KE, Mirel: Shqipëria, ecuri e shpejtë për heqjen e vizave
KE-ja vlerëson si shumë të mirë ecurinë e procesit të liberalizimit të vizave në Shqipëri. Kjo iu bë dje e ditur Kryeministrit Sali Berisha nga drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel. Ky i fundit e përgëzoi z. Berisha për arritjet e reformave të qeverisë shqiptare dhe i shprehu atij mbështetjen e plotë të Komisionit për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e mëtejshme për të plotësuar të gjitha standardet, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme sa më të shpejta. “Ekziston një ndjenjë e përgjithshme në Komisionin Evropian që është detyra jonë fisnike të ndihmojmë Shqipërinë për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në BE”, - u shpreh z. Mirel. Në takim u vlerësua rëndësia e plotësimit sa më të shpejtë të të gjitha kritereve, standardeve dhe praktikave të nevojshme politike, institucionale e ligjore, që këto procese të ecin përpara me shpejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat ekonomike, përfundimi i reformës së pronësisë, forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i kapaciteteve administrative, por në veçanti reformat për konsolidimin e kritereve politike të Kopenhagenit janë dhe mbeten prioritet parësor. Të dyja palët shprehën edhe një herë angazhimin e përbashkët të Komisionit Evropian dhe qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar ngushtësisht së bashku në periudhën në vijim, për të realizuar të gjitha standardet e kriteret e kërkuara në këtë kontekst. Kryeministri Berisha e siguroi zotin Mirel se progres-raporti i Komisionit Evropian dhe dokumentet e tjera janë dhe mbeten udhërrëfyesit dhe shtyllat themelore të programit të punës së qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri i bëri me dije zotit Mirel masat e fundit të marra nga qeveria shqiptare si: “liberalizimi i mëtejshëm i kritereve për lejet e licencat dhe përfshirjen e parimit “heshtja është miratim”, shkurtimi i shpenzimeve administrative, thjeshtëzimi i procedurave fiskale për biznesin etj. Këto dhe të tjera masa, në favor të përmirësimit të klimës së biznesit, po bëjnë të mundur që Shqipëria, me gjithë krizën financiare botërore, të shënojë një rritje në investimet e huaja direkt, në masën 59 për qind vetëm për vitin 2009”, - tha Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë e falënderoi z. Mirel dhe Komisionin Evropian për mbështetjen, ndihmën dhe inkurajimin e jashtëzakonshëm që i kanë dhënë në mënyrë të vazhdueshme Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, në projektin madhor kombëtar, integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe në procesin e liberalizimit të vizave. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, z. Pierre Mirel, i konfirmoi atij se Komisioni Evropian dhe çdo funksionar i tij ndihet jashtëzakonisht i kënaqur me vendimin e Këshillit, i cili i dha dritën jeshile Komisionit për të shqyrtuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim dhe për përgatitjen e pyetësorit përkatës, por edhe me ecurinë shumë të mirë të procesit të liberalizimit të vizave.