E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria e hapur për investimet katariote në fushën e energjisë

27-01-2013 / Gazeta 55

Kryeministri, takim me një delegacion të kompanive nga Katari: Qatar Airways së shpejti edhe në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti dje, në një takim, një delegacion të kompanive nga Katari, të shoqëruar nga ambasadori i Katarit në Shqipëri z.Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai.
Ambasadori i Katarit rikonfirmoi interesin që shteti i Katarit ka për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike përmes sipërmarrjeve të investimeve nga kompanitë katariane në Shqipëri. Kështu, edhe delegacioni përbëhej nga përfaqësues të kompanisë shtetërore për investimet Qatar Diar dhe nga kompani në fushën e energjisë dhe ujit, aviacionit, bujqësisë e minierave.
Kryeministri Berisha shprehu potencialin që Shqipëria ofron për investitorët katarianë në shumë fusha ekonomike me interes reciprok, sikurse në fushën e investimeve në pasuritë e paluajtshme, në fushën e energjisë për ndërtimin e hidrocentraleve, në fushën e bujqësisë në prodhimin e produkteve bujqësore e mbarështimin e gjedhëve. Potenciale zhvillimi paraqiten edhe në fushën e aviacionit, ku kryeministri shprehu gatishmërinë për dhënien e lirisë së pestë të ajrit në bazë të marrëveshjes shtetërore mes Shqipërisë e Katarit. Kështu do të mundësohet fillimi i operimeve të Qatar Airways në Shqipëri.
Së fundmi, kryeministri konfirmoi edhe njëherë angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të mundësuar iniciativa të suksesshme të investitorëve katarezë, në një mjedis ekonomik dhe rregullator liberal e tërheqës që Shqipëria ofron.
Haxhinasto: Kërkesa në rritje për energji dhe produkte minerare/Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, tha në takimin me delegacionin nga Katari, përfaqësues të lartë të Agjencisë Shtetërore të Minierave dhe Kompanisë Shtetërore të Energjisë dhe Ujit, se Shqipëria ofron potenciale të konsiderueshme për të investuar në energjinë e rinovueshme dhe sektorin minerar. Haxhinasto vlerësoi klimën pozitive të bashkëpunimit me Katarin, ndërsa pohoi se ky bashkëpunim do të konkretizohet me projekte të tjera midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Katarit. Ministri Haxhinasto përmendi mundësitë për bashkëpunim në projekte të rëndësishëm në sektorët kyç si energjia dhe minierat. Ministri Haxhinasto theksoi se këto janë sektorë me të ardhme e rritje të sigurtë, e cila mbështetet në nevojat aktuale të ekonomisë dhe konsumatorëve vendas, si edhe rritjen e pritshme të kërkesës për energji e produkte minerare si shtysë të rritjes ekonomike në vazhdimësi. “Sektori i energjisë në Shqipëri, është prioriteti absolut i qeverisë sonë, duke marrë në konsideratë potencialin e madh që ka vendi ynë në këtë sektor”- tha ministri Haxhinasto. Për të mbështetur investimet në energjetikë dhe sektorin minerar, ministri theksoi se janë marrë masa të rëndësishme, me qëllim shfrytëzimin sa më optimal të potencialeve që ka Shqipëria.

“Kryeministri shprehu gatishmërinë për dhënien e lirisë së pestë të ajrit në bazë të marrëveshjes shtetërore mes Shqipërisë e Katarit. Kështu do të mundësohet fillimi i operimeve të Qatar Airways në Shqipëri”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›