Bashkia: Xhamia e re e Tiranës do ngrihet te Namazgjaja

Dje gjatë mbledhjes së komisionit për ndërtimin e xhamisë së madhe
Komisioni që do shqyrtojë projektet, miraton propozimin e Komunitetit Mysliman.
Xhamia e madhe e Tiranës do të ndërtohet tek zona e Namazgjasë, pranë Kuvendit të Shqipërisë. Komisioni për ndërtimin e kësaj xhamie ka pranuar propozimin e ardhur nga Komuniteti Mysliman për ndërtimin e xhamisë së madhe, atje ku ndodhet toka e këtij komuniteti. Trualli prej 2570 metrash pas gati dy dekadash i kaloi në pronësi vitin e kaluar. Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman kanë insistuar që të ngrihet aty xhamia e re, pasi në këtë truall ndodhet edhe guri i themelit të xhamisë, që do të ngrihej pas viteve 90. Nga sa bëri me dije Bashkia e Tiranës, mbledhjen e ardhshme komisioni do të diskutojë për mënyrën se si do të veprohet për projektin e xhamisë, nëse do të jetë ai i hartuar tashmë, do të përcaktohet një arkitekt për të bërë një projekt të ri, apo do të bëhet konkurs për projektimin e këtij institucioni dhe, menjëherë pas kësaj, aprovimi i termave të referencës. Në mbledhjen e parë të komisionit, kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça, shprehu kënaqësinë që më së fundi nisi funksionimin një komision, në të cilin do të diskutohet dhe vendoset për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës. Jam shumë, shumë i kënaqur që më në fund u arrit të ngrihet një komision i tillë, për të biseduar e marrë disa vendime lidhur me ndërtimin e xhamisë së madhe, që ne e kërkojmë ka kaq vjet, por asnjëherë nuk u mblodh një komision i tillë, që ta ketë me gjithë shpirt, që të ketë mirësinë e nevojës për një xhami të tillë të madhe, është shprehur kreu i Komunitetit Mysliman. Ndërsa kryebashkiaku Basha ka theksuar se koha ka ardhur dhe ka kaluar, që edhe xhamia e madhe të jetë një realitet në Tiranë. Ka ardhur koha që ti japim fund problemit të përvitshëm, për të cilin fatkeqësisht nuk ka pasur zgjidhje në këtë dekadë, të besimtarëve që dalin në rrugë për ditët festive. Vullneti për ta përfunduar këtë vepër që i mungon qytetit të Tiranës, është i plotë te Bashkia e Tiranës, është shprehur Basha pak kohë më parë. Komisioni i ngritur përbëhet nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, kryetari i Komunitetit Mysliman, nënkryetari, sekretari i Përgjithshëm, përfaqësuesi i Komitetit të Kulteve, përfaqësuesi i prefektit, i Këshillit të Qarkut, myftiu i Tiranës, tre përfaqësues të komunitetit të besimtarëve të Tiranës, përfaqësuesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Këshillit të Ministrave, shoqatës Tirana, administratori i Përgjithshëm i Bashkisë dhe 5 drejtorë, tre drejtorë të përgjithshëm të Planifikimit të Zhvillimit të Territorit, Planifikimit të Menaxhimit të Shërbimeve, Projekteve Strategjike e Investimeve të Huaja dhe dy drejtorë të Planifikimit të Territorit dhe i Kontrollit të Zhvillimit të Territorit.
kapacitetet
Xhamia e Ethem Beut është e vetmja në kryeqytet. Kjo në një kohë kur Komuniteti i besimtarëve të kësaj feje është më i madhi në vend. Nga sa bëjnë me dije përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman, kapacitetet e xhamisë janë të pamjaftueshme për të përballuar fluksin e besimtarëve, të cilët shpesh falen edhe në rrugë, pasi brenda nuk ka vende të mjaftueshme.
Kthimi i pronës një vit më parë
Qeveria një vit më parë i ka kthyer Komunitetit Mysliman 2570.5 metra katrorë tokë në qendër të Tiranës. Trualli njihet si zona e Namazgjasë dhe ndodhet pranë lulishtes së Kuvendit të Shqipërisë. Kjo tokë pas viteve 1990 u bë disa herë mollë sherri mes politikanëve të majtë e të djathtë. Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman kanë sqaruar se që prej vitit 1993 tek Namazgjaja ndodhet edhe guri i parë i themelit për xhaminë që do të ndërtohej. Ndërsa gjatë kohës kur drejtimin e Bashkisë e kishte Edi Rama, vendi i përcaktuar për ndërtimin e xhamisë së re ishte te lulishtja pas Pallatit të Kulturës. Madje, u shpall edhe projekti fitues, ndonëse bëhej fjalë për një truall që u është kthyer pronarëve të ligjshëm, dhe jo një truall i lirë. Kjo gjë e bënte të pamundur kompensimin e Komunitetit Mysliman me një truall në qendër të Tiranës. Për pasojë, edhe ndërtimin aty të xhamisë së re, aq të nevojshme për besimtarët myslimanë në kryeqytet.