E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID: S’ka ndihma pa miratimin e Gjykatës Administrative



Nertila Maho

Nëse Shqipëria nuk miraton ngritjen e Gjykatës Administrative, do të humbasë fondin e Qeverisë amerikane nga programi i Sfidës së Mijëvjeçarit. Deklaratën e bëri dje drejtori i USAID për Shqipërinë, Josef Uilliams, gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Sipas Uilliams, është koha që Shqipëria të tregojë se sa e aftë është për t'u kualifikuar në programin tjetër dhe të meritojë fondin e ndihmës. "Gjykata Administrative është një prej projekteve më të rëndësishme të këtij programi. Brenda tij ne kemi edhe projektin e reformës në tatime, pagimin on-line të taksave në mënyrë vullnetare dhe së fundi kemi filluar punën për regjistrimin territorial, për të cilin po ngrihet edhe një Agjenci Ndërkombëtare dhe po shikohet mundësia për regjistrimin, planifikimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit", informoi Uilliams. Ai u shpreh se programi, i cili po zbatohet aktualisht në vend, ka një sërë komponentësh. Një prej tyre me mjaft rëndësi është Gjykata Administrative dhe nëse ky kusht nuk përmbushet, atëherë me shumë mundësi nuk do të përfshihemi në programin vijues. Për t'u ri kualifikuar duhet që një vend të përmbushë kushtet e përcaktuara që në fillim. "Ne jemi në mes të rrugës së një programi që zgjat 1 vit e gjysmë dhe në përfundim të tij, që përfshin një periudhë kohe 6-9 muaj Shqipërisë do t'i duhet të kërkojë rikualifikim të mëtejshëm dhe ky është momenti kur do të tregojë se sa potencial ka dhe sa i ka realizuar projektet e veta. Kur flas për potencial, nuk e kam fjalën vetëm për popullatë, sepse mund të sjell si shembull rastin e Gjeorgjisë, që ka 7 milionë banorë, por përfitoi një program me vlerë 85 milionë dollarë, apo Mongolia që ka 2 milionë banorë dhe përfitoi 285 milionë dollarë", tha Uilliams. Sa i përket Sfidës së Mijëvjeçarit, ky është një projekt për vendet të zhvillim. Deri tani vendi ynë ka aplikuar dhe është pranuar, duke u bërë pjesë e tij dhe falë kësaj ka përfituar fonde ndihmë, që shkojnë në shifrën 28 milionë dollarë të ndarë në dy faza nga 14 milion dollarë secila. Por për të marrë financime të mëtejshme duhet të plotësohen gjithë kriteret dhe në këtë pikë Gjykata Administrative mund të jetë shkaku i një moskualifikimi në fazën tjetër për Shqipërinë, duke qenë se për miratimin e saj shfaqen një sërë pengesash. Miratimi i gjykatës kërkon 84 vota, të cilat mazhoranca nuk i ka dhe në këtë pikë duhen edhe votat e opozitës. Duke vlerësuar situatën aktuale politike, kjo as që mund të mendohet. Herën e fundit që ky projektligj u përfshi për t'u kaluar në Parlament, opozita nuk qëndroi në sallë. Ndërkohë që dje gjatë takimit me Dhomën Amerikane të Tregtisë nga përfaqësuesi i USAID u konstatua se Gjykata Administrative nuk është i vetmi kriter që duhet përmbushur.

Lejet e ndërtimit, renditja e Shqipërisë e ulët

Josef Uillims u shpreh dje se një pikë ku duhet të përqendrohet vëmendja është ajo e përmirësimit të klimës së biznesit. Renditja e Shqipërisë në aspektin e dhënies së një lejeje ndërtimi është shumë e ulët. "Për një leje në Shqipëri duhet të kalosh 24 procedura, një burokraci e madhe dhe një afat i gjatë kohor, prandaj u renditët në vendin e 174", vuri në dukje Uilliams. Ai u shpreh se në këtë aspekt duhet të bëhet më shumë progres, në mënyrë që të përmirësohet situata. Në këtë kuadër erdhi edhe deklarata se aktualisht ka filluar puna për regjistrimin territorial për të cilën po ngrihet edhe një Agjenci Ndërkombëtare dhe po shikohet mundësia për të regjistrimin, planifikimin dhe dhënien e lejeve të ndërtimit. Një çështje mjaft e rëndësishme që përfaqësuesi i USAID në vendin tonë theksoi dje është edhe ndërtimi i infrastrukturës rrugore. "Janë bërë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, por mendoj se ka akoma shumë për t'u bërë", u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›