Deputetët i ankohen Ramës: Të hyjmë në Kuvend, na duhen rrogat
Edi Rama mblodhi dje grupin parlamentar për të diskutuar e vendosur për aksionin e mëtejshëm politik të kësaj partie. Por ajo që duhej të ishte një mbledhje politike, ku të debatohej rreth mënyrës së re të reagimit pas mbylljes së ciklit të protestave kundër qeverisë, ka rezultuar në një mbledhje ankesash nga deputetët për mungesën e rrogës së tyre si deputet pas vendimit për të bojkotuar Kuvendin. Tashmë që kanë kaluar 3 muaj nga vendimi për të bojkotuar sallën e Parlamentit, vendim që i ka lënë ata dhe pa privilegjet e deputetit, ata i kanë kërkuar Ramës t’u japë një përgjigje dhe sa kohë do të vazhdojnë kështu. Burime të sigurta nga mbledhja e djeshme e thirrur nga Rama rreth mesditës thanë për “standard” se që në nisje të mbledhjes disa deputetë kanë ngritur si problem çështjen e rrogave. Deputeti më i ri i PS-së, Gjok Jaku, i Qarkut të Lezhës mësohet të ketë thënë se “ne kemi nevojë për atë pagën e deputetit dhe sa kohë do të vazhdojë kështu kjo gjendje, ose na thuaj të bëjmë ndonjë punë tjetër”. Më tej, ai e ka paralajmëruar Ramën se nëse nuk jepet një afat për bojkotin, atëherë ai do të hyjë në Kuvend për të mos lënë t’i digjet mandati i marrë në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërhyrja e këtij deputeti ka rezultuar me vend, sepse të gjithë janë bërë pjesë e këtij debati. Kërkesa e tij sipas burimeve është pasuar dhe nga dy-tre deputetë të tjerë, kryesisht nga ata që janë zgjedhur për herë të parë, të cilët kanë ngritur të njëjtin shqetësim. Rama, ndoshta i papërgatitur për këtë sulm të të vetëve, pikërisht në momentin që ai e ka cilësuar si “kulm të revoltës popullore kundër qeverisë”, ai nuk ka reaguar ashpër, përkundrazi i ka përkrahur shqetësimet dhe i ka siguruar se mandati nuk do t’u digjej. Në këtë mënyrë Rama ose ka planifikuar një hyrje të afërt në Kuvend, se në ç‘rrethana nuk dihet, ose e kanë thënë sa për të kaluar radhën që të ruajë hëpërhë kompaktësinë në grup, ku deri më tani vetëm 5 anëtarë kanë dalë kundër publikisht. Këta 5 deputetë që e kundërshtojnë Ramën hapur dhe e cilësojnë gabim bojkotin politik dhe vazhdimin e protestave, kanë nisur të mos ndihen më në forumet e partisë, duke hequr dorë nga kërkesat e thirrjet e vazhdueshme ndaj kolegëve për reflektim. I vetmi që ka qenë në mbledhje dje nga grupi i 5 kundërshtarëve ishte deputeti i Vlorës, Arben Malaj, i cili në fakt nuk ka preferuar të flasë kur ka parë degjenerimin e bisedës në çështje rrogash.
Pas një mbledhjeje ku në qendër ishte halli i të ardhurave të deputetëve, Rama si për ironi doli dhe deklaroi se “grupi u mblodh dhe diskutoi në një kohezion të plotë e me një vendosmëri më të madhe se asnjëherë, për të vazhduar të udhëheqë lëvizjen e re popullore, e cila do të shkojë duke u zgjeruar, duke përfshirë gjithë Shqipërinë me protesta të pandalshme, në qoftë se Sali Berisha nuk do ta shfrytëzojë kohën që i kemi dhënë, për të reflektuar në funksion të forcës së arsyes e jo të arsyes së forcës”. Ndërkaq sipas Ramës, grupi vendosi që ditët e festave të mëdha kombëtare e fetare të kalojnë në qetësi pa protesta e mitingje të opozitës.
Xhafa zbulon skenarin e rikthimit në Kuvend
Projektligji për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, i cili do të firmosej nga mbështetës të kësaj nisme, akoma nuk ka parë dritën e diellit. Por duket se pikërisht ky draft ligjor do të jetë dhe shpëtimi i PS-së dhe do t’i hapë rrugë rikthimit të saj në Kuvend. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafa, ka thënë dje në mbledhjen e grupit se një mundësi për t’u rikthyer në Kuvend është ditën që do të dërgohet ligji i PS-së për zgjedhjet. Duke u kthyer përgjigje deputetëve që kërkonin të dinin deri kur do të rrinin pa marrë rrogën që u takon si deputetë, Xhafa ka thënë se po diskutohen të gjitha mundësitë dhe rrethanat e rikthimit në Kuvend, ku një ndër mundësitë është koha kur PS të paraqesë në Kuvend ligjin për hetimin parlamentar të zgjedhjeve. Me anë të këtij drafti, PS do të kërkojë hapjen e kutive të votimit megjithëse duke vajtur në Kuvend duket se do t’i bindet shumicës, e cila pranon hetim parlamentar me një komision me shumicë të majtë, por pa dalë mbi vendimet e gjykatës, që do të thotë jo hapje të kutive. Ligji në fjalë ka disa javë që po firmoset, megjithëse militantët e PS-së kanë firmosur në fletë të bardha, pasi drafti është në zyrën e Xhafës dhe nuk posedohet nga ata që duan të firmosin për të.