Debati për të majtën, Tahiri mbështet Ben Blushin

Sajmir Tahiri
Kreu i PS-së së Tiranës mbështet deputetin.
Do heqim taksën e sheshtë dhe do vendosim taksën progresive për të ruajtur të mesmit
Anëtari i Kryesisë socialiste, Sajmir Tahiri, gjatë një interviste në 5 pyetje nga Babaramo në News 24 me gazetarin Ilir Babaramo, mbështeti propozimet e bëra pak ditë më parë nga Ben Blushi për krijimin e klasës së sheshtë.
Zoti Tahiri, jeni të gatshëm të miratoni në Parlament heqjen e imunitetit të deputetëve?
Ne e kemi deklaruar publikisht vullnetin tonë për kufizimin e mandatit për të gjithë zyrtarët e lartë, deputetët, gjyqtarët e lartë dhe kushtetues, si ndër instrumentet që shërbejnë për të luftuar korrupsionin. Por, nga ana e tjetër, kjo kërkon vullnet real, jo vetëm deklarativ. Ka pasur disa iniciativa në Parlament për ndryshimin e Rregullores, që kërkojnë anashkalimin e imunitetit në rastet e procedimit penal, të cilat janë pa efekt ligjor, dhe mbeten deklarata politike dhe shou parlamentar. Është për tu theksuar se heqja e imunitetit nuk është i vetmi mjet për të luftuar korrupsionin, sepse po sot, kur ministrja Bregu deklaroi se lufta kundër korrupsionit ka sukses, nga ana tjetër, KLSH deklaroi se dëmi financiar për 2011-n është 7 miliardë lekë të rinj.
Ju si deputet i PS dhe shumë të tjerë në PS keni sulmuar Kryeministrin, pjesëtarë të maxhorancës, të kabinetit qeveritar, ndërkohë gjykatat po jua hedhin poshtë të gjitha akuzat dhe po ju ndëshkojnë…
Jo, nuk është kështu! E para e punës ne nuk kemi sulmuar për politikë as Kryeministrin, as familjarët e tij, as deputetët apo ministrat, as sekserët publikë të Kryeministrit dhe as këdo që është palë e aferave korruptive të Kryeministrit. Por, nga ana tjetër, segmente të caktuara të Gjykatës janë kthyer në kamxhik politik nën urdhrat e Kryeministrit. Po marr shembullin tim personal. Unë jam dënuar në një çështje me Albana Vokshin vetëm pse kam deklaruar se Albana Vokshi së bashku me bashkëshortin kanë bërë 1, 2, 3, 4 gjëra. Unë, sipas Albana Vokshit, nuk duhet të thosha bashkëshorti, por bashkëjetues, meqenëse nuk kanë celebrim zyrtar. Dhe për këtë jam dënuar me 33 milionë lekë të vjetër. Në të njëjtën ditë, në Bulqizë, për një shembje miniere ku gjetën vdekjen dy minatorë dhe u plagosën 8 të tjerë, ministria dënoi kompaninë që ka fitimin më të madh në të ardhura, pra kompaninë ACR, me vetëm 500 mijë lekë të vjetër për vdekjen e dy punëtorëve. Gjyqtari që më dënoi punon si asistent i Flutura Kolës, që është ortakja e Argita Berishës në zyrën ligjore të saj. Bashkëshortja e gjyqtarit është asistentpedagoge e Argita Malltezit. Tani më thoni ju mua, kam unë mundësi ta shmang këtë lidhje të drejtpërdrejtë të gjyqtarit me familjen e Kryeministrit dhe deputeten e maxhorancës ndaj së cilës unë u përballa në gjyq?
Si quhet ky gjyqtar?
Asim Vokshi, për rastësi ka dhe të njëjtin mbiemër me deputeten Albana Vokshi. Pra mjafton vetëm ky rast.
Ky emër është propozuar nga PS gjatë kohës që ishte në maxhorancë?
Nuk më intereson fare kjo.
Flasim pak për zgjedhjen tuaj në krye të PS-së së Tiranës. Mendoni se u zbatua një standard i dyfishtë në këtë zgjedhje, kur në Vlorë nuk u lejua të zgjidhej Eltar Deda, i cili është edhe deputet? Ndërsa juve ju lejua të kandidonit.
Edhe kryetari paraardhës në PS-në e bashkisë së Tiranës ishte deputet, dhe ai i mëparshmi akoma ishte deputet. Kështu ka ndodhur vazhdimisht në Tiranë. Me statut, PS-ja e bashkisë së Tiranës, për shkak të zhvillimeve demografike, por dhe ndërtimit të strukturës së saj, kërkon që të ketë një tjetër qasje, të cilën ne e kemi adoptuar edhe në statut. Meqë ka një trajtim të veçantë, absolutisht nuk ka asnjë ndalesë që kreu i PS të jetë dhe deputet.
Partia Demokratike i ka fituar zgjedhjet e fundit duke ditur të ndërtojë një koalicion fitues. A mendoni se nuk po funksionon koalicioni opozitar?
Jo, përkundrazi, unë mendoj se ky koalicion kështu siç është, është funksional mjaftueshmërisht për të shkuar në zgjedhje dhe për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Absolutisht që ky koalicion nuk është i mbyllur dhe smund të jetë kurrsesi i mbyllur, një gardh përtej të cilit nuk mund të shkohet. Partia Socialiste e ka derën hapur, por dhe koalicioni e ka derën hapur për cilindo që nuk gjendet në maxhorancë dhe qeverisje.
Duket se dera është e hapur për largime, si zoti Ndoka, zoti Dule i fundit?
Koalicioni është i hapur për këdo që nuk e gjen veten më të përfaqësuar me këtë qeveri. Dhe kjo nuk vlen vetëm për partitë politike, cilado qoftë pesha e tyre specifike në elektorat, por vlen për grupime shoqërore, siç vlen për çdo qytetar që nuk e ndien më veten të mirëqeverisur nga kjo maxhorancë, ose nga ky pushtet më saktë. Unë nuk di të ketë largime nga koalicioni opozitar. Koalicioni është po ky dhe funksionon.
Në një shkrim të zotit Blushi te Panorama theksohej nevoja për ti bërë të varfrit shtresë të mesme, por si mund të bëhet kjo nëse nuk nxitet punësimi?
Zoti Blushi ka nxitur një debat që është shumë i shëndoshë për vlerat në të cilat ne besojmë dhe është një debat i domosdoshëm, edhe pse i japim luksin Saliut të konsiderohet ideologjikisht i djathtë dhe që nuk është, por gjithsesi, ne këtë debat të shëndoshë e zhvillojmë pikësëpari brenda PS, siç kemi filluar ta bëjmë e më pas me shoqërinë. Një nëpunës i administratës që ka një rrogë x, nuk e shfrytëzon shtetin sa e shfrytëzon një biznesmen, ndaj nuk ka si paguan njëlloj për të mbajtur shtetin. Për sa kohë një biznesmen e shfrytëzon për biznes dhe infrastrukturën publike duke e përdorur më shumë se një punonjës i administratës publike, nuk mund të paguajë njëlloj. Siç detyrimi moral i një biznesmeni që përfiton nga tenderat publikë, nga paratë e taksapaguesve, të shtresës së mesme dhe të varfër, shtresa që janë në shumicë në Shqipëri, moralisht ke detyrim të paguash më shumë për të mbajtur shtetin. Dhe pikërisht kjo shtresë e mesme, e cila duhet ndaluar së rrëshqituri në varfëri, duke u përpjekur me taksën progresive dhe incentivat financiare që të varfrit ti nxjerrim nga kulmi i varfërisë duke i kategorizuar, vetë ekonomia bëhet më e fortë. Kush thotë sot se taksa progresive penalizon rritjen ekonomike, e ka gabim.
Si do ta frenoni që një anëtar i shtresës së mesme të mos bjerë në varfëri?
Kjo fillon me heqjen e taksës së sheshtë dhe aplikimin e taksës progresive, që do të thotë: ti paguan proporcionalisht në raport me shkallën e pagës në skaletën e pagave, sido qofshin ato. Dhe, nga ana tjetër, sistemi i taksës së sheshtë nuk është i ndershëm, por përkundrazi, është në një farë sensi, është sistem që penalizon ata që fitojnë më pak dhe favorizon ata që fitojnë më shumë. Taksa progresive nuk është për të sulmuar ata që fitojnë më shumë, por është për të mbrojtur ata që fitojnë shumë më pak, ose aspak.