Topi me Amb. kosovar, Selimi: Tirana, mbështetja jonë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës, Sylejman Selimi, i cili paraqiti Letrat-Kredenciale.
Kreu i Shtetit vlerësoi progresin e vazhdueshëm të institucioneve te Kosovës. Ai tha se uron që Kosova t`i japë fund statusit të pavarësisë së mbikëqyrur dhe të plotësojë të gjitha standardet për integrim ne Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi tha se ndihej i nderuar që është përfaqësuesi diplomatik i shtetit më të ri, e të pavarur në Ballkan.
Ambasadori Selimi, theksoi faktin se përveç Brukselit dhe Uashingtonit, Tirana është mbështetja kryesore e Kosoves. Ai nenvizoi se objektivi parësor i politikës së jashtme të Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe për këtë vlerësohet mbështetja qe ofron Shqipëria.