Arvizu: Jam i shkurajuar nga kapja e ligjit. Eksperimenti demokratik në Shqipëri është në vazhdim
-Ambasadori amerikan flet për gazetën Shqip. Çështja e Presidentit të ri do të jetë shumë e vështirë vitin e ardhshëm
Bisedoi: Aleksandër Çipa
Z. ambasador, si e vlerësoni demokracinë në Shqipëri dhe në veçanti, demokracinë institucionale?
Kur ju thoni demokraci institucionale, më jepni mundësi të reflektoj dhe të riformuloj pyetjen, pasi eksperimenti demokratik në Shqipëri është në vazhdim. Mendoj që ka pasur shumë progres gjatë kësaj periudhe 20-vjeçare, por ajo që më shqetëson mua është fakti se në Shqipëri mungon ende ajo, që unë do ta quaja tradita liberale. Shumë prej strukturave bazike të demokracisë janë të formuluara; kemi një shtyp të gjallë, kemi OJF aktive. Jam gjithashtu i kënaqur që shoh se Parlamenti funksionon. Po flasim jo për pamjen e jashtme, por për elementë funksionalë në një shoqëri. Dhe ajo që mungon është kultura demokratike, respekti për institucionet, sjellja profesionale e personave që punojnë në këto institucione. Kjo pra është diçka që ka ende nevojë për përmirësim dhe duhet punuar për të.
Para pak kohësh, në një konferencë për demokratizimin në Tiranë, ju u shprehët duke iu drejtuar lidershipit politik me pohimin: e shkuara nuk mund të përdoret më si justifikim për dështimet e Shqipërisë. Cilët prej protagonistëve të lidershipit aktual të vendit po e përdor të shkuarën si justifikim?
Mendoj kur unë i referohem lidershipit, në të vërtetë i referohem niveleve të larta të koalicionit qeverisës, por gjithashtu edhe koalicionit të opozitës, sepse ata përfaqësojnë drejtimin politik të vendit. Megjithatë, unë kam parasysh se ata që janë në koalicionin qeverisës kanë një detyrim të veçantë, pasi janë ata personat që u është besuar fuqia administrative, e pra, ata kanë një përgjegjësi më të madhe. Ndërsa kur flas për periudhën 20-vjeçare dhe për atë si e perifrazuat ju – E shkuara nuk mund të përdoret si justifikim për të ardhmen, e kam në fakt me një kuptim të gjerë të fjalës. Por gjithsesi është përgjegjësi e qeverisë që të drejtojë dhe të udhëheqë.
Cili është vlerësimi juaj për cilësinë dhe standardet e ofruara nga administrata aktuale në Shqipëri?
E keni fjalën për administratën qeverisëse?
Po, për atë, por edhe për administratën në përgjithësi.
Mendoj që kemi një tablo të përzier. Para së gjithash shqiptarët duket se e duan shumë politikën dhe kjo është gjithmonë një shenjë e mirë, sepse tregon që njerëzve u intereson, pra janë të angazhuar. Por ajo që më shqetëson mua janë vetë aktorët politikë, ose njerëzit, të cilët votojnë në zgjedhje. Në të vërtetë, fokusi më i madh i politikës hidhet në kahun që duhen zgjedhur apo përzgjedhur njerëzit, apo intriga që përfshin politikën dhe kjo është tërheqëse, e këndshme. Por ajo që do ta quaja buka dhe djathi në politikë është administrata, është të ofruarit e shërbimeve, e të qenit të përgjegjshëm ndaj qytetarëve për qytetarët dhe mendoj se kjo është pjesa që më shqetëson mua para së gjithash. Është, me sa duket, e lehtë të mund të entuziazmohesh për zgjedhjet, për këtë apo për atë intrigë, por qeverisja e ditëpërditshme, e cila mund të duket e mërzitshme është gjëja më e rëndësishme në një demokraci. Kush do ti ofrojë shërbimet, arsimimin, kujdesin shëndetësor, lufta kundër korrupsionit? Të gjitha këto janë të rëndësishme. Nuk duket sikur zëri i njerëzve dëgjohet mjaftueshëm. Gjithë kohën ne flasim për zgjedhjet e 2013-s ose njerëzit flasin se kush do të jetë Presidenti në vitin 2012. Unë e kuptoj këtë, por do të doja që të kishte një diskutim më të përqendruar, që politikanë, apo drejtuesit të shtrëngoheshin tu përgjigjeshin disa pyetjeve më të vështira, që i përkasin qeverisjes së përditshme, tani, jo për diçka që do të ndodhë një apo dy vite më pas.
Z. ambasador, në Shqipëri flitet shpesh për të drejtat e njeriut dhe natyrisht që ka një progres të vlerësuar. Por kur bëhet fjalë për të drejtat e punonjësit dhe sidomos për ligjshmërinë brenda administratës publike, ankesat janë të shumta. Madje shpesh konstatohen raste arbitrariteti dhe dhune, si ai i dy punonjësve të Bashkisë së Tiranës. A keni pasur ankesa dhe nëse po, cili është gjykimi juaj për këto aspekte që u përmendën?
Këtu ka tri pika; së pari kam dëgjuar këtë rast që ju përmendët. Më kujtohet që ka pasur raportime, lajme për këtë. Dua të jem i sinqertë, kam dëgjuar në rrëfime të ndryshme; të them të vërtetën kam dëgjuar ai tha, ajo tha…Por është përshtypja ime që kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, po bën përpjekjet në mënyrë që të duket i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, sepse fushata e tij kultivoi idenë e një personi dhe drejtuesi që do ti kushtojë më shumë vëmendje njerëzve. Por gjithsesi kjo u përket votuesve që të vendosin sa i përket kësaj gjëje. Gjithsesi më duket mua sikur ai është përpjekur enkas për tu dukur më i përgjegjshëm ndaj nevojave të qytetarëve. Pika më e rëndësishme është përgjegjshmëria e administratës publike dhe unë mendoj se aty rrëfimet janë sërish miks; ndjesia që më ka përftuar nga udhëtimet anembanë vendit është se sa më të vogla të jenë njësitë administrative, në disa raste, aq më të mëdha janë mundësitë për të marrë një përgjigje, pasi njerëzit e njohin njëri-tjetrin. Por gjithsesi, edhe në vendet e mëdha si Tirana, njerëzit e njohin se kush është personi tjetër, por me gjithë këtë, ka raste që cilësia e përgjigjes nga administrata, varion në vende të ndryshme. Ende ka shumë patronazh, që do të thotë, se personi që ti njeh, ka më shumë vlerë sesa thjesht zbatimi i ligjit apo procesi gjyqësor. Nëse ti njeh dikë që është zemërmirë dhe ka shumë energji, atëherë shumë mirë që e njeh. Por nëse personi që është në krye, nuk është një njeri i mirë, i mençur, me përvojën e duhur, duket sikur mbetesh në mëshirën e tij dhe të atyre që e rrethojnë. Kështu që mendoj se mungesa e llogaridhënies, e transparencës në administratën publike, është një shqetësim i madh.
Në daljet tuaja publike, shpesh përmendni rastet e Kroacisë dhe Sllovenisë dhe i kërkoni Shqipërisë zyrtare që të ndjekë këto shembuj. A ka reagime nga institucionet shqiptare për tiu afruar këtyre shembujve që ju referoni?
Në fakt u referohem këtyre dy vendeve në mënyrë specifike për një arsye. Ka shumë ndryshime mes rastit të Shqipërisë dhe tyre. Të dyja këto kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, të dyja kanë nisur nga një bazë ekonomike më e mirë sesa Shqipëria. Por pika në ngritjen e këtyre dy rasteve, konsiston se të dyjave u është dashur që të ngadhënjejnë mbi vështirësi të caktuara. P.sh në rastin e Sllovenisë ka pasur një problem me Kroacinë që ka të bëjë me territorin, ndërsa Kroacia ka qenë përfshirë në një luftë shumë të madhe në vitet 90. Kështu që pavarësisht se kushtet ekonomike i kanë pasur shumë më të mira sesa Shqipëria, ka pasur çështje të tjera që u është dashur ti kapërcejnë. Ndërsa në Shqipëri, njerëzit përqendrohen shpesh te vështirësitë e ngërçit mes