madhe, si dhe liderëve tjerë. Por, sa ka arritur kjo kompani që ta ndryshojë imazhin e Kosovës në botë, ashtu edhe siç pati premtuar në fillim? “Kjo fushatë, në të vërtetë, po i ndryshon pikëpamjet e njerëzve për Kosovën. Shihni reagimet që kemi marrë në lidhje me fushatën “Festo me mua”, të postuara në “Youtube”! Nga e gjithë bota njerëzit po dërgojnë urime të mrekullueshme për Kosovën dhe kjo përbën ndryshim”, thotë Dejvid Kosmin nga kompania “Saatchi & Saatchi”. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive politike opozitare në Kosovë, fushatën për ndryshimin e imazhit të Kosovës nuk e shohin si efikase. Ernest Luma, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se kompania “Saatchi & Saatchi” ka dështuar në ndryshimin e imazhit për vendin. “Si parti politike, konsiderojmë se më mirë do të kishte qenë një projekt më serioz, një angazhim edhe më serioz nga ana e Qeverisë së Kosovës”, deklaron Luma. Me fillimin e fushatës për të ndryshuar imazhin e Kosovës, Luma thotë se udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës kishin paralajmëruar se do të kishte një numër të konsiderueshëm njohjesh të reja, gjë që, sipas tij, nuk ka ndodhur. Ndryshe, zyrtarët e kompanisë “Saatchi & Saatchi” bëjnë të ditur se reklamat televizive do të fillojnë të transmetohen edhe në rrjetet televizive arabe dhe në mediat spanjolle. Spanja dhe shumë vende të tjera arabe nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës. Gjithashtu do të paraqiten edhe reklamat e fëmijëve të lindur më 17 shkurt 2008, të cilët e ndajnë ditëlindjet e tyre me datën e njëjtë kur është shpallur pavarësia e Kosovës. Të gjitha materialet festive të europianëve të rinj do t’u dërgohen edhe ambasadave të Kosovës, që tashmë janë hapur në disa shtete të botës.
 
 
 
Protesta e 10 shkurtit
 
“Vetëvendosja”: UNMIK-u kërkon të blejë drejtësinë
 
“Vetëvendosja” dhe organizatat për të drejtat e njeriut sërish akuzuan organet përgjegjëse për mungesë të drejtësisë dhe për prolongim të procesit në tërësi. Përfaqësues të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë zotuar se do të bëjnë përpjekje për zgjidhjen, jo vetëm në aspektin e kompensimit financiar, por edhe në nivelin e procesit kriminal, të rastit të vrasjes së Arben Xheladinit e Mon Balajt dhe dhjetëra personave të tjerë të lënduar gjatë protestës së organizuar nga lëvizja “Vetëvendosje” më 10 shkurt 2007. Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i tha radios “Europa e Lirë”, se Kombet e Bashkuara po merren me çështjen e kompensimit për familjet e viktimave, ndërsa do të bëhen përpjekje që autoritetet në Rumani ta mbyllin rastin edhe në aspektin kriminal. “Mendoj se është e rëndësishme që hetimet apo procesi kriminal të përmbyllet sa më mirë që të jetë e mundur. Nuk dua të zbuloj ndonjë shtet anëtar, por mund t’ju siguroj se kam intervenuar personalisht te përfaqësuesit e atij shteti, për të siguruar se është duke vazhduar hetimi kriminal”, tha Zanier. Tri vjet pas protestës së 10 shkurtit, e cila rezultoi me dy të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, lëvizja “Vetëvendosje” kritikoi misionin e OKB-së në Kosovë dhe autoritetet rumune për prolongimin e rastit “Xheladini-Balaj”. Aktivisti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, tha se është penguar edhe puna në Panelin Këshillues për të Drejtat e Njeriut, si i vetmi organ që mund ta pranojë padinë për rastin. “UNMIK-u ka ndërhyrë, duke i vendosur pengesa të patejkalueshme drejtësisë”, tha Konjufca. Ndërhyrjet, sipas tij, janë bërë duke shtyrë seancat dëgjimore, duke pamundësuar mbajtjen e seancës dëgjimore publike dhe duke lëshuar urdhëresën administrative 2009/1, me të cilën, siç tha ai, panelit i mundësohej braktisja e rastit. Por shefi i UNMIK-ut, Zanieri, mohoi ekzistimin e ndërhyrjeve të tilla. Oferta për kompensim në të holla u ishte bërë familjarëve të viktimave në tetor të vitit të shkuar. Konjufca tha se me këtë ofertë është synuar të blihet drejtësia, gjë që, sipas tij, është e papranueshme. Mungesa e drejtësisë, siç tha ai, vjen në pah kur merret parasysh mosndëshkimi i pjesëtarëve të policisë nga kontingjenti rumun, që në atë kohë qëlluan me plumba gome në drejtim të protestuesve dhe me riaktivizimin e procesit gjyqësor me akuzën për organizimin e protestës ndaj liderit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Mungesa e një vendimi në lidhje me rastin “Balaj-Xheladini”, nxiti kritika edhe në radhët e organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kështu, organizata “Amnesty International” dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut shprehin shqetësim ndaj vonesës për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për, siç thuhet, vrasjet e paligjshme dhe lëndimet e rënda gjatë protestës së 10 shkurtit të vitit 2007.
 
 
 
Më pranë anëtarësimit
 
Parlamenti Europian miraton raportin për Maqedoninë         
Parlamenti Europian miratoi dje pasdite raportin e eurodeputetit slloven Zoran Taler, i cili i rekomandon Këshillit të BE-së, që në takimin e muajit mars të caktojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në union. Raporti ka marrë shumicën e votave të eurodeputetëve, me vetëm 45 kundër dhe 35 abstenim. Megjithatë, pavarësisht këtij sinjali pozitiv të dhënë nga ligjvënësit europianë, eurodeputetët deklaruan sërish nevojën urgjente për zgjidhjen e mosmarrëveshjes më Greqinë lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë. Shefi i diplomacisë së Spanjës, Diego Lopez Garido, vendi i të cilit po kryeson me BE-në, theksoi se pa zgjidhjen e emrit ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë nuk mund të fillojnë negociatat me BE-në gjatë këtyre gjashtë muajve. “Në raportin e PE-së është precizuar dinamika dhe mundësitë për IRJM-në, duke përfshirë edhe sfidat e tjera me të cilat ballafaqohet ky vend, siç janë: ballafaqimi me korrupsionin, harmonizimi i legjislacionit sipas atij të BE-së, qasja në sistemin e drejtësisë dhe zhvillimi i sektorit joqeveritar”, ka theksuar Garido. Eurokomisioneri për zgjerim, Shtefan Fule, në diskutimin e tij ka deklaruar se IRJM ka qenë në rrugë të mirë sa u përket reformave gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, lidhur me situatën e brendshme, eurodeputeti britanik Majkl Kashman ka kritikuar mosrespektimin e bashkësive etnike të margjinalizuara në Maqedoni.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›