E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dhe Alibeaj shkëmbejnë replika për transparencën në çështjet e pronësisë



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ishte i pranishëm në një seminar të organizuar nga Avokati i Popullit për të drejtën e qytetarëve për informim, iu referua çështjes së pronësisë. Sipas Presidentit Topi, ka mungesë transparence dhe informimi ndaj qytetarëve për çështjet e pronësisë. “Një nga çështjet më të rëndësishme në Shqipëri, me të cilën jemi përballuar shumë në periudhën e tranzicionit dhe që vazhdojmë të përballemi, është çështja e së drejtës së pronës. Nuk dua të abuzoj me rimarrjen prapë në konsideratë të kësaj teme të rëndësishme, por po e marr në funksion të temës që po diskutojmë sot. Në mjaft raste, qytetarët janë të painformuar, nuk gjejnë aksesin e duhur për t’u informuar, shpeshherë këto veprime administrative edhe nga punonjës të rëndomtë të administratës bëhen në konspiracion pikërisht për të realizuar qëllime të errëta të tjetërsimit të pronës dhe në mjaft raste ky debat zhvillohet në media. Pra, është më i pranishëm në media pikërisht për shkak të mungesës së plotë të transparencës për marrjen e informacionit”, - është shprehur Topi. Ndërsa ministri i Drejtësisë e ka hedhur poshtë këtë konstatim duke bërë të ditur se institucionet e qeverisë kanë qenë transparente për këtë çështje. Më tej, Presidenti Topi ka vënë theksin në domosdoshmërinë e rritjes së transparencës nga institucionet, pasi, sipas tij, është më mirë të japësh informacion pasi në këtë mënyrë shmang debatet kaotike që vijnë për shkak të dezinformimit. “Sa më transparent të jetë një institucion, sa më transparent të jetë një person që mbulon një detyrë të rëndësishme, aq më pak e mundshme është që të ketë një dezinformacion lidhur me një çështje të caktuar. Dhe ju e dini që në momentin që futet një informacion i gabuar apo një dezinformacion, atëherë ngjallet një debat kaotik, që është shumë i vështirë të mbyllet. Dhe kjo e fut çështjen në një korrelacion, që i bën institucionet të jenë më të dobëta, i bën institucionet që të jenë padyshim në një situatë po aq kaotike”, - është shprehur Topi. Ai theksoi se e drejta për informim u takon edhe qytetarëve të thjeshtë, jo vetëm medias. “Unë besoj, që një nga momentet më të rëndësishme, që është tipar themelor i demokracisë, që nuk mjafton të themi që është referencë kushtetuese e vendosur në Kushtetutë, është pikërisht e drejta për informim. Ne trashëgojmë padyshim mjaft elementë nga periudha e tranzicionit demokratik, pa diskutuar pastaj që ne trashëgojmë një mentalitet, nga i cili tentojmë të largohemi me shpejtësi nga periudha e izolimit komunist, ku gjithçka ishte e censuruar, informacioni ishte i kontrolluar dhe e drejta për informim ishte vetëm privilegj i një grupi të caktuar personash, i një grupi të vogël njerëzish. Ne kemi mjaft të dhëna që e drejta për informim më shumë është pjesë e një fjalori, që përdoret që secili ka të drejtën të informohet, por nga ana tjetër kemi mjaft ankesa nga qytetarë të thjeshtë”, - është shprehur Topi.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›