E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: S’do lejojmë punisto-mafiozët të dhunojnë shtetin ligjor



Jo antimiting, por një motiv për të festuar arritjet e deritanishme të Shqipërisë. E tillë do të jetë festa e datës 8 dhjetor, rënies së murit shqiptar të komunizmit. Një festë e demokracisë dhe aspiratës evropiane të vendit, përpara së cilës strukturat e PD-së së kryeqytetit kanë si detyrë përgatitjen më madhështore dhe mundësimin e daljes në shesh të çdo kryeqytetasi. Lideri i PD-së, Sali Berisha, mblodhi paraditen e djeshme strukturat politike të degës Tiranë dhe deputetët e këtij qarku për të përcaktuar detajet mbi organizimin e mitingut të 8 dhjetorit. Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se ky organizim festiv vjen në një kohë kur vendi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara drejt realizimit të ëndrrës evropiane. Këtu Kryeministri kujtoi vendimin më të fundit të BE-së, të marrë në 16 nëntor, vendim që u hapi rrugë procedurave që Shqipëria të përfitojë statusin e vendit kandidat. “Nuk mund ta lë pa theksuar se ata të cilët në vitin ‘90 na quajtën si antimiting apo mitingashë, në refleksin e etërve të tyre, sërish kanë hapur gazetat e tyre me germa kapitale dhe vlerësuan 8 dhjetorin si një antimiting. 8 dhjetori është festa e shqiptarëve dhe e idealeve evropiane të shqiptareve”, - deklaroi z. Berisha. Për mediat kryeministri komentoi dhe afatin 10-ditor të vendosur nga kreu i PS-së, Rama, për hapjen e kutive të votimit, lëshuar në formën e një ultimatumi për qeverinë. Berisha e cilësoi si përpjekje për rrëzimin e rendit kushtetues që sikundër u shpreh, do të marrë përgjigje të fortë ligjore. Kryeministri Sali Berisha iu kundërpërgjigj ultimatumit të PS-së për hapjen e kutive, duke thënë se lëvizje të tilla puniste, siç i quajti ai, do të marrin përgjigjen e merituar nga ligji. “Aleanca punisto-mafioze të cilën e rren mendja se do të mund të dhunojë rendin demokratik, legjitimitetin e institucioneve kushtetuese të vendit dhe të merret me mbledhje dhe ultimatume sa të dojë. Ajo çka unë i garantoj aleancës punisto-mafioze është se me darë të ligjit, një nga një, do t’u shkulim dhëmbët dhe pastaj dhëmballët. Nuk do t’u mbetet gjë në gojë. Ka filluar. Qendra e Tiranës u çlirua. Po vazhdon pak më tutje, kështu me radhë. Ultimatumet e aleancës punisto-mafioze i marr si nder. Më bëjnë nder mua, rendit kushtetues të vendit dhe ne vazhdojmë projektin tonë evropian”, - theksoi z. Berisha. Kreu i qeverisë shmangu komentet pëe mundësinë e përfshirjes së Presidentit të Republikës në zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Ai vuri në dukje se tani për tani, axhenda e demokratëve është fokusuar në përgatitjet për 8 dhjetorin, e konceptuar si një festë masive pro idealeve evropiane, qëllim për të cilin Kryeministri organizoi takimin e djeshëm me deputetët demokratë të Tiranës. Ai renditi si arsye anëtarësimin në NATO, pranimin e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe heqjen së shpejti të liberalizimit të vizave, Kryeministri Berisha bëri të qartë se 8 dhjetori, festa e mbarë shqiptarëve, nuk mund të cilësohet si antimiting, vetëm për faktin se përkon me protestat e opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›