E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria jo krizë, ekonomia po ecën si duhet



Situata ekonomike shqiptare është paraqitur me notat më pozitive para panelit të investitorëve dhe të ftuarve të forumit të Krans Montanës, që po zhvillohet në Tiranë nga Kryeministri Sali Berisha. Kreu i Qeverisë, në hapje të aktivitetit bëri një përmbledhje të arsyeve se pse Shqipëria gjatë 2009-ës pati një performancë pozitive eko-nomike dhe mbi të gjitha panoramën favorizuese që po shfaqet gjatë muajve të parë të 2010. Rritja e eksporteve dhe situata e sektorit bankar janë bërë dy referencat e Berishës, për të treguar stabilitetin ekonomik në vend. "Eksportet e Shqipërisë në tre mujorin e parë të këtij viti janë rritur më shumë se 100 për qind. Eksportet e Shqipërisë në vendet e importit, janë rritur me 26 për qind. Kemi një rritje marramendëse me eksportet tona. Sistemi bankar është një nga sistemet më të shëndetshme në botë. Depozitat u rritën. Në sistemin tonë bankar, sot ka 780 miliardë lekë dhe janë kredituar rreth 45 miliardë lekë, që do të thotë se raporti depozitë-kreditim, është shumë më mirë se optimalja e parashikuar", u shpreh Kryeministri Berisha. Lidhur me perspektivën, ai u shpreh se Shqipëria do të ngelet jashtë krizës ekonomike për tri arsye: ngarkesa e ulët fiskale ndaj biznesit, sektori publik i vogël, që nuk rëndon në supet e taksapaguesve, investime strategjike në infrastrukturë, që të gjitha këto në funksion të biznesit. Një tjetër aspekt që preku Kryeministri gjatë fjalës së tij në forumin e Krans Montanës ishte edhe ajo lidhur me investimet. Ai garantoi sigurimin e një klime të mirë biznesi, përmes legjislacionit, infrastrukturës dhe shërbimeve të mira, karshi biznesmenëve të huaj. Duke theksuar potencialet e mëdha që ofron vendi ynë, ai ka ftuar investitorët e interesuar të bëhen pjesë e projekteve në Shqipëri, sidomos atyre energjetike. Këtë sektor, kreu i ekzekutivit e ka vlerësuar si përparësi të Qeverisë, duke renditur një sërë marrëveshjesh të rëndësishme të nënshkruara me Qeverinë italiane, Malin e Zi, Kosovën, dhe së shpejti Maqedoninë. Po kështu, Berisha ju referua edhe nënshkrimit të 200 kontratave koncesionare për stacionet hidrike, projektet ambicioze të Qeverisë për energjinë nukleare, kontaktet me Qeverinë e Katarit, e cila është e interesuar për ndërtimin e një centrali 2500 megavatesh, me qëllim transportimin e energjisë në tregun italian dhe atë evropian, projektin e gazsjellësit TransAdriatik. Sektori minerar është vlerësuar nga Kryeministri si një tjetër potencial ku mund të investohet, duke ndjekur kështu shembullin e kompanive të mëdha botërore që kanë ardhur nga Kanadaja, Australia, Rusia e Kina. Ndërsa panorama e potencialeve të mundshme për investim është mbyllur me turizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›