Rama në Departamentin e Shtetit: Jam i frymëzuar nga takimi

Rama dje pas takimit në Departamentin e Shtetit
Takon në SHBA zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit për Europën, Reeker dhe kongresmenë të njohur.
Kreu i PS pritet në Departamentin e Shtetit: Energji pozitive.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, takoi dje zëvend-ësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën, Philip Reeker. Pas këtij takimi, i cili mësohet se u zhvillua me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit, kreu socialist u shpreh se ishte një takim gjatë të cilit u diskutuan shumë çështje që kanë të bëjnë me demokratizimin e mëtejshëm të Shqipërisë. I pyetur nga mediat pas takimit rreth mesazhit që Departamenti i Shtetit ka për opozitën në Shqipëri, Rama u shpreh: Për këtë duhet të pyesni Departamentin e Shtetit. Por unë mund tju them se jemi jo vetëm të kënaqur, por edhe të frymëzuar nga ky takim, u shpreh Rama. Në këtë takim, Rama shoqërohej nga deputeti Ditmir Bushati dhe drejtori i zyrës për marrëdhëniet me jashtë në PS, diplomati Roland Bimo. Kryetari i Partisë Socialiste vlerësoi se ishte një takim shumë miqësor. Ishte një takim shumë, shumë pozitiv, me energji shumë pozitive, me shumë çështje për të diskutuar në mënyrën më të hapur dhe në mënyrën më miqësore. Dhe ishte një tjetër gur i rëndësishëm në murin e miqësisë, të bashkëpunimit, të komunikimit intensiv për të çuar përpara të gjitha proceset që kanë të bëjnë me integrimin europian të Shqipërisë, që kanë të bëjnë me demokratizimin e mëtejshëm të vendit, që kanë të bëjnë me rolin e Shqipërisë në rajon dhe që kanë të bëjnë, në fund të fundit, me Shqipërinë që duam si aleate të SHBA-ve, por dhe si një vend që duhet të mishërojë vlerat që mishëron aleati ynë më i madh, u shpreh Rama. Pas takimit në Departamentin e Shtetit me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën, Rama është takuar në Kongresin Amerikan me kongresmenët Engel dhe Peters. Në një mesazh të postuar në Twitter, kreu socialist shkruan: Një bisedë shumë miqësore me kongresmenët Engell e Peters, ku folëm për programin tonë të ri dhe gjendjen në Shqipëri përgjithësisht. Një takim special me yllin e futbollit amerikan kongresmenin Heath Shuler, ku folëm për programin tonë të sportit në shkollë. Me kongresmenin Meeks folëm për Shqipërinë si aleat i palëkundur i ShBA dhe rëndësinë e demokratizimit të mëtejshëm të vendit tonë. Kreu socialist ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej datës 15 mars, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, studentë, por dhe dashamirës të Shqipërisë.
Takimi në Bankën Botërore
Kreu socialist, Edi Rama, në turin e tij të takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi një takim dhe në Bankën Botërore, ku shoqërohej nga Anastas Angjeli dhe Ilir Beqja. Në Bankën Botërore për të nxitur mbështetjen buxhetore për Shqipërinë si një instrument lehtësues për masat e domosdoshme antikrizë, shkruan Rama në profilin e tij në Twitter.
ARISTIR LUMEZI