Berisha: Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje për një proces zgjedhor të denjë për një vend anëtarë në NATO
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbrëmje se "zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit janë një test shumë i rëndësishëm për vendin", ndërsa garantoi se "do të bëhet çdo përpjekje që ky të jetë një proces i denjë për një vend anëtar të NATO-s". Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kryeministri Berisha dha dje në mbrëmje një pritje në Pallatin e Brigadave me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe përfaqësues të partive politike në vend. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha siguroi se "nëpërmjet bashkëpunimit me të gjitha forcat politike do të realizohet një proces i denjë për një vend anëtar të NATO-s. Vendi im është përpara një testi shumë të rëndësishëm dhe këto janë zgjedhjet e përgjithshme. Për çdo vend zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, por për vendet që kanë pasur probleme me zgjedhjet, ato janë edhe shumë herë më të rëndësishme", u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri i shprehu mirënjohjen më të thellë të gjitha vendeve anëtare të NATO-s për solidaritetin dhe ndihmën e jashtëzakonshme që ata kanë dhënë për Shqipërinë. "Sot ne festojmë një eveniment, i cili 20 vite më parë ka qenë i paimagjinueshëm. Unë ju shpreh mirënjohjen për solidaritetin e jashtëzakonshëm që i keni dëshmuar këtij vendi dhe këtij kombi, në përpjekjen për ndërtimin e shoqërisë së lirë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut", tha Kryeministri Berisha, duke i'u drejtuar përfaqësuesve të trupit diplomatik të pranishëm në këtë ceremoni. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën realizimin e një projekti ëndërr për të gjithë shqiptarët, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se "Shqipëria i detyron Aleancës së Atlantikut të Veriut, më shumë se çdo gjë tjetër, çlirimin nga sistemi totalitar. NATO parandaloi një sovjetizim të Evropës. NATO bëri të mundur 10-vjet më parë që edhe shqiptarët të këndojnë më së fundi këngën e lirisë. Për çdo vend anëtarësimi në NATO është një akt madhor historik, por më shumë se për çdo vend tjetër është për Shqipërinë", u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, "nuk ka përgjigje më të shkëlqyer për të çelur një kapitull të ri në historinë tonë sesa anëtarësimi në NATO". Një mirënjohje të veçantë, Kryeministri Berisha i adresoi qeverisë së SHBA-së, Presidentit Obama dhe Ambasadorit Ëithers, ndihma e të cilëve ka pasur një rol përcaktues për shndërrimin në realitet të këtij projekti të madh për kombin tonë. Në këtë drejtim, Kryeministri garantoi se "do të bëhet çdo përpjekje për të shndërruar besimin e ndërkombëtarëve në një energji dhe motiv të madh, për konsolidimin në Shqipëri të vlerave dhe parimeve për të cilat NATO qëndron". I pranishëm në këtë ceremoni, Ambasadori amerikan në Tiranë, John Ëithers, e përshëndeti këtë arritje të Shqipërisë, ndërsa theksoi se "vendi kremton hapjen e një mundësie të madhe. Shumë vite më parë ne kemi bërë një përbetim me historinë dhe tani ka ardhur koha që ne ta shpengojmë atë. Ju dhe vendi juaj, e keni shpenguar këtë përbetim tuajin historik dhe keni arritur takimin tuaj me historinë. Ditë më të mira po vijnë për Shqipërinë dhe ne jemi vërtetë të bekuar që po i dëshmojmë së bashku këto dite", u shpreh Ambasadori Ëithers.
Fjala e plotë e kreministrit
Gjatë këtyre 17 viteve, në këtë Pallat kam pasur rastin të pres miq të shumtë në raste festash dhe datash të rëndësishme, por kjo e sotmja është për mua më e rëndësishmja, ndoshta, e të gjithë jetës time. Ne jemi mbledhur sot së bashku për të festuar një ngjarje që për vendin dhe kombin tim është më e rëndësishmja, që nga koha e pavarësisë deri më sot. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën realizimin e një projekti ëndërr për të gjithë shqiptarët.
Gjenerata ime i detyron Aleancës së Atlantikut të Veriut, më shumë se çdo gjë tjetër, çlirimin nga sistemi totalitar. Ishte NATO ajo që parandaloi një sovjetizim të Evropës. Ishte NATO që në mbrojtje të vlerave të lirisë së kombeve dhe të vendeve të lira, bëri të mundur që sistemi i vlerave të predominojë dhe ta shndërrojë Murin e Berlinit në një mur kashte.
Por, ne shqiptarët me Aleancën e Atlantikut të Veriut kemi një raport me specifik. Ishte Aleanca e Atlantikut të Veriut, e cila bëri të mundur 10-vjet më parë që edhe shqiptarët të këndojnë më së fundi këngën e lirisë. Për çdo vend anëtarësimi në NATO është një akt madhor historik, por më shumë se për çdo vend tjetër është për Shqipërinë. Kjo sepse ne kemi pasur një histori shumë të vështirë dhe të dhimbshme në udhëtimin tonë gjatë dekadave dhe shekujve në raport me sigurinë. Në kohën e komunikimeve intensive ne ishim, pothuajse, të bunkerizuar tërësisht dhe maksimumi i lajmeve që nxirreshin jashtë ishin më të papërshtatshmet. Por, nuk ka përgjigje më të shkëlqyer për të çelur një kapitull të ri në historinë tonë sesa anëtarësimi në NATO. Nuk ka shpërblim më të madh për ata që sakrifikuan dhe ranë për liri sesa anëtarësimi në NATO. Nuk ka trashëgimi më të madhe që ne mund ti lënë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë sesa anëtarësimi në NATO. Ndaj edhe unë shfrytëzoj këtë rast t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë ju, vende tuaja dhe taksapaguesve të vendeve tuaja.
Sot ne festojmë një eveniment, i cili 20 vite më parë ka qenë i paimagjinueshëm. Unë dua t’ju siguroj ju se ne nuk kemi fjalë me të cilat mund të shprehim mirënjohjen që ju meritoni, për solidaritetin e jashtëzakonshëm që i keni dëshmuar këtij vendi dhe këtij kombi, në përpjekjen për ndërtimin e shoqërisë së lirë, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Ju nuk duhet të çuditeni se pse unë shpreh herë përpiqem me veten time të gjej përmasat e kësaj ndihme dhe solidariteti, me miliarda euro, por në të gjitha rastet e gjej se ajo është e pallogaritshme.
Një mirënjohje shumë të veçantë dua t’i adresoj sot qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombit të madh amerikan, Presidentit Obama dhe ambasadorit Withers, ndihma e të cilëve ka pasur një rol përcaktues për shndërrimin në realitet të këtij projekti të madh për kombin tonë.
17- vjet më parë vizitova selinë e NATO-s dhe i paraqita Sekretarit të Përgjithshëm të asaj kohe, Manfred Ëörner, kërkesën time për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Sekretari Ëörner u tregua shumë fisnik, nuk nënqeshi me kërkesën time, sepse mund të nënqeshte në rast se do të kishte parasysh realitetin në të cilin ishte Shqipëria atë vit. Përkundrazi, ai e mirëpriti kërkesën me shumë entuziazëm. Më vonë, Presidenti Klinton adaptoi për vendet ish komuniste Partneritetin për Paqe, si një proces për të ecur drejt anëtarësimit. Ne shqiptarët patëm një privilegj të madh. Presidenti Bush themeloi Kartën “Adriatik 3” dhe na vendosi në një program së bashku me dy vende mike; Kroacinë dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Të dyja këto vende qartësisht më të zhvilluara sesa Shqipëria. Kjo u shndërrua në një motiv shumë të madh për autoritetet shqiptare që të procedojnë me reforma të gjithanshme, të cilat bënë të mundur këtë ditë.
Duke falënderuar me shumë mirënjohje, të gjithë zyrtarët, punonjësit dhe qytetarët shqiptarë për kontributin që kanë dhënë në këtë proces, unë ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje për të shndërruar besimin tuaj në një energji dhe motiv të madh, për konsolidimin në Shqipëri të vlerave dhe parimeve për të cilat NATO qëndron.
Vendi im është përpara një testi shumë të rëndësishëm dhe këto janë zgjedhjet e përgjithshme. Për çdo vend zgjedhjet janë shumë të rëndësishme, por për vendet që kanë pasur probleme me zgjedhjet, ato janë edhe shumë herë më të rëndësishme. Unë ju garantoj se me një fryme konstruktive bashkëpunimi me të gjitha forcat politike, do të bëjmë çdo gjë që ky proces të jetë një proces i denjë për një vend anëtar të NATO-s.
...