E Diel, 1 Nëntor 2026

Çekia zgjedh kryeministrin e ri të “krizës”, Jan Fischer

 

Një ekonomist pak i njohur është zgjedhur kryeministri i ri i Çekisë, që pretendohet të çojë me sukses deri në fund mandatin e qeverisë së tanishme, deri në zgjedhjet e reja në tetor. Jan Fischer u zgjodh dje për të drejtuar vendin, sidomos gjatë mandatit të Çekisë si president i Bashkimit Evropian. Fischer, kreu i paanshëm i Zyrës Çeke të Statistikave, do të zëvendësojë kryeministrin në largim, Mirek Topolanek, kabineti i qendrës së djathtë të të cilit u rrëzua muajin e kaluar në mes të presidencës çeke, që përfundon më 30 qershor. “Jam në dijeni se situata nuk është e lehtë, por unë jam i bindur se ju do ta bëni mirë punën që ju ngarkohet dhe jam i gatshëm t’ju ndihmoj për këtë”, tha Presidenti çek, Vaclav Klaus, pasi e caktoi atë si kryeministër gjatë një ceremonie të zhvilluar dje. “Kabineti im do të ketë detyrën të përmbushë të gjitha angazhimet nga presidenca e BE-së. Do të na duhet të minimizojmë edhe impaktin e krizës ekonomike mbi popullsinë çeke”, tha ai pas ceremonisë. Fischer tha se nuk kishte ambicie të mëtejshme politike dhe se do të rikthehej në zyrën e tij të statistikave sapo të kishte mbaruar misionin. Vendimi për të caktuar Fischer vjen pas disa javësh bisedime mes koalicionit të tre partive të qendrave të djathta dhe opozitës, të cilat rrëzuan nga pushteti kryeministrin Topolanek dhe kabinetin e tij pas një votëbesimi më 24 mars. Presidenti Klaus dje vlerësoi marrëveshjen e dalë nga rivalët politikë, të cilët ranë dakord të propozojnë tetë anëtarë kabineti nga shumica dhe shtatë nga Social Demokratët në opozitë, duke theksuar se asnjë nga ministrat aktualë nuk do të qëndronte në detyrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›