E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD sjell 11 gjyqtarë shtesë në Durrës

Analiza njëvjeçare
 
 
 
Rritja me 10 % e numrit të çështjeve që shqyrtohen në gjykatën e rrethit ka detyruar qeverinë e gjyqësorit që të dërgojë përforcime, por problem mbetet mungesa e ambienteve, madje edhe për togat e zeza ekzistuese
 
 
 
Aleks Kalemasi
Durrës - Rritja e volumit të çështjeve që gjykohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, ka bërë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të miratojë një personel shtesë prej 11 gjyqtarësh. 11 gjyqtarët e rinj do të fillojnë punë brenda muajit të ardhshëm në Gjykatën e Durrësit, pasi siç u shpreh edhe kryetari i kësaj gjykate, Ervin Metalla, nga viti 2003 dhe në vazhdim ka një rritje prej 10 përqindësh më shumë të numrit të çështjeve nga viti në vit. Kjo gjykatë ka sot vetëm 13 gjyqtarë në gjykojnë çështje civile dhe penale, por janë katër vende vakante që janë lënë bosh nga Majlinda Andrea, Mimoza Moçi, Faslli çeka dhe Drita Prençi. Dy të fundit punojnë akoma në këtë gjykatë, megjithëse kanë mbushur moshën e pensionit. “Ardhja e 11 gjyqtarëve të rinj do të bëhet shumë shpejt e mundur”, është shprehur nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili ka qenë dje në analizën e punës për vitin 2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ndonëse problemi i mungesës së stafit të plotë të gjykatës pritet të zgjidhet shumë shpejt, gjykata tashmë do të përballet me një tjetër problem: atë të mungesës së ambienteve. Në Gjykatën e Durrësit ka vetëm 4 salla gjykimi, ndërkohë që shpesh gjyqtarët janë të detyruar që shumë çështje t’i zhvillojnë në zyrat e tyre. Godina trekatëshe e gjykatës nuk mjafton që aty të hapen salla të reja gjykimi, problem ky që është ngritur nga kryetari i kësaj gjykate, Ervin Metalla.
2009-ta në shifra
Në raportin e punës që është lexuar nga kryetari Metalla, është theksuar se gjatë vitit të kaluar kanë qenë për gjykim 8486 çështje, nga të cilat 6307 kanë qenë çështje themeli penale e civile, 845 kërkesa administrative penale e civile, 576 urdhra ekzekutimi dhe 758 kërkesa gjatë fazës së hetimeve paraprake. 1048 çështje të tjera janë mbartur nga viti 2008, ndërsa në lidhje me seancat për vlerësimin e masave të sigurisë, janë kërkuar 336 raste për "arrest me burg", ndërkohë që janë vendosur vetëm 272 raste të tilla. Në lidhje me dhënien e vendimeve, 76 për qind e tyre nuk janë prishur nga shkalla më e lartë, 17 për qind kanë përfunduar brenda një seance, 29 për qind në më shumë se 10 seanca dhe 3 për qind e tyre kanë zgjatur më shumë se 1 vit. Në lidhje me dënimet që ka dhënë Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Durrësit, bëhet e ditur se janë 47 raste që kanë marrë dënim me burg, gjobë dhe kusht, 117 raste burg me kusht, 110 raste burg dhe gjobë, 325 rase me gjobë, ndërsa në 18 raste është shpallur pafajësia.
 
 
Spahiu:
 
Ka mjaft ankesa nga qytetarët, përmirësoni punën!
Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në fjalën e tij është shprehur se Gjykata e Durrësit ka rëndësi të madhe, pasi ajo është pjesë e disa programeve dhe projekteve pilot, dhe në këtë mënyrë ka gjetur mbështetjen financiare të organizmave të huaj. Spahiu ka vlerësuar cilësinë dhe shpejtësinë në gjykim të çështjeve nga gjyqtarët e kësaj gjykate, duke shtuar se një gjyqtar i bie që të ketë gjykuar deri në 500 çështje të ndryshme. Nga ana tjetër, duke iu referuar shifrave, Spahiu ka theksuar se “nuk është inkurajuese norma 45  për qind e çështjeve penale të themelit, ndërkohë që kjo gjykatë është ndër të vetmet që ka pasur gjyqtarë në stazh”. Edhe në lidhje me ankesat e qytetarëve, nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka shtuar se ka mjaft ankesa të llojeve të ndryshme, ndaj duhet të përmirësohet puna dhe të merren parasysh vërejtjet e tyre.
 
 
 
Kakavijë
 
Greva e doganierëve grekë kthen mbrapsht automjetet
Kakavijë - Greva 24-orëshe e doganierëve grekë, e cila përfshiu ditën e mërkurë të tria pikat doganore në Qarkun e Gjirokastrës, ka shkaktuar probleme përsa i përket qarkullimit të automjeteve në drejtim të Greqisë. Si shkak i grevës, e cila ka nisur në orën 06:00 të së mërkurës, dogana greke ka ndërprerë përpunimin e automjeteve, duke bllokuar në kufi makinat që tentonin të udhëtonin në drejtim të Greqisë. Megjithëse përgjatë rrugëve kombëtare që të çojnë në doganat e Kakavijës, Sopikut (Gjirokastër) dhe çarçovës (Përmet) policia ka ngritur postblloqe që sinjalizojnë shoferët për bllokimin e punës në kufi, sërish ka qenë i konsiderueshëm numri i automjeteve që janë kthyer mbrapsht, pasi janë informuar për grevën vetëm pasi kanë mbërritur në doganë. Kundërshtinë më të madhe për këtë situatë e kanë shprehur tregtarët, të cilat si shkak i grevës nuk kanë udhëtuar me kamionët e mallrave në drejtim të Greqisë. “Gjatë javës së kaluar ne qëndruam dy ditë pa punë, të enjten dhe të premten, ndërkohë që na duhet të ndërpresim sërish punën këtë të mërkurë”, thotë një tregtar, i cili importon nga Greqia produkte ushqimore. Ndërkohë, edhe mjaft linja të transportit të udhëtarëve që përditë udhëtojnë në itinerarin nga Shqipëria për në Greqi të mërkurën kanë pezulluar udhëtimet e tyre. Sipas burimeve në Policinë Kufitare në Gjirokastër, greva e doganierëve grekë do të përfundojë mëngjesin e së enjtes.
B. Shehu
 
 
Ura Vajgurore
 
Bastisen zyrat e bashkisë, tentohet
të vidhen dokumentet e kadastrës
 
 
Hyrja me forcë
 
Autorët kanë hyrë në godinë, duke thyer xhamin e dritares së zyrës së nënkryetarit të bashkisë, e më pas kanë dashur të hapin sirtarët ku mbaheshin të depozituara gjithë dokumentet e shpërndarjes së tokave të këtij rrethi
 
URA VAJGURORE - Zyrat e godinës së Bashkisë së Urës Vajgurore ka rënë preh e grabitëse gjatë orëve në vona të natës së dy ditëve më parë, ndërkohë që autorët duket se kanë synuar vjedhjen e dokumenteve në zyrën e kadastrës, e cila ndodhet në një nga zyrat e kësaj bashkie. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të natës së të martës, por ajo nuk është bërë e ditur zyrtarisht për median. Vjedhjen e kanë konstatuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm punonjësit e bashkisë, të cilët sapo kanë mbërritur në punë, kanë gjetur xhama të thyer e dyer të shqyera gati në të gjitha zyrat e këtij institucioni. Informacioni ka mbërritur fillimisht në postën e policisë së Urës Vajgurore, godinë e cila ndodhet shumë pranë asaj të bashkisë. Por, ndonëse dy godinat, ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, punonjësit e shërbimit nuk kanë arritur të konstatojnë në kohë vjedhjen, çka tregon se autorët kanë hyrë pa zhurmë në ambientet e bashkisë nga ku kanë filluar edhe bastisjen. Më pas, drejt institucionit vendor të Urës Vajgurore janë nisur ekspertët e policisë së Drejtorisë së Policisë Qarkut Berat, të cilët kanë kryer hetimet e para në vendin e ngjarjes. Nga konstatimet e para dyshohet se autorët kanë qenë dy ose më shumë dhe pasi kanë kaluar murin rrethues së bashkisë, kanë thyer një nga xhamat e dritareve të katit të dytë dhe më pas janë futur në ambientet e brendshme. Në zyrën e nënkryetarit të bashkisë, nga ku autorët janë futur në institucionin vendor, janë gjetur shenja që dëshmojnë se me anë të thyerjes së xhamit të dritares kanë depërtuar në ambientet e brendshme. Po me anë të thyerjes ata kanë hapur gati të gjitha zyrat e bashkisë, ku kanë bërë shkatërrimin e pajisjeve, duke hapur me dhunë sirtarë dhe dollapë të këtij institucioni. Autorët mësohet se kanë arritur të futen gjithashtu edhe në zyrën e kryetarit të bashkisë dhe atë të kadastrës, ku kanë tentuar të hapin kasafortën dhe vendin ku mbaheshin dokumentet. Autorët mësohet se me anë të dhunës kanë dashur të hapin sirtarët ku mbaheshin të depozituara gjithë dokumentet e shpërndarjes së tokave të këtij rrethi. Sipas burimeve të besueshme të policisë, pikësynim i vjedhjes mund të ketë qenë grabitja e dokumenteve në zyrën e kadastrës, gjë e cila nuk është realizuar. Pasi nuk kanë arritur qëllimin e tyre, autorët duket se kanë thyer dhe shkatërruar sirtarë të zyrave, por nuk janë prekur kompjuterë dhe pajisjet e tjera. Nga verifikimet që janë bërë gjatë paradites së sotme në zyrën e kadastrës, por edhe në ambientet e tjera të bashkisë, është mësuar se asnjë dokument nuk ka arritur të grabitet nga ky institucion. Vetëm në njërën prej zyrave mësohet se janë vjedhur 100 mijë lekë të vjetra, të cilat ishin lënë në një nga sirtarët nga punonjësi i zyrës. Gjithsesi, për ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet e rastit dhe janë bërë shoqërimit e para në organin blu, por ende nuk ka të ndaluar.
Abedin Kaja
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›