E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Shqiperia mundesi te shkelqyera per investime

Kryeministri Sali Berisha i pranishëm në ceremoninë e shoqatës së investitorëve të Huaj në Shqipëri e vuri theksin tek investimet e mundshme në vendin tonë dhe veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës. Në fjalën e tij kryeministri u shpreh se vendi ynë renditet ndër administratat me numër më të vogël dhe kjo sipas tij sjell mundësinë për investime. “Shqipëria po përparon në lirinë ekonomike vit pas viti, sipas raporteve më të fundit. Kam besimin e thellë se në lirinë ekonomike kemi të gjithë potencialet dhe se qeveria dhe komuniteti i biznesit do bëjnë më të mirën për ta zgjeruar”– u shpreh Berisha
Më tej ai theksoi se falë lirisë ekonomike Shqipëria ka dyfishuar eksportet për dy vitet 2009-2011 dhe falë saj, vendi ka pasur zhvillim në prodhimin dhe pagesat. Vendi ynë, sipas Berishës është një vend me shpresa të mëdha të cilat udhëheqin investimet në njerëz. “Shqiptarët kanë ndërtuar më shumë se çdo vend tjetër në këto vite. Kemi lënë mbrapa 5 vende të BE-së dhe ky është dinamizmi i shpresës, kjo është e rëndësishme për vendin tonë”- ka theksuar Berisha
Ndërkaq duke e përqëndruar mundësinë e investimeve tek energjia, kryeministri ftoi investitorët e huaj të investojnë në këtë sektor. “Janë 63 HEC-e që po ndërtohen, ndërsa jemi drejt përfundimit të kaskadës së Devollit, Shqipëria duhet të jetë një ndër prodhueset e energjisë në rajon. Ta kthejmë Shqipërinë në prodhuese të energjisë së rinovueshme” – vijoi fjalën e tij kryeminsitri duke inkurajuar investitorët e huaj.
Gjithashtu duke e parë rëndësinë e investimeve në turizëm, Berisha tha se numri i turistëve në Shqipëri këtë vit ishte befasues “Kush investon në turizëm nuk do të jetë dështak. Ne po punojmë që të kemi transparencë për burimet e mundshme”-tha Berisha, ndërsa nuk la pa përmenduar edhe prodhimin e arrorëve si një nga burimet për t’iu shmangur krizës dhe ftoi investitorët të merrnin pjesë edhe në këtë proces. Një vend të veçantë për investime zë edhe infrastruktura ku kryeministri ftoi investitorët për ndërtimin e rrugëve më moderne sidomos në kryeqytet.
Gjithashtu Berisha garantoi investitorët e huaj për mbështetjen e qeverisë dhe krijimin e kushteve sa më lehtësuese duke e sjellë Shqipërinë në moshën dixhitale
Ndërkohë ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui në fjalën e tij e vuri theksin tek rritja e punësimit, që sipas tij do të përmirësonte zhvillimin ekonomik të vendit, për të cilin Bashkimi Europian ka investuar 1.4 miliardë euro. “Sipas progres-raportit për Shqipërinë ka pasur zhvillim. Falë eksporteve Shqipëria ka pasur progres, BE ka kontribuar për të pasur prosperitet në tregun e Jashtëm”- nënvizoi Sekui

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›