Kredia, mbi 67 për qind e huamarrjes është në valutë
19/01/2012 Shqiptarët vazhdojnë të preferojnë kredinë në valutë, kryesisht në euro. Në fund të nëntorit të vitit 2011, kredia në valutë zinte 67% të totalit, me një rënie shumë të lehtë krahasuar me vitet e mëparshme. Banka e Shqipërisë ka kërkuar vazhdimisht shmangien e rrezikut të kursit të këmbimit, duke këshilluar që kredia të merret në monedhën që huamarrësi përfiton të ardhurat. Për të frenuar kreditimin në valutë, Banka Qendrore ka ndërmarrë edhe disa masa rregullatore, të cilat u imponojnë bankave që kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit të kenë një mbulim më të lartë me kapital. Megjithatë, kredia në monedhë të huaj vijon të jetë më e preferuara. Dy nga faktorët janë normat e interesit të kredive më të ulëta dhe shkalla e lartë e përdorimit të monedhës së përbashkët evropiane në transaksionet e brendshme. Shitjet bëhen në euro në shumë sektorë ekonomikë, si pasuritë e paluajtshme, universitetet apo spitalet private.