Berisha: Shqipëria do ndihmojë vendet arabe në konsolidimin e demokracisë
Sali Berisha, kryeministri i Shqipërisë ka zhvilluar sot një takim me Luka Volonten, President i Grupit të Partive Popullore Evropiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Berisha ka shprehur konsideratë për Këshillin Evropës në ndihmën që po jep në forcimin e demokracisë në vendet e botës arabe.
Kreu i qeverisë shqiptare ka nënvizuar se pranvera arabe u ka hapur këtyre vendeve një këndvështrim të ri mbi shpresën, lirinë dhe demokracie dhe se vlerat e KE do të shërbejnë si një model për progresin demokratik të këtyre vendeve.
Nga ana tjetër Berisha ka garantuar se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në konsolidimin e demokracisë në vendet arabe dhe do të inkurajojë respektimin e të drejtave të njeriut edhe pas marrjes së Presidencës së Këshillit të Ministrave në Këshillin e Evropës vitin e ardhshëm.
Shqipëria merr presidencën e Komitetit të Ministrave të KiE-së me 14 maj të vitit 2012 dhe do ta mbajë deri në nëntor të atij viti. Aktualisht këtë presidencë e mban Britania e Madhe dhe pas Shqipërisë do ta marrë Andora. KiE ka 47 vende anëtare ndërsa vendi ynë është bërë anëtare me 13 korrik të vitit 1995.
Redaksia OnLineFlorenc Stafa