E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit

26-07-2012 / Gazeta 55

Vendimi i Qeverisë për periudhën 2012 – 2015

Qeveria miratoi dje Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit (PKZMSA), 2012 – 2015. Sipas këtij Vendimit, Ministria e Integrimit orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, 2012 – 2015, si dhe procesin e shpërndarjes së acquis communautaire për çdo kapitull nga: ministritë, grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), të ngritura me urdhrin nr. 183, datë 11.12.2009, të Kryeministrit, “Për krijimin, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për çdo kapitull të acquis communautaire, duke përfshirë edhe kapitujt e kriterit politik dhe ekonomik”, dhe institucionet e tjera qendrore. Ministria e Integrimit  raporton çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e procesit.
Ndërkohë, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit, çdo 3 muaj (java e tretë e muajit të fundit), për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga PKZMSA, 2012 – 2015, dhe për ecurinë e procesit të përafrimit të acquis communautaire.
Vendimi i djeshëm i qeverisë, ngarkon Ministrinë e Financave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit, të monitorojë përfshirjen në programin buxhetor afatmesëm të nevojave financiare për zbatimin e përparësive, afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKZMSA, 2012 – 2015, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore.
Brenda 4 (katër) muajve nga  hyrja në fuqi e këtij vendimi, të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, të cilat janë pjesë e grupeve ndërinstitucionale të punës, të përcaktuara në urdhrin nr. 183, datë 11. 12. 2009, të Kryeministrit, nën koordinimin dhe monitorimin e  Ministrisë së Integrimit, të përcaktojnë përgjegjësitë institucionale për përafrimin e çdo akti të legjislacionit të BE-së në legjislacionin e brendshëm.
Vendimi I djeshëm I Qeverisë. Linte si detyrë që, rregullat më të hollësishme për mënyrën e përcaktimit të përgjegjësive institucionale, për përafrimin e çdo akti të legjislacionit të BE-së në legjislacionin e brendshëm, me propozimin e ministrit të Integrimit, të miratohen nga KNIE-ja, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›