E Diel, 1 Nëntor 2026

Muharrem Bajraktari, përbashkuesi i 100 vjetorit të pavarësisë

31-03-2012 / Nga Eden Babani

Në Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, Komuniteti Shqiptar i Belgjikës përkujtoi në Bruksel figurën dhe veprën e Muharrem Bajraktarit

Komuniteti Shqiptar i Belgjikës e hapi serinë e veprimtarive për nder të Njëqindvjetorit të Pavarësisë me përkujtimoren kushtuar figurës dhe veprës së spikatur atdhetare të Muharrem Bajraktarit. Përkujtimorja u mundësua falë nismës së Musë Litës, Sulejman Gjanajt dhe Burim Demirajt, tre veprimtarë të njohur të mërgatës së këtushme, si edhe falë mbështetjes së pakursyer të z. Bernard Klerfei, Burgmestër (Kryetar i Komunës) i Skarbekut, ku Muharrem Bajraktari kaloi më se 36 vjet të jetës së tij në emigracion. Për të sjellë para bashkatdhetarëve me banim në Belgjikë figurën dhe veprën e Bajraktarit, ishin ftuar Prof. Dr. Shefqet Hoxha, nga Tirana, dhe historiani Qerim Lita, nga Shkupi, të cilët mbajtën dy kumtesa të veçanta me të njëjtën temë: “Muharrem Bajraktari - figurë e rrallë e Nacionalizmit Shqiptar”. Me fakte të njohura burimore, por edhe të rishme, kumtuesit e shpalosën në katër plane figurën e Burrit të Madh të krahinës së Lumës: në planin e Çështjes sonë Kombëtare ende të pazgjidhur përfundimisht, në planin e luftëtarit të paepur antifashist, në atë të antikomunistit të palëkundur, si edhe në planin e vizionarit të përhershëm properëndimor.
Kumtuesit vunë në dukje se, si atdhetar dhe luftëtar aktiv i Çështjes Shqiptare, Muharrem Bajraktari është shprehur pareshtur për bashkimin e trojeve tona etnike në kufijtë e një shteti të vetëm. “Kosova - ka shkruar ai - nuk është një shprehi gjeografike, por një vend i banuar krejtësisht nga shqiptarë, i cili iu dha padrejtësisht Serbisë e Malit të Zi nga Konferenca e Londrës (1913)... Populli i saj kurrë nuk e ka humbur shpresën se do të çlirohet një ditë nga sundimi i Jugosllavisë dhe do të bashkohet me nënën Shqipëri.”
Sipas kumtuesve, për qëndrimin antifashist të Bajraktarit janë shprehur me gojën e tyre vetë pushtuesit italianë. Skaminaçi, kreu i zbulimit italian në Tiranë njoftonte qendrën e vet më 13 prill 1940: “Muharrem Bajraktari është një nacionalist i zjarrtë shqiptar. Për këtë arsye, nuk mund të ushqejë ndjenja të mira për italianët dhe për politikën italiane”. Kurse Fon Ribentrof, ish-ministër i jashtëm i Gjermanisë, pohonte më 21 gusht 1943 se Bajraktari ishte kundërshtar absolut i italianëve.
Prof. Dr. Shefqet Hoxha dhe historiani Qerim Lita vunë në dukje bindshëm  pikëpamjet e palëkundura antikomuniste të Muharrem Bajraktarit. Sipas tyre, ishte kjo arsyeja që nuk u pajtua me krerët e Kryengritjes së Qershorit 1924. “Komunizmi – ka shkruar ai – është një lëvizje pansllaviste, sepse kërkon shtrirjen e botës sllave me një dimension të ri”. Bajraktari pati shkruar: “Ne e kemi luftuar komunizmin në Shqipëri dhe ende vazhdojmë ta luftojmë, sepse kjo doktrinë nuk u përshtatet interesave kombëtare dhe parimeve tradicionale të popullit tonë.”
Megjithatë, Muharrem Bajraktari asnjëherë nuk ngriti pushkë i pari kundër komunistëve të Enver Hoxhës, të cilët, pasi tradhtuan vendimet e Konferencës së Mukjes, sulmuan forcat antifashiste të Abaz Kupit dhe iu drejtuan Veriut me synimin që t’u vinin në ndihmë aleatëve të tyre sllavë, për të shtypur lëvizjen çlirimtare të Kosovës. Lidhur me këtë, kumtuesit citojnë Xhulian Emerin: “Muharrem Bajraktari nuk ishte kundër individëve komunistë, por ishte i vendosur të ndalonte ngulitjen e një regjimi komunist në Shqipëri.” Përkundrazi, hyrja në Lumë e forcave komuniste me gjak e me dhunë në fillim të shtatorit 1944, i detyroi lumjanët dhe Burrin e Lumës t’i përgjigjeshin pushkës me pushkë. Në përleshjet e përgjakshme me forcat komuniste, të cilat do të vazhdonin deri në shtator 1946, Muharrem Bajraktari do të humbiste dy nga djemtë e tij, Brahimin e Hamdiun. Më pas, të vëllain, Bajramin dhe shumë shokë të idealit e të pushkës, si: Sefë Xheladinin, Dostan Rexhepin, Ymer Miftarin, Tosun e Elmaz Çejkun etj.
Në fillim të vitit 1942, kur Lufta e Dytë Botërore kishte arritur kulmet e saj, koloneli britanik Hill bëri përpjekje të bashkonte aksionet kryengritëse të Muharrem Bajraktarit, në Shqipëri, me ato të Drazha Mihajlloviçit, në Jugosllavi, dhe të Napoleon Zervës, në Greqi. Në ato vite, kur pushtimi fashist, nga njëra anë, dhe synimet e serbomëdhenjve ndaj trojeve tona etnike nën maskën e komunizmit, nga ana tjetër, kishin vënë në rrezik ekzistencën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi, Bajraktari edhe njëherë u tregua largpamës. Siç thuhet në një dokument të shërbimit sekret jugosllav, përpjekjet e Hillit nuk patën sukses për shkak se Bajraktari “rezistoi t’i nënshtrohej Mihajlloviçit, i cili udhëhiqte një politikë të pamundshme, veçmas në raport me Shqipërinë”.
Më 25 gusht 1946, në krye të 56 nacionalistëve antikomunistë, Muharrem Bajraktari e la vendlindjen dhe u nis drejt Jugut, për në Greqi. I ndjekur këmba-këmbës prej forcave komuniste dhe i detyruar të përleshej ditë e natë me to, humbi në luftime 22 nga ndjekësit e tij besnikë. Në shtator, u strehua në Greqi dhe, më në fund, pas një odiseje të mundimshme si emigrant, u vendos në Belgjikë, në vitin 1953. 
Atdhetar me vizion demokratik properëndimor, Muharrem Bajraktari kurrë nuk rreshti së punuari për kombin, për çlirimin e vendit nga thundra e diktaturës hoxhiste dhe për shkëputjen e tij nga ndikimi i ideologjive me burim Lindjen sllavo-komuniste. Për merita të spikatura atdhetare, u zgjodh anëtar i kryesisë së Organizatës Shqipëria e Lirë.
Kumtuesit Hoxha dhe Lita, cituan dokumente që dëshmojnë kritikat e herëpashershme të tij ndaj regjimit të instaluar në Shqipëri me gjak e me dhunë. “Regjimi i sotëm – pati shkruar ai – nuk përfaqëson vullnetin e popullit, sepse ka qenë i imponuar nga forcat brutale e kriminale. Zgjedhjet e vitit 1945 kanë qenë të rreme e absolutisht formale, të realizueshme nën presionin e policisë e nën një klimë frike. Populli shqiptar është i lidhur me traditat kombëtare, me jetën familjare e me konceptet perëndimore. Nuk e do komunizmin që do ta shtyjë me anën e forcës në orbitën e botës sllave. Nuk duron t’ia prekin traditat e veta të familjes e të lirisë dhe kjo është arsyeja pse është kundër tij.”
Muharrem Bajraktari ndërroi jetë më 21 janar 1989, bash në prag të rënies së Murrit të Berlinit, evenimenti historik që do t’i jepte fund sistemit komunist në Europën Lindore e Juglindore. I mbylli sytë në komunën e Skarbekut, ku ngrihet përmendorja e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut dhe ku jetoi afro 36 vjet si mërgimtar, por i rrethuar nga dashuria e kujdesi i të afërmve dhe nga besnikëria e pakufi e bashkëluftëtarëve që e ndoqën pas deri në vdekje. Ndjeu për së gjalli edhe respektin e të gjithë bashkatdhetarëve të emigracionit antikomunist shqiptar, i cili vit pas viti do të merrte përmasa të pandalshme në Belgjikë e në vende të tjera të Europës Perëndimore. Mbi 600 shqiptarë nga diaspora erdhën në Bruksel për t’i dhënë lamtumirën e fundit në varrezat e Komunës së Skarbekut, ku pushojnë eshtrat e tij. Shumë parti politike dhe figura patriotike e shkencore të diasporës i vunë kurora mbi varr. Qeveria belge, veçanërisht komuna e Skarbekut, ku jetoi, i bënë nderimet e merituara të një burri shteti. Shtypi dhe radiot në Belgjikë, Francë, Angli etj. i bënë jehonë humbjes së Burrit të Madh të Lumës. “Zëri i Amerikës” i kushtoi disa emisione jetës dhe veprimtarinë së tij nacionaliste.
Sot e kësaj dite, varrin me mermer të zi, ku spikat shqiponja dykrenore në një sfond të artë, e vizitojnë shumë  bashkatdhetarë të emigracionit të ri e të vjetër me banim në Belgjikë, ngase, siç thotë studiuesi Uran Butka, “Ndër miliarda njerëz që vijnë e shkojnë, të paktë janë ata që bëjnë epokë dhe lënë emër në historinë e kombit të vet. Një i tillë është edhe Muharrem Bajraktari".
***
Skarbeku është ndër dy-tyri më të mëdhatë nga të nëntëmbëdhjetë komunat e kryeqytetit të Mbretërisë së Belgjikës. E përbërë prej shumë lagjesh, shpesh tejet të populluara dhe kozmopolite, komuna e Skarbekut numëron afro 130.000 banorë. Ajo dallohet për parqet e shumta, ndër të cilët spikat Parku Zhozafat, për ndërtesat me arkitekturë të më se dyqind vjetëve përpara, si Hotel Komunal, ndërtuar që më 1887 etj. Në Skarbek ndodhet Kisha e Shën Mërisë, ku kryhen ceremonitë fetare të Pallatit Mbretëror, Shtëpia e Arteve etj. Është e vetmja komunë e Brukselit pa stemë, për çka konsiderohet komunë bardhë-gjelbër, domethënë e prirë për paqe, miqësi e qetësi. Në Skarbek, ndodhet përmendorja e Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar, mbrojtësi i kulturës perëndimore nga hordhitë e stepave të Azisë Qendrore. Përmendorja, vepër pa vlera artistike e një skulptori anonim, prej vitesh është bërë objekt diskutimi mes bashkatdhetarëve tanë. Kohët e fundit, me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Burgmestrit Klerfei, është mbledhur thuajse treçereku i fondit të nevojshëm për ribërjen e monumentit. Për kënaqësinë e të gjithë pjesëmarrësve në tubimin përkujtimor, krahas konsideratave të tij për figurën e Muharrem Bajraktarit, zotëri Klerfei e kumtoi këtë arritje në fjalën e tij të përshëndetjes.
Tubimin e më shumë se treqind pjesëmarrësve, e përshëndetën edhe dy ndër bashkëpunëtorët mê të afërt të Brugmestrit, zotërinjtë Bernard Gijom dhe Mishel dë Herdë. E reja shqiptare Danije Bajraktari bëri një paraqitje të shkurtër të jetës së Muharrem Bajraktarit. Në fund fare, bashkatdhetari Hisni Lita, mërgimtar i viteve ’50, recitoi me pasion një vjershë të hershme, kushtuar Flamurit tonë Kombëtar.
Të tjera  veprimtari e presin Komunitetin Shqiptar të Brukselit në Vitin Jubilar të Njëqindvjetorit të Pavarësisë, se pse, siç tha Prof. Dr. Shefqet Hoxha “...100 vjet histori të shtetit të shqiptarëve kanë pjellë vlera e atdhetarë të njëmendtë që duhen njohur e përkujtuar”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›