E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta, Personaliteti më pozitiv për politikën e jashtme gjatë 2010

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, mori Çmimin Ndërkombëtar si Personaliteti më pozitiv për politikën e jashtme gjatë vitit 2010 nga Instituti për Studime Ballkanike dhe Lindjen e Mesme, IFIMES, me qendër në Lubjanë. Zyra e shtypit e LSI-së bëri të ditur se gjatë ceremonisë me rastin e 10-vjetorit të krijimit të Institutit IFIMES në Lubjanë, çmimi iu dorëzua z. Meta nga z. Stjepan Mesiç, ish-president i Kroacisë, njëkohësisht President Nderi i IFIMES. Meta u vlerësua si personaliteti më pozitiv për vitin 2010, në kohën kur ishte zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për kontributin e tij pozitiv dhe real në mbarëvajtjen e politikës së jashtme të Shqipërisë dhe për ndikimin e tij personal dhe institucional për forcimin e marrëdhënieve të mira rajonale dhe të fqinjësisë së mirë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjatë fjalës së tij, lideri i LSI-së, pasi falënderoi Institutin IFIMES dhe presidentin Mesiç për këtë çmim, u shpreh krenar për politikën që Shqipëria ka ushtruar me fqinjët, ndërkohë vuri në dukje që e ardhmja e Shqipërisë është BE. Meta vuri në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë kyç për të ardhmen e rajonit, ndërkohë që përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova sot është e pavarur. Bashkimi Evropian po përgatit një udhërrëfyes për liberalizimin e vizave si dhe një studim fizibiliteti për nisjen e MSA. E përshëndes marrëveshjen e fundit të arritur mes Serbisë dhe Kosovës si një hap përpara, por tani pikat e marrëveshjes duhen implementuar në terren, me respekt reciprok, theksoi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›