E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria do bëhet prodhuesit i arrorëve dhe ullinjve

TIRANË-Kryeministri Sali Berisha shprehu sot vendosmërinë e qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në një prodhues të përfillshëm të vajit të ullirit në rajon dhe më gjërë, vaj, i cili, sipas tij, ka një treg të përjetshëm për shkak të brezit gjeografik ku kultivohet.
Gjatë vizitës në një serë ullishteje në Valias, në periferi të Tiranës, shefi i qeverisë theksoi se në këtë proces të rëndësishëm synojmë të mbjellim në 4 vite 20 milionë rrënjë ullinj.
"Në këtë serë janë trajtuar të gjitha varietetet e ullinjve të zonës së Shqipërisë së Mesme, varietete me cilësi të shkëlqyera", tha Berisha, ndërsa nënvizoi se "në dy vite numri i rrënjëve të ullinjve ka arritur në 10 milionë, ku 1/3 e subvencionon qeveria, kurse 2/3 i mbjell dashuria e njeriut për ullirin".
Kryeministri Berisha vuri në dukje se krahas këtij projekti, këtë vit ka nisur edhe projekti i arrorëve, ku është dëshmuar një interes i madh, veçanërisht në rrethe me potenciale të mëdha arrore.
"Projekti i arrorëve do jetë disa herë më masiv se sa projekti i ullirit, pasi në raste se ulliri mbillet dhe mund të mbillet në një territor prej 20% të sipërfaqes së vendit, arrrorët mbillen dhe mund të mbillen në çdo pëllëmbë të kësaj toke, deri në lartësinë 700 metra", tha Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se Shqipëria ka një potencial të pakrahasueshëm me arrore, e cila mund dhe do të bëhet një nga prodhuesit më të rëndësishëm të arrorëve në rajon dhe më gjerë.
Ai bëri të ditur se këtë vit fillon edhe mbjellja e plantacioneve të arrorëve, me të cilat kapacitetet mbjellëse duhet të jenë të paktën 200 herë më shumë se rrenjët ekzistuese.
"Nuk ka ndoshta projekt më të rëndësishëm në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm rural të këtij vendi, pas ndërtimit të infrastrukturës, se sa orientimi drejt drurëve frutorë arrorë", tha Berisha, duke shtuar se "po mobilizojmë fonde në shumë aspekte për të mbështetur fuqishëm këtë projekt".
Gjithashtu Kreu i Ekzekutivit shprehu vendosmërinë që "pas rrugëve që janë jetike, projekti i dytë i madh do të jetë vaditja, që femerëve të këtij vendi me ujë, t'u japim mundësi që të vadisin me metoda më moderne".
Ai e cilësoi me rëndësi që në këtë proces, ministria e Bujqësisë të transformohet tërësisht dhe të rindërtojë të gjitha strukturat në mbështetje të fuqishme të këtyre dy projekteve madhore kombëtare.
Shefi i qeverisë e cilësoi me rëndësi që "Universiteti Bujqësor dhe qëndrat e studimit të ministrisë, duhet të fuqizojnë të gjitha potencialet për zhvillimin e këtyre sektorëve, nga studimet molekulare deri tek konservimi i frutave dhe rritja e prodhimit".
Në përfundim Kryeministri Berisha tha se "jemi në fillimet e një Shqipërie tjetër, e cila, dora dorës do të bëhet kopshti më i bukur dhe më i madh i drurëve frutorë në Europë".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›