E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Schmitt: Nxitje e investimeve hungareze në Shqipëri

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Presidentin Pal Schmitt, në ditën e dytë vizitës në Budapest.Pasi uroi mirëseardhje të përzemërt, Presidenti Schmitt, e vlerësoi këtë vizitë si shume të rëndësishme dhe të suksesshme. Schmitt tha se të dy popujt ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe ruajnë miqësi të konsoliduar. Ai vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si një arritje historike të saj dhe qeverisë shqiptare dhe i shprehu Kryeministrit mbështetjen e fuqishme të Hungarisë edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
 

"Hungaria – tha Presidenti Schmitt - është shumë e lumtur që Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe ajo do të jetë në radhën e parë të vendeve që do të mbështesin dhe ndihmojnë Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat! Shqiptarët kanë bërë shumë sakrifica për të qenë të lirë dhe duke qenë se edhe populli hungarez ka vuajtur nën diktaturën komuniste, ne e kuptojmë shumë mirë popullin mik shqiptar, ndaj do vijojmë t`ju mbështesim fuqishëm në hapat e mëtejshëm drejt BE-së.”

Nga ana e tij Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit hungarez mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen e paçmuar të Hungarisë për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin në BE, por edhe për qëndrimin e kontributin e Hungarisë ndaj çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës.

Më tej, Kryeministri e njohu Presidentin Schmitt me rezultatet shumë të frytshme të kësaj vizite, e cila zhvillohet në një vit të veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve, në 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Hungarisë për vullnetin për zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë. Miqësia midis të dy popujve - vlerësoi Kryeministri - shkon larg në historinë shekullore, në bashkëpunimin dhe në përpjekjet e tyre për liri e dinjitet.

Kryeministri Berisha bëri me dije përpjekjet dhe reformat e jashtëzakonshme të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, për realizimin e projektit madhor kombëtar të anëtarësimit në BE, të cilat kanë shndërruar pamjen e vendit dhe imazhin e Shqipërisë në botë. Kryeministri e njohu gjithashtu Presidentin hungarez me arritjet e rëndësishme në fushën e ekonomisë, të cilat kanë bërë të mundur që Shqipëria të shënoje rritjen më të madhe ekonomike në Europë, ndërtimin e një infrastrukture tërësisht të re rrugore në vend, katërfishimin e investimeve të huaja, ndërkohe numri i turisteve e vizitorëve që vijnë në Shqipëri për turizëm dhe rekreacion në vit ka kaluar 4 milionë, si edhe arritjet e rëndësishme në fushën e arsimit, shëndetit publik, arritjet në luftën kundër korrupsionit, thjeshtësimit dhe dixhitalizimit të procedurave, ICT etj..
 

Berisha gjithashtu e njohu Presidentin Schmitt me potencialet e jashtëzakonshme që ofron vendi si 400 kilometra bregdet të mrekullueshëm, por edhe peizazhe malore të virgjëra e piktoreske, mundësitë në fushën e prodhimit të energjisë hidrike e energji të tjera të rinovueshme, në sektorin minerar etj..
Ne takim u rikonfirmua vullneti për të nxitur investitorët hungarezë për të investuar në Shqipëri.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›