E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimet e huaja, zbulohen shkelje dhe abuzime me projektet

19/01/2012  Dëmi ekonomik mbi 6 milionë lekë të reja. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar zhdëmtim

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton shkelje dhe abuzime në projektet me financime të huaja. Drejtori i këtij Departamenti, Athanas Karaja, theksoi se për vitin 2011 janë zhvilluar e kryer 30 kontrolle, nga të cilat 10 në projekte me investime të huaja,14 në shoqëri publike, 5 në ente mjedisore, si dhe 1 kontroll në zbatimin e detyrave. Gjatë aktivitetit kontrollues janë rekomanduar ndryshime dhe përmirësime ligjore, masa organizative, masa administrative, masa disiplinore dhe kallëzime penale. Nga raporti konstatohet një dëm ekonomik mbi 6 milionë lekë të reja, për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që të zhdëmtohet. Gjithashtu, në raportin e KLSH janë rekomanduar masa administrative dhe disiplinore, si dhe ndjekje penale për disa persona.

Kontrollet

KLSH sugjeron edhe përmirësime ligjore, me qëllim që të luftohet korrupsioni dhe abuzimet me fondet publike dhe financimet e huaja. Dje është zhvilluar analiza e Departamentit të Kontrollit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, ndërsa një ditë më parë analiza e Departamentit të Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj dhe Robert Gjini, Drejtor i Përgjithshëm. Kryetari Leskaj theksoi punën dhe veprimtarinë korrekte të këtij departamenti. Megjithatë, sipas tij, mund të ketë një impakt edhe më të prekshëm nga publiku, nëse do të merret eksperienca më e mirë e vendeve të zhvilluara evropiane, si dhe të rritet e forcohet bashkëpunimi me Gjykatën Evropiane të Llogarive (ECA) në fushën e kontrollit dhe certifikimit të fondeve e grandeve të lëvruara nga BE. Kryetari i KLSH-së kritikoi numrin e pakët të kallëzimeve penale pranë organeve të drejtësisë, si dhe kërkoi një sinergjizim të prioriteteve dhe bashkëpunimeve nga ana e këtij Departamenti me institucionet dhe organet e ndryshme ligjzbatuese. Detyrat e rekomanduara nga KLSH, janë vlerësuar nga subjektet e kontrolluara, duke hartuar programe pune për zbatimin e tyre, nxjerrjen e urdhrave përkatës, si dhe duke njoftuar zbatimin e tyre brenda afatit ligjor pranë institucionit të KLSH-së. Kryetari Leskaj kërkoi nga kontrollorët një fokusim më të madh dhe më efiçent në bashkëpunim kjo dhe me institucionet e organet qendrore dhe ato të drejtësisë, si dhe tolerancë zero në evidentimin dhe kallëzimin penal të të gjithë atyre zyrtarëve, të cilët shpërdorojnë detyrën dhe shkelin kuadrin ligjor.

Synimet

Për vitin 2012 disa nga synimet dhe sfidat kryesore të Departamentit të Kontrollit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja mbeten rritja e eficiencës së auditimeve financiare në investimet e projektet me financime të huaja, duke u përqendruar në efektueshmërinë e tyre. Veç kësaj synohet shtrirja e auditimeve të performancës në investimet e huaja dhe shoqëritë publike, duke kombinuar përbërjen e grupeve të auditimit me kontrollorë të specializuar. Kontrollorët do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet e tjera të auditimit me qëllimin e vetëm promovimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të kontakteve dhe raporteve bilaterale në miradministrimin e fondeve publike. Ndërkaq, një nga objektivat dhe synimet kryesore të Departamentit të Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike për vitin 2012, do të jetë fokusimi i punës në çështje me risk të lartë siç janë: Prokurimet Publike, Tatim-Taksat dhe fusha e Pagave dhe Shpërblimeve. Një ndihmesë të madhe në realizimin e këtyre synimeve do të japë riorganizimi më i mirë i punës në grupe, duke i kushtuar rëndësinë e duhur çdo faze kontrolli, rritjen e bashkëpunimit me ekspertë të jashtëm, si dhe rritjen e mëtejshme të nivelit profesional të kontrollorëve të këtij departamenti.

Tabelë

Kontrollet e KLSH

1. Departamenti i Kontrollit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja

Për vitin 2011:

Janë zhvilluar e kryer 30 kontrolle

10 kontrolle në projekte me investime të huaja

14 kontrolle në shoqëri publike

5 kontrolle në ente mjedisore

1 kontroll në zbatimin e detyrave

Dëmi ekonomik mbi 6 milionë lekë të reja

2. Departamenti i Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike

Për vitin 2011

Janë realizuar 92 kontrolle, 67 kontrolle janë evaduar

24 kontrolle kanë përfunduar

1 kontroll është në proces e sipër

Janë bërë 2 kallëzime penale për 10 zyrtarë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›