Berisha: Shqipëria kampion në thithjen e investimeve të huaja
“Tirana Business Park”, investimi më i ri gjerman në Tiranë me vlerë 100 milionë euro, gjeneron 9 mijë vende pune
Projekti “Tirana Business Park”, i pari i këtij lloji në Shqipëri ndërthurur dy koncepte në të cilat bazohet: ambiente moderne për biznes dhe ambient miqësor (parqe, ambiente pushimi, shëndetësie, etj.), për ta bërë biznesin sa më produktiv. Ky projekt, krahas investimit prej 100 milion euro dhe 9 mijë vende pune, sjell gjithashtu një koncept të ri në mënyrën e organizimit e të bërit biznes. Duke përshëndetur investitorët gjermanë të Lindner Group, për këtë investim gjigant në një zonë mjaft atraktive e cila mund të shndërrohet në “Shenzhenin” e Evropës, kryeministri Berisha tha se Shqipëria është vend lider në thithjen e investimeve të huaja
Nisi dje fillimi i punimeve të ndërtimit të projektit “Tirana Business Park”, një investim tërësisht gjerman i Lindner Group, prej rreth 100 milionë euro. Projekti është i vendosur në komunën e Prezës, pranë aeroportit “Nënë Tereza” dhe synon t’i japë zonës një fuqi të re zhvillimi ekonomik dhe shoqëror.
Në ceremoninë e përurimit ishte i pranishëm dhe kryeministri Sali Berisha i cili vendosi gurin e parë që simbolizon nisjen e ndërtimit të këtij parku, ndërsa shprehu urimet më të mira për një fillim dhe vazhdim të mbarë të punës në ngritjen e “Tirana Business Park”.
Kreu i qeverisë e vlerësoi projektin me një rëndësi të jashtëzakonshme, që do të hapë 9 mijë vende pune, duke sjellë në Tiranë kulturën më të mirë të biznesit në kohën e sotme. Duke shprehur mirënjohjen ndaj investitorëve gjermane, kryeministri u shpreh se, një nga leksionet më të mëdha që vjen nga ekonomia gjermane, është pikërisht qëndrimi ndaj tregut dhe krahut të punës.
“Vendi juaj dëshmon se me reformat që ka marrë ekonomia mund të përballojë krizën dhe mund të zhvillohet. Një nga leksionet e mëdha që bota mund të mësojë nga Gjermani është qëndrimi ndaj tregut dhe krahut të punës. Ne jemi shumë të lumtur që ju sillni sot në këtë park, këtë eksperiencë të shkëlqyer jetike për konsolidimin e ekonomisë së një kombi. Shpreh admirimin tim për ju sepse asistuat në një projekt jo të thjeshtë dhe jam dëshmitar i përpjekjeve tuaja shumë serioze. Ju theksuat se ky është një premtim i mbajtur dhe kjo është dëshmia më e fuqishme e integritetit të individit të çdo fushe. Dhe ju të tillë jeni familje me integritet të shkëlqyer dua të theksoj gjithashtu se keni bërë një nga zgjidhjet më të mençura”, deklaroi kryeministri, i cili përmendi të gjitha avantazhet e pozicionit gjeografik të “Tirana Business Park”, Portin, Aeroportin, Autostradën, panoramën e shkëlqyer që ka përreth dhe krahun e punës të leverdishëm.
Berisha përgëzoi vendosmërinë e grupit gjerman “Lindner Group”, për të investuar në këtë zonë, e cila për nga dinamizmi i investimeve është “Shenzheni” i Evropës.
“Dua të theksoj gjithashtu, se keni bërë një nga zgjidhjet më të mençura. Pak vite me parë, kompania e madhe e konsulencës e njohur në mbarë botën, Mckenzie, ka bërë një studim për këtë rajon. Ata kanë konkluduar se ky rajon mund të bëhet ‘Shenzheni’ i Evropës. Ju garantoj se guri që vendosim sot është guri i themelimit të një Shenzheni të vërtetë në Evropë”, tha ai.
Shefi i qeverisë theksoi se Shqipëria është kampion në thithjen e investimeve për frymë, të cilën e bazon tek taksat e ulëta, ndërsa garantoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka për mjedis miqësor ndaj biznesit.
“Qeveria ime do të bëjë gjithçka për një mjedis edhe më shumë miqësor, ndaj jush, afaristëve dhe biznesmenëve të tjerë që duan të investojnë në këtë vend. Ambicia jonë është e thjeshtë; të vendosim në Shqipëri praktikat më të mira që ekzistojnë në botë për biznesin. Unë dje vizitova Qendrën Kombëtare të Licencave dhe leje, sistemin e gjurmimit të dokumenteve në këtë qendër. Ne nuk do të lëmë praktikë të përparuar pa qëmtuar dhe vendosur në këtë vend, në mënyrë që t’ju ndihmojmë ju. Ne besojmë te taksat e ulëta dhe ju garantoj se, sa të jetë kjo qeveri, do të ketë vetëm ulje taksash. Kështu që, sot ne vendosim një gurë themeli shumë më të rëndësishëm se sa parku që do inaugurojmë në vitet që vijnë”, tha Berisha.
Nga ana e saj ambasadorja gjermane në Shqipëri, Karola Muller Holtkemper tha se Tirana është gati për thithjen e investitorëve dhe se me këtë projekt bëhet edhe më tërheqëse. Ambasadorja theksoi se investitorët gjermanë janë të kënaqur me investimet në Shqipëri dhe thonë se nëse do u jepej sërish mundësia për investime do të investonin.
Tirana Business Park do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 210 mijë metra katrorë. Ceremonia e fillimit të punimeve starton fazën e parë të ndërtimit të projektit, duke ndërthurur dy koncepte në të cilat bazohet: ambiente moderne për biznes dhe ambient miqësor (parqe, ambiente pushimi, shëndetësie, etj.), për ta bërë biznesin sa më produktiv. Ky projekt, krahas investimit prej 100 milion euro, sjell gjithashtu një koncept të ri në mënyrën e organizimit e të bërit biznes.