Pediatria, 400 fëmijë në urgjencë me viroza stine
Tri ditët e fundit, urgjenca e spitalit pediatrik në kryeqytet ka qenë e tejmbushur. Një virozë stinore, sipas mjekëve, po qarkullon te fëmijët e moshave 0-3 vjeç. Gjatë fundjavës janë paraqitur më shumë se 400 të vegjël me temperaturë e të vjella. Spitali ka pasur fluks pacientësh, jo vetëm gjatë ditës por edhe gjatë natës. "Shumë fëmijë e kalojnë vetëm me temperaturë, por ka të tjerë që duhen shtruar patjetër për disa ditë, pasi kanë të vjella dhe domosdoshërisht duhet të marrin serum", shprehen mjekët e urgjencës. Sipas tyre, prindërit nuk duhet të neglizhojnë shenjat e këtyre virozave që kryesisht janë temperatura dhe të vjellat. "Edhe për një temperaturë rreth 37 gradë, prindërit duhet të konsultohen me mjekët, pasi kemi shumë raste që vijnë vetëm atëherë kur temperatura kalon 39 gradët", thonë mjekët. Ata theksojnë gjithashtu se viroza që po qarkullon nuk është e rëndë dhe ka komplikacione, vetëm në raste të veçanta. Po kështu, gjatë dy javë të fundit spitali "Nënë Tereza" ka pasur fluks fëmijësh që vuajnë nga alergjitë. "Problemet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë me evidente në këtë periudhë, të cilat shoqërohen me teshtima, rrufë si dhe bllokim të hundëve", thonë mjekët pediatër. Ata shtojnë se ndryshe nga 15 vite më parë, është rritur numri i fëmijëve të moshës 1 deri në 15 vjeç të prekur. Ndërkohë, mjekët pohojnë se personat që janë alergjikë, por që nuk mjekohen, shpesh kalojnë në astmë bronkiale. Mjekët tregojnë se në zonat rurale është shumë i lartë numri i personave alergjikë, që kanë kaluar në astmë bronkiale. "Këshillojmë që prindërit të konsultohen me mjekët e familjes për çdo problem të fëmijëve të tyre, pasi shpesh alergjitë ngatërrohen me virozat e stinës", thonë mjekët. Alergjia në të shumtën e rasteve, sipas mjekëve, manifestohet me teshtima të shpeshta, të herë pas hershme, kullim, kruajtje, skuqje dhe bllokim të hundëve. Por shpesh herë kanë edhe kruajtje të syve dhe skuqje të tyre.