Berisha: S’do ketë rritje taksash, sa kohë shqiptarët do votojnë PD-në

Në konsultimin me biznesin, lidhur me paketën e re të reformave ekonomike, kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar bindjen e mazhorancës se biznesi nuk zhvillohet duke luftuar të pasurit, dhe se mazhoranca e qendrës së djathtë nuk do t’i rrisë taksat, për sa kohë, ajo do të ketë votëbesimin e shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar një paketë të re reformash ekonomike që do të mundësojnë uljen e mëtejshme të taksave, ndërsa ironizoi taksën progresive të socialistëve. Kreu i qeverisë zhvilloi dje një bashkëbisedimi me përfaqësues të biznesit, ku dëgjoi shqetësimet e tyre si dhe adresoi specifikat kryesore të kursit të ri të reformave ekonomike. Kryeministri Berisha garantoi biznesin se s’do ketë rritje taksash, por përkundrazi do ketë ulje të mëtejshme. “Në një hark kohor të shkurtër, ne ia dolëm që me reformat e ndërmarra bashkërisht ta bëjmë ekonominë shqiptare një ekonomi kompetitive, të bëjmë që kjo ekonomi, në kohërat më të vështira për ekonominë europiane dhe atë botërore, të trefishojë eksportet dhe të rrisë mbi tre herë investimet e huaja. Me këto reforma, ne bëmë që Shqipëria në disa nga treguesit e klimës së biznesit të qëndrojë në 10 vendet e para të planetit dhe në disa të tjerë të qëndrojë në 20 vendet e para të tij. Sikundër në ndonjë prej tyre të gjendet në pozicionet më të papërshtatshme. Sot është jetike një paketë e re reformash, është vendimtare një përpjekje e re për ta bërë edhe më kompetitive ekonominë shqiptare. Ne jemi qeveri e përcaktuar për taksën e ulët, ne jemi të vendosur ta konsolidojmë atë dhe ju garantojmë juve se jo vetëm se nuk do të ketë rritje taksash, por po studiohet e do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinë, sesa taksat e larta. E vërteta është se bota përjetoi krizën më të thellë, pas viteve ’30 të shekullit të kaluar, jo se ajo u gjet me taksa të ulëta, por se ajo u gjet me taksa të larta”, u shpreh Berisha. “Sot është jetike një paketë e re reformash. Sot është vendimtare një përpjekje e re për të bërë sërish më kompetitive ekonominë shqiptare. Ne jemi vendi i përcaktuar për taksën e ulët. Ne jemi të vendosur ta konsolidojmë atë dhe ju garantoj ju se jo vetëm që s’do ketë rritje taksash por do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë se taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinë sesa taksat e larta. E vërteta është se bota përjetoi krizën më të thellë jo se ajo u gjet me taksa të ulëta por se u gjet me taksa të larta. E vërteta tjetër është se studimet shumë të besueshme kanë faktuar se çdo dollar i ulur nga tatimfitimi apo taksa e të ardhurave, 0.4 për qind i shkon punonjësit. Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtarët në histori. Thirrjet e tyre të kujtojnë kohërat e nepit, por nëse është faktuar në mënyrën më të sigurt një gjë, të varfrit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit në një vend të lirë. Nuk besojmë në dogmën marksiste të taksave të larta, jemi dhe do bëjmë gjithçka të ruajmë pozicionin e vendit me taksa më të ulëta në botë”, u shpreh Berisha. Kreu i ekzekutivit iu kundërpërgjigj edhe propozimit të lidershipit socialist për taksimin progresiv, duke i mëshuar me forcë faktit se nuk mund të ketë rritje ekonomike duke shkatërruar të pasurit. “Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtaret në historinë e njerëzimit. U rikujtoj këtyre zotërinjve se komunizmi ka filluar me NEP-in dhe thirrjet e tyre të kujtojnë kohërat e NEP-it, por ajo që është faktuar në mënyrën më të sigurt është se të varfrit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit, në një vend të lirë. Ndaj, ne nuk besojmë në dogmën marksiste të taksave të larta. Ne jemi e do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pozicionin e nivelit të vendit me taksa ndër më të ulëtat në botë”, theksoi kreu i qeverisë. Berisha i premtoi përfaqësuesve të biznesit lehtësim të barrës burokratike në mënyrë që ekonomia të jetë gjithnjë e më kompetitive. “Në aspekte të tjera, ne do të bëjmë gjithçka t’ju lehtësojmë ju nga barra burokratike, e cila është e mundimshme dhe ju gllabëron energji dhe kohë në mënyrë të pameritueshme. Do të bëjmë gjithçka që së bashku ta bëjmë Shqipërinë gjithnjë e më kompetitive. Një nga shtyllat më kryesore në përpjekjen tonë për një Shqipëri kompetitive është sigurisht klima e biznesit. Në Task Force-n që funksionon që nga viti 2005 për reformën derregullatore të tregut, ne bëmë një shqyrtim të 10 elementeve kryesorë të klimës së biznesit, verifikuam gjendjen aktuale të secilit prej tyre dhe vendosëm të vazhdojmë thjeshtimin e procedurave. Jemi në një fazë para vendimit përfundimtar, ndaj mendova të konsultohem edhe me ju dhe ju të jepni mendimin tuaj”, tha ai. Përfaqësuesit e biznesit falënderuan Kryeministrin për vullnetin politik të dëshmuar në favor të biznesit dhe të krijimit të një klime sa më lehtësuese dhe të përshtatshme për të dhe kërkuan që ky vullnet të mobilizojë një angazhim sa më të lartë në të gjitha hallkat e strukturave shtetërore. Duke cilësuar si barrën më të rëndë fiskale, burokracinë, përfaqësuesit e biznesit vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të minimizuar këtë pengesë dhe paraqitën mendimin e tyre lidhur me një bashkëpunim sa më efikas të biznesit me strukturat e qeverisë.
...