Mjekësia, studentët protestë kundër dekanit
"Dekani i Fakultetit të Mjekësisë po shkel rregulloren e Arsimit të Lartë. Provimet në fund të vitit, me "gjoba" disa qindra euro për studentët". Këto ishin akuzat që studentët bënë dje gjatë protestës në ambientet e fakultetit ndaj dekanit, Alfred Priftanji. Ata kërkojnë zbatimin e Rregullores se UT (neni 60), e cila parashikon që studentët të përfundojnë këtë vit akademik me temë diplome. "Ne kemi vendosur të bojkotojmë mësimin dhe të gjitha provimet, deri në zbatimin e rregullores nga ana e dekanit, Priftanji", u shprehën studentët. Ditën e hënë, ata do të jenë sërish në një protestë shumë më masive se e ditës së djeshme. Të gjitha masat e tyre ja kanë përcjellë dekanit. Ata kanë bërë publike edhe përgjigjen e kthyer nga Rektorati. Pas kërkesës së dekanit për interpretimin e rregullores, Rektori Dhori Kule, në shkresën përkatëse, saktëson se rregullorja do të nisë të zbatohet nga ky vit akademik. Sipas studentëve, në mënyrë arbitrare, dekani po shkel nenin 60 të rregullores së re, të miratuar pak javë më parë nga senati i UT ."Në përfundim të programit të studimeve të nivelit të parë, për fitimin e diplomës parashikohet përgatitja e një teze diplome ose punimi të pavarur, sipas specifikave të njësive kryesore dhe të përcaktuar në rregulloren e brendshme të tyre. Për fitimin e diplomave së nivelit të dytë DND, MNP dhe diplomës së integruar të nivelit të dytë DIND, parashikohet përgatitja e një teze diplome, e përpunuar në mënyrë krijuese e të pavarur nga studenti", thuhet në rregullore. Po kështu, sipas tyre, shkelet edhe neni 93, i cili parashikon se kjo Rregullore shfuqizon rregulloren e mëparshme. "Ajo shtrin efektet me miratimin nga Senati Akademik i UT. Të drejtat e përfituara nga rregullimet e mëparshme mbeten në fuqi për vitin akademik 2009-2010", sanksionohet në këtë nen.