Toka në përdorim, 100 biznese do të kthejnë trojet
Mbi 100 kompani shqiptare, ku edhe shteti është aksioner në minorancë, duhet të kthejnë një pjesë të tokës së marrë në përdorim kohë më parë, mbi të cilat kanë ndërtuar aktivitetin. Projektligji i hartuar nga qeveria ka mbërritur për diskutim në Komisionin e Ekonomisë. “Shteti u ka dhënë këtyre kompanive sipërfaqe të konsiderueshme toke, që në shumë raste tejkalojnë nevojat. Fondi që do të rrjedhë pas kësaj do t’u kalojë ish-pronarëve”,- u shpreh Alfred Rrushaj, këshilltar ligjor i METE-s. Ndërmarrjet, që cilave u kërkohet të kthejnë ose të paguajnë tokën, janë të sektorëve të ndryshëm. Opozita mendon se ligji është i paplotë dhe ka kërkuar më shumë informacion. “Kërkojmë të na sillni me emra pronarët që pretendojnë tokat dhe kompanitë. Dua të di edhe për gjendjen financiare të kompanive”, - u shpreh deputeti i PS-së, Erion Braçe. Qeveria ende nuk ka llogaritur sa është sipërfaqja e tokës që preket nga ky ligj dhe as fondin që do të përfitohet nga shitja e mundshme e saj.
10 Mars 2009