Berisha-Shchmitt: Hungaria mbështet Shqipërinë në reformat e saj drejt BE

Berisha dhe Shchmitt
Kryeministri takon në Budapest kreun e shtetit hungarez.
Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me Presidentin Pal Schmitt, në ditën e dytë vizitës në Budapest. Presidenti Schmitt e vlerësoi këtë vizitë si shumë të rëndësishme dhe të suksesshme. Ai tha se të dy popujt ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe ruajnë miqësi të konsoliduar. Presidenti Schmitt e vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si një arritje historike të saj dhe qeverisë shqiptare dhe i shprehu Kryeministrit mbështetjen e fuqishme të Hungarisë edhe për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Shqiptarët kanë bërë shumë sakrifica për të qenë të lirë dhe duke qenë se edhe populli hungarez ka vuajtur nën diktaturën komuniste, ne e kuptojmë shumë mirë popullin mik shqiptar, ndaj do të vijojmë tju mbështesim fuqishëm në hapat e mëtejshëm drejt BE-së, u shpreh Presidenti hungarez. Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit hungarez mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e paçmuar të Hungarisë për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe në hapat e mëtejshëm për anëtarësimin në BE, por edhe për qëndrimin e kontributin e Hungarisë ndaj çështjes së drejtë të shqiptarëve në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës. Kryeministri Berisha u prit dje dhe nga kryetari i Parlamentit, László Kövér.