Berisha: Shqipëria ka potenciale të mëdha ku mund të investohet
Kryeministri: Gazi dhe nafta do të eksportohen, sektori minerar, me interes për investitorët e huaj
Nëntoka, mbitoka dhe malet e Shqipërisë fshehin pasuri pa kufi. Uji është pasuri e madhe për të prodhuar energji e për të gjeneruar burime të pashfrytëzuara, nëntoka fsheh me miliarda fuçi naftë, po ashtu krom, bakër e nikel. Kështu i është drejtuar Kryeministri Sali Berisha investitorëve të huaj, kur prezantoi para tyre potencialet natyrore të Shqipërisë. Kryeministri përshëndeti konferencën e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA), e cila iu kushtua potencialeve natyrore që ka Shqipëria. Kryeministri vizitoi gjithashtu panairin që shoqëronte këtë konferencë, në stendat e të cilit ekspozoheshin potencialet e vendit në pasuri natyrore. Kryeministri Berisha bëri një paraqitje të gjerë të potencialeve që ofron Shqipëria, duke u përqendruar veçanërisht në sektorin energjetik dhe atë të nxjerrjes e shfrytëzimit të mineraleve. Shqipëria nuk është një vend i madh në gjeografinë e Evropës, por është një vend me potenciale të mëdha evropiane, për biznesin evropian dhe atë botëror. Kryeministri theksoi synimet e Shqipërisë për tu shndërruar në një superfuqi energjetike në rajon, duke u ndalur në përpjekjet e qeverisë për diversifikimin e prodhimit të energjisë, projektet e mëdha në fushën hidrike, të energjisë eolike, nga biomasa, fosilet, si nafta dhe gazi etj. Nafta shqiptare e zonave të njohura arrin deri në 6 miliardë fuçi. Vetëm Patos-Marinza ka mbi 2 miliardë fuçi. Vitin që vjen, pritet që prodhimi i vendit të plotësojë plotësisht nevojat e tij dhe në vazhdim, - u shpreh Kryeministri. Një fushë tjetër me mundësi të mëdha për investitorët është ajo minerare, ku Shqipëria është e pasur me krom, bakër, nikel, bazalte, qymyr. Kreu i qeverisë theksoi se potencialet e Shqipërisë në fushën e energjisë janë aktualisht ndër më të mëdhatë. Ai informoi investitorët se qeveria ka firmosur mbi 200 kontrata për rreth 200 hidrocentrale, një prej të cilëve përbën aktualisht projektin më të madh në Evropë, kaskada e Devollit e EVN-së dhe Statkraft. Nga këto hidrocentrale, 36 janë në ndërtim, të tjerët presin investitorët për të filluar nga puna. Kryeministri theksoi se në këtë drejtim ka dhënë një efekt pozitiv ligji i koncesioneve dhe i partneritetit publik privat. Qeveria ka licencuar mbi 1600 megavat energji eolike dhe biomasë, si dhe është në proces e sipër një potencial tjetër me përreth 3200 megavat.
Nafta dhe gazi shqiptar do të eksportohen
Perspektiva e Shqipërisë në fushën e energjisë është reale edhe në drejtim të fosileve, naftës, gazit. Kryeministri tha dje se vitin që vjen pritet që prodhimi i vendit të plotësojë plotësisht nevojat e tij dhe në vazhdim. Ai nënvizoi se nafta shqiptare ka një perspektivë reale. Nafta shqiptare e zonave të njohura arrin deri në 6 miliardë fuçi. Vetëm Patos-Marinza ka mbi 2 miliardë fuçi. Vitin që vjen pritet që prodhimi i vendit të plotësojë plotësisht nevojat e tij dhe në vazhdim. Por Shqipëria ka fusha të tëra të paeksploruara siç është Dumreja, Shqipëria Veriore dhe zona të tjera të tëra. Shqipëria në këtë fushë, falë pozicionit të saj gjeografik, përbën vendin më të përshtatshëm për kalimin në territorin e saj të gazsjellësve. Gazsjellësi Trans-Adriatik është padyshim gazsjellësi më fizibël dhe unë ju garantoj se do të jetë më i shpejti që do të ndërtohet. Nuk do të kenë përfunduar akoma debatet dhe diskutimet për të tjerët, kur ky gazsjellës do të bëhet një realitet, - tha Kryeministri. Sipas tij, kompani të mëdha të Zvicrës, Norvegjisë, Gjermanisë janë të angazhuara në ndërtimin e tij. Qeveritë përkatëse nga territoret e tjera ku kalon gazsjellësi: Turqia është e angazhuar ti japë me sipërmarrjen e saj të gjitha lehtësirat, qeveria greke dhe qeveria shqiptare do ti japin çdo lehtësi këtij gazsjellësi për ta bërë realitet, i cili ka një trajektore më të shkurtër sesa South Strem, me të paktën 200 kilometra. Sasia e gazit në Kaspik po vjen gjithnjë në rritje, janë trilion e trilion metër kub gaz që presin eksportin. Qeveria e këtij vendi ka një vullnet të hekurt të eksportojë gazin e vet drejt Evropës. Ajo ka përzgjedhur me përparësi këtë gazsjellës, si rrugën kryesore të transportit të gazit në Perëndim. Kryeministri tha se qeveria shqiptare është në kontakte të vazhdueshme me qeverinë e Katarit. Sipas tij, në Seman është parashikuar të ndërtohet një nga nyjët më të fuqishme të rigazifikimit, por edhe të prodhimit të energjisë, bazuar në gazin e lëngshëm.
Kryeministri: Shqipëria, nga vendet më të pasura në botë me bakër e krom
Shqipëria është një nga vendet më të pasura në botë me krom. Prej dekadash, ajo ka qenë faktor botëror në prodhimin e kromit, prodhim që po njeh rritje të pandërprerë. Vendi është edhe më i pasur në nikel. Pasuritë e Shqipërisë në ferronikel dhe nikel silikat janë 2-3 herë më të mëdha se ato të kromit. Shqipëria është e pasur në bakër dhe një nga vendet më të pasura në bazalte, në qymyr. Faktikisht, malet e saj fshehin thesare të pafundme mineralesh, tregu i të cilave po vjen e po rritet gjithnjë e më shumë. Interesi i kompanive të mëdha është gjithnjë e në rritje. Sot, në minierat e Shqipërisë dhe në blloqet gjeologjike të saj janë të angazhuara kompani ndër më seriozet, nga Kanadaja, Australia, Norvegjia, Zvicra e shumë e shumë vende të tjera. Jam shumë i kënaqur që sot, këtu, është e pranishme edhe shkolla e minierave të Francës dhe unë dua ta garantoj se ne kemi shumë interes që ta vendosim këtë sektor në standardet më të mira. Duhet tu njoftoj se Shqipëria është bërë anëtare e asociiuar i nismës së transparencës së industrive nxjerrëse, e cila grupon vendet më të pasura në pasuri nëntokësore dhe që i ndihmon këto vende në transparencë financiare, i ndihmon në kritere të ruajtjes së mjedisit dhe në bashkëpunim me komunitetin. Ne kemi një studim të gjerë, të bërë me ekspertët më të mirë të Bankës Botërore, të cilët kanë ekspertizën e shkallës më të lartë. Një ditë prita drejtorin e Shërbimit Gjeologjik të Bashkimit Evropian, i cili më tha se në Bankën Botërore ndodhet Think Tank-u më i mirë i planetit, për sa u përket minierave. Ne po punojmë me ta, në mënyrë që të kemi me të vërtetë kriteret më të mira të shfrytëzimit dhe eksplorimit të tyre. Pasuritë natyrore të Shqipërisë, natyrisht, janë të mëdha, por pasuritë më të mëdha të Shqipërisë dhe shqiptarëve qëndrojnë tek individi, tek punëtori shqiptar, i fortë, i qëndrueshëm , i ri, i shkolluar, i vendosur të ndërtojë një jetë më të mirë. Nuk gjeni kund, në Evropë, një treg të tillë. Ky është tregu më i shkëlqyer i punës, në mbarë kontinentin evropian.