E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat, kreditë e këqija arrijnë 11.5 për qind



Tremujori i parë i këtij viti ka përkeqësuar gjendjen në portofolin e kredive të këqija në banka, duke kapur shifrën 11.5 për qind, një rritje me 1.2 për qind, krahasuar me tremujorin paraardhës. Duke ju referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë rezulton se rritja më e madhe është për huatë nënstandarte, të cilat nga 4.7 për qind që ishin gjatë tremujorit të fundit të 2009-ës, tani shënojnë 5.4 për qind. Huatë e humbura janë rritur me 0.3 për qind, duke shënuar vlerën 3.2 për qind, nga 2.9 për qind që ishin në fund të vitit të kaluar. Po kështu, rritje vihet re edhe në grupimin e huave të dyshimta, të cilat janë rritur me 0.2 për qind. Nga 2.7 për qind që ishte niveli në fund të 2009-ës, tani sipas statistikave këto hua zënë 2.9 për qind të portofolit në total. Situata në përkeqësim e portofolit të kredive të këqija ka detyruar bankat që të rrisin sigurimin e depozitave. Gjatë tremujorit të parë të 2010-ës, mbulimi me provigjione ka shënuar një rritje me 0.6 për qind. Nga 6.3 për qind, që ishte vlera gjatë tremujorit të fundit të 2009-ës, nga të dhënat e fundit provigjionet shënojnë 6.9 për qind.
Eurobondi
Tregu ndërkombëtar për bondet po përballet me një situatë të vështirë dhe për herë të parë po humbet para që nga 2008-ta. Sipas uebsajtit të lajmeve financiare, Bloomberg ky nuk është një ogur i mirë për ato vende, të cilat donin që të dilnin në treg. Edhe njëherë, faji për situatën kaotike në tregun ndërkombëtar financiar i është adresuar krizës greke. Rusia, e cila pretendonte marrjen e një eurobondi, doli nga objektivi i saj kur përqindja me të cilën ajo synonte marrjen e tij ndryshoi me plot 3 për qind. Sipas Bloomberg, Shqipëria dhe çekia anulluan daljen nga ky treg, pikërisht për situatën e krijuar e cila është në përkeqësim, pasi për herë të parë ky treg nuk po del me fitim që nga 2008-ta. Ndërkohë që zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda është shprehur për Bloomnberg se Shqipëria po monitoron tregun për të zgjedhur momentin më të përshtatshëm për të hyrë në lojë, për shitjen e borxhit që në fakt ishte planifikuar të ndodhte në fund të prillit. Sipas specialistëve, koha më e mirë për marrjen e një Eurobondi në tregjet financiare ishte në muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që tashmë do të jetë pak e vështirë dhe në këtë rast sugjerimi shkon për çekinë. Kriza greke, e cila konsiderohet si një nga shkaktaret e kësaj amullie në tregjet ndërkombëtare financiare, duket se do të ketë një ndikim joafatshkurtër. Sipas Bloomberg, kjo po shihet në rritjen e interesit të eurobondeve, çka do të ulë kërkesën ndërkohë që edhe investitorët do t'i druhen riskut. Kjo siç duket do të japë një reaksion zinxhir, duke sjellë një ngadalësim të rritjes ekonomike globale në total.

statistikat

Periudha T IV 2009 T I 2010
Hua standarde 83,4 81,1
Hua në ndjekje 6,4 7,5
Hua nënstandarde 4,7 5,4
Hua të dyshimta 2,7 2,9
Hua të humbura 2,9 3,2
(Hua të këqija) 10,3 11,5
Mbulimi me provigjone 6,3 6,9

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›