Digjen magazinat, dëmi i shkaktuar kap vlerën e 1 milion euro
VLORË- Një milion euro mendohet të jetë dëmi i shkaktuar nga djegia e magazinave të AZA Elektroniks në qytetin e Vlorës. Flakët e zjarrit kanë shkaktuar zjarrin në magazinën e vendosur pranë ish NTAN-it, ku mendohet se shkëndija elektrike ishte zanafilla e përhapjes me shpejtësi të vatrave të zjarrit, në të gjithë katin e dytë të magazinave të kësaj kompanie. Gjithçka ndodhi në orët e pasdites së djeshme. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e shërbimit zjarrfikës, ku katër automjete të këtij shërbimi nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin. Të rrezikuara nga zjarri ishin dhe ambientet e katit të parë të kësaj kompanie. Flakët kanë përpirë të gjitha pajisjet e kompanisë AZA elektroniks, pajisje elektro-shtëpiake, si frigoriferë, lavatriçe, soba, kondicioner dhe pajisje të tjera, ku dëmi i shkaktuar nga përllogaritjet e pronarëve shkon, sipas tyre, në një milion euro. Godina dykatëshe ndodhet tek ish-magazinat e vjetra të NTAN-it pranë rrugës Transballkanike në qytetin bregdetar.
Vështirësitë
Zjarri është parë rreth orës 14:45, menjëherë është lajmëruar zjarrfikësja, pasi magazina ka qenë plot me mall, të cilat kanë qenë kryesisht elektro-shtëpiake. Në katin e dytë ku ka qenë vatra e zjarrit ka pasur kryesisht soba elektrike dhe me gaz, kondicionerë, aspiratorë, etj. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zjarrfikësit kanë pohuar se situata është shumë e vështirë dhe nuk dihet nëse mund të shpëtonin materialet. Katër mjete zjarrfikës janë përpjekur që të lokalizojnë vatrën e zjarrit, duke mos lejuar përhapje të mëtejshme të saj. Por për fat të keq, brenda në magazinë ka pasur shumë materiale dhe zjarrfikësit e kanë pasur shumë të vështirë t’i kalonin ato për të arritur deri te vatrat e zjarrit. Eshtë dashur të paktën një orë që të shuheshin flakët. Ndërkohë përfaqësuesit e biznesit të dëmtuar kanë pohuar se dëmi është kolosal dhe nuk kanë ditur të japin një përgjigje se cili ka qenë shkaku që iu solli një dëm shumë të madh. Ndërsa nga policia mësohet se paraprakisht po hetohet si shkak i zjarrit një shkëndijë elektrike, ndërsa zyrtarisht nga ana e policisë ende nuk ka një variant zyrtar.
Kamioni
Ndërsa po dje djegia e një kamioni, që po kalonte në tunelin e Komanit, ka sjellë bllokimin për rreth 1 orë të qarkullimit në të. Ka qenë ora 13:45, kur në tunelin e rrugës që të çon te tragetet e Komanit, ka rënë zjarr. Vatra e zjarrit është shfaqur në karrocerinë e një kamioni me targë BB 373 ËT, në pronësi të shoqatës “Energy Sorisi e Piloteve të Motorrëve”, që është djegur aksidentalisht, pasi karroceria e lartë e tij ka takuar kabllot e energjisë elektrike. Policia ka bërë bllokimin e qarkullimit të mjeteve në dy anët e tunelit ndërsa zjarrfikëset e shkuara nga Shkodra kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Kamioni është djegur plotësisht ndërsa dëme në njerëz nuk ka patur . Pasi është shuar zjarri është bërë dhe largimi i pjesëve të djegura duke e liruar tunelin dhe rivendosur qarkullimin në të.