E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit burg për ish kreun e Omonias për varret në Boboshticë

SHKRUAN: Irena Vreto 10-06-2011 11:05

Korçë- Togat e zeza të juglindjes dënojmë me 12 muaj burg ish kreun e Omonias në Korçë. Çështja “Boboshtica”, e bërë e njohur nga mediatizmi i madh i saj, ka marrë fund gjatë mesditës të së enjtes në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë. Naum Disho ka marrë vendimin e trupit gjykues që e ndëshkon atë me plot 1 vit burg për veprën penale “Dhunim i varreve”, ndërkohë që dy punëtorët të përfshirë në këtë skandal janë dënuar me nga 1 vit burg me kusht.

Vendimi

Natyrisht që vendimi i gjykatës ka shkaktuar reagime të forta dhe indinjatë tek i pandehuri kryesor, Naum Disho, banor i qytetit të Korçës, i cili ka drejtuar deri pak kohë më parë organizatën Omonia, nga drejtimi i të cilës u shkarkua vetëm pas skandalit që tronditi krejt opinionin publik, gjatë muajit tetor të vitit të kaluar. Gjatë mesditës të së enjtes ka përfunduar gjykimi i çështjes së dhunimit të varreve, teksa gjykata e juglindjes ka shpallur fajtor ish-kreun e Omonias. Trupi gjykues dënoi Naum Dishon me 1 vit burg. Gjithashtu, në fund të këtij procesi u shpallën fajtorë edhe 2 punëtorët, të cilët kryen punime të paligjshme duke dhunuar varrezën e hershme të fshatit të njohur vetëm 5 kilometra larg Korçës, brenda territorit të Kishës së Shën Marisë. Për dy të pandehurit, Luan Zaçe dhe Alqi Koroveshi, u dha dënimi me 12 muaj liri me kusht nga ana e gjykatës.

Reagimi

Vendimi ka ngjallur mjaft tension në sallën e gjykimit, në mënyrë të veçantë nga i pandehuri kryesor i çështjes dhe të njohur dhe miq të tij që ishin prezentë gjatë kësaj seance. “Ky është një vendim i turpshëm politik dhe i ndikuar nga origjina ime vllaho-greke”, ka deklaruar pas seancës për median ish-kreu i Omonias në Korçë, Naum Disho. Për të kjo që ka ndodhur është cilësuar si një farsë, ndërsa Disho ka vazhduar të këmbëngulë se varreza gati 100-vjeçare e Boboshticës nuk është dhunuar, por aty është hedhur një bazament betoni dhe janë ndërtuar disa shkallë që i kanë dhënë një imazh më dinjitoz varrezës. Skandali i dhunimit të varreve për të cilat banorët e fshatit kanë vënë alarmin se eshtrat e të parëve të tyre kanë dalë në sipërfaqe u zbulua në muajin tetor të 2010. Ndërtimi i një memoriali për dy ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke të viteve ’40 ka qenë shkaku i ndërhyrjes në varrezë, shpenzimet e të cilit sipas dëshmive në prokurori por dhe gjatë gjykimit i ka marrë përsipër ti ketë kryer vetë ish kryetari i Omonias. Sipas banorëve të Boboshticës, në ato varreza nuk ka pasur të varrosur asnjë ushtar grek, ndonëse ky version rrëzohet nga pjesa tjetër e banorëve që thonë se në këtë varrezë janë eshtrat e një ushtari që është varrosur nga kisha e fshatit, pasi mbeti i vrarë në luftë. Menjëherë pas skandalit, prokuroria nisi hetimet kryesisht, ndërsa dosja me të pandehur kreun e Omonias në Korçë dhe 2 punëtorët që u dërgua në Gjykatë, gati një muaj më vonë, në nëntor 2010, pas hetimeve të kryera nga organi i akuzës, është mbyllur i gjithë procesi i gjatë për një nga çështjet më të përfolura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›