E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shkurtime të mëdha shpenzimesh,rritje pensionesh

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha u shpreh se buxheti i ri pritet të dërgohet në Parlament me shkurtime të shpenzimeve deri më 25%.

“Programi i qeverisë mbetet i pa prekur në rrafshin e rritjes së rrogave dhe pensionit. Programi do të njohë kufizime të tjera drastike në shpenzimet e tjera, sepse një politik e kujdesit të veçantë është e domosdoshme. Një politik e cila duhet të ruaj me çdo çmim treguesit makroekonomik është në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe ne siç kemi lajmëruar do të çojmë buxhetin në parlament për të shkurtuar ndjeshëm shpenzimet. Ato do të shkurtohen me 25% në të gjitha fushat, sepse ky është një imperativ që ne duhet t’i përgjigjemi”, tha kryeministri para pak momentesh.

Duke folur për krizën ekonomike botërore dhe ndikimin e saj në ekonominë tonë, kreu i qeverisë ka sqaruar se kriza financiare globale është pasqyruar në ekonominë tonë, por siç theksoi po merren të gjitha masat që pasojat të jenë sa më të vogla.

“Nuk duhet ta fsheh, se tregu evropian i bonove të thesarit është në situatën më të pashembullt. Pa përjashtim të gjitha vendet që u paraqitën për bono që të gjitha u tërhoqën, sepse disa probleme të thella të krijuara në zonën e euros kanë krijuar pasiguri të madhe me asnjë lidhje për ekonominë shqiptare dhe nga këto ekonomi që u tërhoqën, por vetëm për shkak të evidentimit të një borxhi shumë të madh të disa vende të BE-së që kanë mbi 150% të prodhimit të brendshëm të tyre”, tha më tej ai. Për sa i përket rritjes së pensioneve, Berisha tha se ato do të rriten me 10% në fshat dhe 6% në qytet, ndërkohë që pensionet e larta dhe suplementare do të rriten me 4%.

“Nga kjo rritje përfitojnë afërisht 200 mijë pensionistë. 170 mijë pensionistë të fshatit do të ketë një rritje me 10% ndërkohë që pensionet e larta dhe ato suplementare do të rriten me 4%. Pas një përpjekje serioze u arrit që qeveria të vendos për rritje të ndjeshme të pensioneve, ato të fshatit për rritje dyshifrore, ndërkohë që pensionet janë ngrirë dhe madje janë reduktuar në shumicën e vendeve të Evropës. Natyrisht ku vendim nuk merret pa vështirësi. Nuk është se kriza evropiane ka pasqyrimin e saj në ekonominë shqiptare por ky vendim merret në përputhje me fjalën e dhënë nga qeveria”, tha Berisha.

Ai shtoi se mund të ketë motiv më të madh moral se sa dhembshuria ndaj atyre që kanë nevojë në marrjen e këtyre vendimeve, që siç ka theksuar ai merren në kundërrymë. Kryeministri shtoi se gjatë kësaj jave, Ministria e Financave do të sjellë vendimin për rritjen e rrogave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›