Ramiz Alia: Frika për pushtetin pas infarktit,arsyeja pse Enveri goditi Beqir Ballukun
Në këtë pjesë të shkëputur nga libri i sapobotuar i ish-sekretarit të Parë të Byrosë Politike dhe më pas edhe ish-presidentit, Ramiz Alia, me titull "Jeta ime", autori përshkruan hollësisht të vetmen ngjarje, që në fillim të vitit 1973 për pak i ka kushtuar edhe atij vetë karrierën, mbase edhe kokën. Ishte dhjetori i vitit 1972 dhe në Tiranë shfaqet Festivali i XI në RTV, një eveniment që më pas do të mbahej mend si tentativa e parë dhe e fundit gjatë komunizmit për të futur frymën bashkëkohore në art. Dihet se dënimet për mënyrën e ekzekutimit të këngëve, muzikën e të tjera, peshuan shumë mbi artistët dhe drejtuesit e Radio-Televizionit. Por në shënjestër për këtë "lajthitje" vihet edhe Ramiz Alia, që në këtë kohë ishte në postin e Sekretarit të KQ të PPSH-së, që përgjigjej për fushën e propagandës e të kulturës. Sipas Alisë, ai që donte më shumë se të tjerët ta përfshinte në qerthullin e akuzave, madje deri te "veprimtaria armiqësore" ishte Kryeministri M. Shehu. Por nga ana tjetër, Enver Hoxha i vihet në mbrojtje.
Ramiz Alia
...Ushtarakët u dënuan në dy plenume të KQ të PPSH. Në fillim (në Plenumin V, korrik 1974) u dënua B. Balluku, i cili u akuzua si formulues i disa koncepteve të reja për mbrojtjen e vendit, që ishin në kundërshtim me tezat e miratuara kohë më parë nga Këshilli i Mbrojtjes. Pas një hetimi të imët për këtë veprim të Ballukut, raportin në Byronë Politike e paraqitën M. Shehu dhe H. Kapo. Këta të dy, lidhur me "tezat e zeza", siç u quajtën tezat e Ballukut, kishin biseduar me kuadro kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe me oficerë të ndryshëm. Ata kishin arritur në përfundimin se partia gjendej përpara "një veprimtarie armiqësore". Si rezultat B. Balluku u quajt fajtor dhe për këtë u morën masat përkatëse. Në fillim, ai u përjashtua nga Byroja Politike dhe, me urdhër, u largua nga Tirana, por nuk i'u dha gjyqit.
Pas disa muajsh, për të njëjtat "teza", në Plenumin IV (dhjetor 1974) u quajtën fajtorë edhe P. Dume, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Kandidat i Byrosë Politike si dhe H. çako, Drejtor Politik i Ushtrisë dhe anëtar i KQ të PPSH. Kësaj radhe nuk ishin Shehu e Kapo që e shtrinë "rrethin" e formuluesve të antitezave, por ishte vetë E. Hoxha. Disa javë pasi ishte dënuar Balluku, në mbledhjen e radhës të Byrosë Politike, Enveri shtroi pyetjen: "A kishte bashkëpunëtorë B. Balluku? A ishin në dijeni për "tezat" e tij Dume dhe çako? Përse këta nuk e kanë njoftuar Partinë që Balluku po punonte "teza" të reja, të cilat i kundërviheshin Tezave të Këshillit të Mbrojtjes?"
Kështu filloi rishqyrtimi i çështjes së ushtarakëve. Rezultoi se ata kishin punuar së bashku dhe në këtë vepër ishin implikuar edhe disa kuadro të tjerë. Dënimi kësaj radhe ishte edhe më i ashpër. Duke e çako, jo vetëm që u shkarkuan nga të gjitha funksionet, por bashkë me Ballukun, u dhanë edhe për ndjekje penale, duke e konsideruar veprimin e tyre kërcënim për sigurinë kombëtare. Në përfundim, ata u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan. Dënime të rënda i'u dhanë edhe disa gjeneralëve e kuadrove të larta të ushtrisë. Në këtë kategori, goditja ka rënë edhe në njerëz që e dinin se çfarë kishin punuar, por edhe te disa që nuk e kishin idenë se përse bëhej fjalë.
Kjo "luftë" në gjirin e partisë, te mjaft njerëz ka lënë përshtypjen e një lufte klanesh, ku njëra palë lufton për të dobësuar pozitat e një pale tjetër. A ka sadopak ndonjë të vërtetë në këto hipoteza? Mbrojtësit e këtij versioni të problemit, sjellin si argument se po të shihje rrethin e kuadrove të sektorëve të ndryshëm si të ushtrisë, të organeve të partisë, të Ministrisë së Brendshme, të Sigurimit të Shtetit, etj., në shumicë ata ishin të lidhur (si krahinë, si pjesëmarrës në brigadën partizane, si farefis etj) me M. Shehun e H. Kapon dhe më pak me K. Hazbiun e B. Ballukun. Nëse ka pasur nepotizëm, ky e kishte burimin në këto "klane"... Duke sjellë ndërmend "politikën" e kuadrit, mund të them se ka pasur një ndikim, veçanërisht nga Hysniu dhe Mehmeti, në caktimin e njerëzve në vende të ndryshme pune. Bile, deri në propozimet për në organet udhëheqëse të partisë dhe të pushtetit.
Ata që mendojnë se goditja e ushtarakëve dhe e kuadrove të ekonomisë përmban edhe elementë të "luftës për pushtet", u referohen disa rrethanave konkrete të kohës: Së pari, është e njohur se në fillim të viteve '70-të, më saktë në fund të vitit 1973 E. Hoxha pësoi një goditje në zemër (infarkt). A thua, pas kësaj ngjarjeje, vetë E. Hoxha ka filluar të shqetësohet për pushtetin e vet dhe të shohë me dyshim çdo lëvizje të bashkëpunëtorëve të tij? A thua, në këtë kohë ndokush nga bashkëpunëtorët e tij (Mehmeti, Hysniu apo edhe Beqiri) ka nisur të projektojë marrjen e pushtetit? Unë e kam të vështirë të pohoj apo të mohoj hipoteza të tilla. Por logjikisht, që të dyja pyetjet janë të mundshme.
Së dyti, në fillim të viteve '70, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kinës filluan të lëkundeshin dhe për pasojë parashikoheshin vështirësi të brendshme. E. Hoxha ishte shumë kritik ndaj vijës dhe pikëpamjeve të atëhershme politike të Kinës. Veçanërisht kundër "hapjes" së saj me SHBA. Të kujtojmë vizitën e Kisingerit dhe më pas atë të Niksonit në Pekin, në vitin 1972. është e logjikshme që të mendohet se këto situata mund të kenë ndikuar tek ndonjë grup ushtarakësh apo te disa kuadro udhëheqës të ekonomisë, për të "rishikuar" vijën dhe politikën e Partisë...
Mund të ketë edhe hipoteza të tjera, por duke sjellë ndërmend qëndrimet e të dënuarve, them me bindje se B. Balluku nuk ka qenë një njeri që mund të dilte kundër E. Hoxhës. Ai ka qenë i lidhur me Enverin që në fillim të Luftës dhe ka qenë besnik i tij në çdo situatë. Beqiri, sipas mendimit tim, nuk kishte ndonjë aspiratë për pushtet. Ai ishte i ndërgjegjshëm se posti që i ishte besuar ishte mbi aftësitë e tij politike, ideologjike dhe ushtarake. Ai e kishte të qartë se "tutori" i tij ishte Enver Hoxha. Pikërisht për këto arsye, kur u dënua Beqiri, shumë komunistë e kuadro nuk e imagjinonin dot Beqirin antienverist...
“Festivali i 11 në RTV, si më mbrojti Enveri nga kryqëzimi i Mehmetit”
Në këtë pjesë të shkëputur nga libri i sapobotuar i ish-sekretarit të Parë të Byrosë Politike dhe më pas edhe ish-presidentit, Ramiz Alia, me titull "Jeta ime", autori përshkruan hollësisht të vetmen ngjarje, që në fillim të vitit 1973 për pak i ka kushtuar edhe atij vetë karrierën, mbase edhe kokën. Ishte dhjetori i vitit 1972 dhe në Tiranë shfaqet Festivali i XI në RTV, një eveniment që më pas do të mbahej mend si tentativa e parë dhe e fundit gjatë komunizmit për të futur frymën bashkëkohore në art. Dihet se dënimet për mënyrën e ekzekutimit të këngëve, muzikën e të tjera, peshuan shumë mbi artistët dhe drejtuesit e Radio-Televizionit. Por në shënjestër për këtë "lajthitje" vihet edhe Ramiz Alia, që në këtë kohë ishte në postin e Sekretarit të KQ të PPSH-së, që përgjigjej për fushën e propagandës e të kulturës. Sipas Alisë, ai që donte më shumë se të tjerët ta përfshinte në qerthullin e akuzave, madje deri te "veprimtaria armiqësore" ishte Kryeministri M. Shehu. Por nga ana tjetër, Enver Hoxha i vihet në mbrojtje.
Ramiz Alia
...Përveç ngjarjeve të tilla si "Pranvera e Pragës", me parullën e vet të "socializmit me fytyrë njeriu", viti 1968 u karakterizua në mënyrë të veçantë nga lëvizja e madhe e studentëve në Francë, të cilët kërkonin demokratizimin e universitetit dhe të gjithë jetës. Kjo lëvizje pati jehonë edhe në vende të tjera...
Udhëheqja e Partisë tek ne u përpoq t'u dilte përpara "rreziqeve". Vetë E. Hoxha, në një vizitë që bëri në hekurudhën Rrogozhinë-Fier, u foli të rinjve për ngjarjen e 1968 në Francë, për lëvizjen e studentëve dhe synimet e saj. Natyrisht qëllimi ishte që rinia jonë të mos ndiqte atë rrugë, por të ishte luftëtare e vendosur e socializmit, gjithnjë në pararojë të luftës për zhvillimin socialist të Shqipërisë. Sepse, siç tha E. Hoxha, gjithçka që kërkonte rinia franceze me "revolucionin" e saj, që dyert e universitetit të hapeshin për të gjithë, këtë gjë rinia jonë e kishte arritur...
Pak më vonë, konkretisht në prill të vitit 1971, E. Hoxha pati një bisedë mjaft interesante me A. Meron, i cili në atë kohë ishte Sekretar i KQ të Rinisë. Thelbi i bisedës ishte që organizatat e Partisë dhe institucionet shtetërorë si RTV, etj, duhet të ishin më të vëmendshëm ndaj rinisë, të jepnin më shumë filma, koncerte e muzikë që kërkonte mosha e saj, të organizoheshin më shumë mbrëmje vallëzimi të rinisë, duke luftuar konservatorizmin që shfaqej rëndomtë në qëndrimin e organeve të partisë ndaj rinisë.
Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe çdo gjë ndryshoi. Shkak u bë Festivali i XI në RTV (dhjetor 1972). Disa shfaqje të liberalizimit dhe shkarje nga vija zyrtare e Partisë në këtë festival, nxitën një acarim të luftës ideologjike në frontin e artit dhe të kulturës. Që nga ajo kohë, kam qenë i mendimit që festivali u përshkua nga disa gabime, që disa shfaqje moderniste, që u vunë re, si në interpretimin e këngëve, ashtu edhe në veshjen e artistëve, binin në kundërshtim me vijën e atëhershme të Partisë. Sipas mendimit tim, ato duheshin kritikuar, mundet edhe dënuar, por jo ashtu siç u bë, që ato u trajtuan si një veprimtari armiqësore, me synim "përmbysjen e pushtetit popullor".
Natën kur u bë Festivali, unë e ndoqa atë drejtpërdrejt në sallën e Teatrit të Operës e të Baletit. Më tërhoqi vëmendjen mënyra "e re" e qëndrimit në skenë të artistëve, veshja e tyre dhe përgjithësisht manierizmat në ekzekutimin e këngëve. Në pushimin midis pjesës së parë dhe të dytës, bisedova me T. Lubonjën, atëherë Drejtor i RTV. I thashë që Festivali i kishte kaluar kufijtë dhe binte në kundërshtim me vijën e Partisë. Qoftë edhe sa i përket mënyrës së ekzekutimit të këngëve, qoftë për sa i përket veshjes së këngëtarëve. Ai pjesërisht më kundërshtoi, pjesërisht ishte dakord për ndonjë "ekzagjerim". Të nesërmen, bisedova edhe me H. Kapon dhe M. Shehun dhe asnjëri nuk kishte ndonjë vërejtje të veçantë. Unë u thashë mendimin tim dhe vërejtjen që i kisha bërë Todit. Dhe kaq. Ato ditë E. Hoxha ishte me pushime në Vlorë, kështu që nuk m'u dha rasti të shkëmbeja ndonjë mendim me të për Festivalin. Pas disa ditëve, më 9 janar të vitit 1973, në një mbledhje të Presidiumit të Kuvendit popullor, dhe pas 5-6 ditëve edhe në aparatin e KQ të Partisë, E. Hoxha bëri një kritikë të fortë për Festivalin e XI, duke e cilësuar si një shkarje të rëndë nga vija e Partisë, bile si veprimtari armiqësore. Para se Enveri të fliste në Presidiumin e Kuvendit Popullor, nuk kishim arritur të flisnim bashkë për Festivalin. Kështu, kritika e tij për Festivalin, ishte e papritur edhe më mua. Bile, nuk më erdhi mirë që Enveri bëri një kritikë publike, pa biseduar fare me mua që përgjigjesha për këtë sektor veprimtarie.
Kjo ishte ana formale e çështjes. Themelore është se unë nuk e kisha të qartë se përse E. Hoxha mbajti atë pozicion aq kritik ndaj Festivalit të XI. Në të gjitha kontaktet e bisedat që kam pasur me të, për probleme të arteve e kulturës, Enveri asnjëherë nuk tregohej i ngurtë dhe sektar. Bile qeshnim bashkë, kur kujtonim se sa i rreptë tregohej Mehmeti ndaj "qafleshëve" që i kalonin poshtë zyrave të Kryeministrisë. Për probleme të kulturës dhe të arteve, në përgjithësi Enveri ishte "i gjerë", me atë mund të diskutoje lirisht. Ai vetë lexonte shumë dhe në biseda me shkrimtarë apo me njerëz të kulturës nuk ishte "fanatik". Disa herë kishte këshilluar (përmenda takimin e tij me A. Meron) që për rininë duhet të tregoheshim më të lirë, qoftë në shfaqje filmash, qoftë në RTV, apo edhe në këngë e valle. Prandaj për mua ka qenë e vështirë, në atë kohë, ta kuptoja atë qëndrim aq të rreptë të Enverit.
Nga ana tjetër, ka shumë mundësi që qëndrimi sektar ose i ashpër i Enverit të diktohej edhe nga instikti i "vetëmbrojtjes". E kam thënë edhe më parë, E. Hoxha ka qenë në shenjë nga titistët dhe K. Xoxe me shokë, të cilët e akuzonin herë për oportunizëm, herë për sektarizëm, por gjithnjë me synim eliminimin e tij. Rrethi i "armiqve" që kërkonin kokën e tij erdhi duke u shtuar, sidomos pas prishjes edhe me Bashkimin Sovjetik. Mund të ketë ndikuar tek ai edhe problemi kinez, sektarizmi i Revolucionit Kulturor dhe politika e afrimit të Kinës me amerikanët, që filloi me vizitën e Niksonit në Pekin. Ai ishte tepër i ndjeshëm ndaj rreziqeve që mund ta kërcënonin vendin e partinë tonë. Liberalizmi dhe revizionizmi, ashtu si edhe imperializmi, shpalleshin si rreziqe të mundshëm. Nuk synoj ta mbroj E. Hoxhën, të bëj avokatin e tij mbrojtës, por përpiqem të shoh atë që ka ngjarë, në kuadrin e realitetit ekzistues. Sidoqoftë, për liberalizmin dhe Festivalin e XI, që nga fjalimi i Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit popullor, :zaret u hodhën".
Filloi në këtë mënyrë procesi ndaj këtij Festivali dhe përgjithësisht kundër shfaqjeve të huaja e prirjeve moderniste. Shpërthyen kritikat kundër shfaqjeve të huaja e prirjeve moderniste, shpërthyen kritikat nga çdo drejtim. Natyrisht u krijuan mundësi që elementët sektarë të shpalosnin konceptet e tyre. Nga fusha e arteve, kritika u shtri në fushën e letërsisë dhe të kulturës. Mbledhjet pasonin njëra-tjetrën, sa në Radiotelevizion dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, aq në universitet dhe në Akademinë e Arteve... Kudo gjendej ndonjë krijues që kishte bërë ndonjë gabim, që ishte larguar nga vija e partisë, pa folur edhe për ndonjë që vërtet i ishte kundërvënë asaj... Në këto "analiza" kritika përfshiu edhe F. Paçramin, tani si përçues i frymës moderniste.
Edhe unë, në atë kohë, u gjenda në pozitë të vështirë. Isha në postin e Sekretarit të KQ të PPSH-së dhe përgjigjesha për fushën e propagandës e të kulturës. Pra kritikat që bëheshin kishin të bënin drejtpërdrejt edhe me veprimtarinë time. Duhet të them se në fillim nuk e mendoja se kjo "fushatë" do të kishte ato pasoja që pati, sidomos për disa shokë, si për T. Lubonjën ose për F. Paçramin.
Nuk mund të them se isha kundër diskutimeve që bëheshin, por nuk më pëlqenin disa ekzagjerime që viheshin re, sidomos kur disa nga "kritikët" njiheshin si njerëz pa karakter ose pa kulturë. Megjithatë edhe unë, sido që pa shumë entuziazëm, u përfshiva në këtë front të luftës ideologjike.
Në këtë atmosferë u vendos që të mbahej Plenumi i IV i KQ. Raportin në këtë Plenum e mbajti vetë E. Hoxha. Padyshim, kjo lidhet me rëndësinë që kishte problemi që po trajtohej, por ky vendim përmbante edhe një "kritikë" ndaj meje: shqip do të thoshte që unë, Sekretari për Kulturën dhe Propagandën nuk mund të isha referuesi, sepse unë duhej të jepja llogari për gabimet që kishin ndodhur në sektorët që drejtoja. Kështu që në Plenum, unë fola si diskutant, duke i'u përmbajtur vijës që trajtonte raporti, kritikova shfaqjet e huaja dhe bëra autokritikë se "nuk kisha ushtruar kontrollin e nevojshëm mbi sektorët që drejtoja", se "më kishte munguar vigjilenca e nevojshme" dhe se "kisha nënvleftësuar rrezikun e ndikimeve nga ideologjia e huaj", etj. Në fund të punimeve të veta, Plenumi i KQ më kritikoi dhe si dënim më dha "vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit" të Partisë.
Disa herë më kanë pyetur se si është e mundur që "kam shpëtuar" vetëm me kaq, pra pa u përfshirë në "listën" e armiqve të partisë, në Plenumin e IV ose më pas?! Duhet të them se, kritika të cilat mund të më "radhitnin" edhe mua në grupet "armiqësore" janë bërë në kohën e Plenumit të IV dhe iniciatori ka qenë M. Shehu. Ai, gjatë diskutimit të problemeve që do të shtroheshin në Plenumin e IV, në mbledhjen e Byrosë Politike, u përpoq që të më përfshijë edhe mua në "grupin e armiqve" të fushës ideologjike. Por kjo gjë u kundërshtua veçanërisht nga E. Hoxha. Në mbledhjen e Plenumit , M. Shehu u kufizua me një kritikë të fortë në adresën time. Nuk propozoi dënim tjetër.
Sigurisht kundër mendimit të Shehut, por edhe në mbrojtjen time në përgjithësi, vendimtar ka qenë pozicioni i E. Hoxhës. Ai më njihte shumë mirë, sidomos që nga viti 1960, kur filloi lufta e hapur kundër revizionizmit hryshovian. Për pasojë, Enveri i dinte shumë mirë mendimet e mia dhe nuk kishte se si të dyshonte, dhe aq më pak të besonte ndonjë njeri tjetër, që kishte për qëllim të më implikonte në ndonjë veprimtari "armiqësore" apo "revizioniste".
Thuhet se Enveri më kishte "zgjedhur" si zëvendësin e tij, prandaj më ka mbrojtur. Nuk e besoj të ketë qenë kjo arsyeja, sepse dihet botërisht se kur filloi lufta kundër "liberalizimit" (fillimi i vitit 1973), si kandidatë kryesorë dhe pasardhës të Enverit njiheshin M. Shehu dhe H. Kapo, për të mos përmendur B. Ballukun, i cili ishte ende pa asnjë cen politik. Thuhet gjithashtu se mund të ketë ndikuar shoqëria ime me Nexhmijen, ose edhe krushqia, meqenëse mbesa ime është martuar me Ilirin, djalin e Enverit. Edhe këtë gjë nuk e besoj sepse, si Enveri, ashtu edhe Nexhmija, nuk janë "zmbrapsur" në vendimet e tyre, as nga "kushërinjtë" dhe të afërmit (kujtojmë rastin e B. Omarit), as nga shoqëritë e miqësitë. Në fakt shoqëri shumë më e madhe ka ekzistuar me disa nga të dënuarit në vite dhe në asnjë rast, kjo gjë nuk ka penguar që të merren edhe masat më të rrepta që parashikonin ligjet ose vija e Partisë.
T. Lubonja dhe F. Paçrami jo vetëm që u përjashtuan nga KQ dhe nga Partia, por kundër tyre u zhvillua edhe një proces gjyqësor, me akuzën si armiq të pushtetit popullor. Ata u dënuan me nga 13 dhe 15 vjet burg përkatësisht, ndërsa familjet e tyre u internuan.
Personalisht dënimin e këtyre shokëve e kam vuajtur moralisht. Unë kam pasur shoqëri të ngushtë para Luftës me Todin, ndërsa pas Luftës, si ne, ashtu edhe gratë tona, e bënë edhe më të ngushtë shoqërinë me njëri-tjetrin. Bisedonim për çdo gjë, për politikën, për kulturën dhe ekonominë, për problemet që shqetësonin vendin tonë dhe pakënaqësitë që kishin njerëzit. Todi punonte në gazetën "Zëri i Popullit" dhe më pas në RTSH, kështu që kishte kontakte më të shumta me njerëzit dhe më hallet e tyre. Por ne kishim edhe lidhje pune, sepse nga ana organizative, Todi varej nga sektori i shtypit, të cilin e drejtoja unë. Kështu bisedat tona përfshinin një temë më të gjerë, por asnjëherë nuk kam vënë re tek ai qëndrime "antiparti" dhe aq më pak "kundër pushtetit popullor". Kam qenë i ndërgjegjshëm që ai gaboi në Festivalin e XI dhe këtë ia kam vënë në dukje që gjatë shfaqjes "si shkelje të kritereve të partisë". Por kaq. Dënimin e rëndë që pasoi dhe veçanërisht burgosjen e tij dhe të djalit të tij, internimin e lirisë (gruas së tij) dhe të gjithë familjes (motër e vëlla), shpirtërisht, nuk e kam miratuar asnjëherë. Kam heshtur duke i'u bindur vijës dhe disiplinës së partisë. Bile, edhe kur un isha në krye të partisë, nuk e ndihmova Todin. E ndiej peshën e fajit. Problemet e vështirësitë e mëdha që kishin të bënin me fatin dhe të ardhmen e gjithë vendit, kur po ndodhte kapërcimi nga njëri sistem në tjetrin, më vonuan të ndihmoj shokun tim.