E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN Rimekembja globale ne stanjacion

Pas të dhënave pesimiste mbi ekonominë botërore për vitin 2012, edhe FMN raporton Parashikimin Ekonomik Botëror për këtë vit. Prodhimi i Brendshëm Bruto në rang global nuk është inkurajues, thotë FMN. Rimëkëmbja globale është në stanjacion dhe është e kërcënuar nga tensionet në rritje në Eurozonë dhe dobësi të tjera. Ekonomia botërore sipas Fondit do të rritet me 3,3% në vitin 2012 dhe me 4% në vitin e ardhshëm. Gjithashtu edhe cmimet e naftës do të mbeten të larta rreth 100 dollarëve për fuci, thuhet në raportin e FMN. Gjithsesi të krahasuara me parashikimet e BB, pritjet e institutit të Uashingtonit janë më të larta. BB, në publikimet e fundit ka folur për një rritje të ekonomisë botërore me vetëm 2,5% në vitin aktual dhe 3,1% gjatë 2013-ës. Sipas ekonomistëve të FMN, Italia do të shkojë në recession për një periudhë dy vjecare, 2012-2013, me një rënie të GDP me 2,2% dhe 0,6%. Dhe sipas raportit me ekonominë italiane do të vuaj gjithë Eurozona. Vendet e monedhës euro do të shënojnë një rënie të ekonomisë përgjatë këtij viti si rezultat i rritjes së rendimenteve të titujve qeveritarë, efekteve të rënies së kredisë në ekonominë reale dhe impaktit të masave të mëtejshme shtrënguese për konsolidimin fiscal. Mes partnerëve më të mëdhenj të Eurozonës, PPB i Gjermanisë do të shkojë në rritje me vetëm 0,3% gjatë 2012-ës dhe 1,5% në 2013, vlerëson FMN, ndërkohë që ekonomia franceze do të rritet me 0,2% dhe 1%. Për Spanjën pritjet janë negative, me një rënie të ekonomisë me 1,7% dhe 0,3%. Duke iu referuar këtyre shifrave FMN u kërkon vendeve europiane një angazhim primar me BQE. Politika monetare e Bankës duhet të jetë favorizuese për ekonomitë, duhet të vijojë furnizimin me likuiditet të plotë dhe të blejë tituj qeveritarë për të ndihmuar në mbajtjen e besimit në zonën euro. Për të përballuar krizën aktuale, zgjidhja e vetme sipas FMN, është një veprim politik vendimtar dhe koherent. Në detaj fondi shpjegon se shqetësimet për humbjet e sektorit bankar dhe për shëndoshjen e llogarive publike kanë shtuar interesin e bonove sovrane për shume vende të monedhës euro, dhe kanë arritur nivele shumë të larta të pa shënuara ndonjëherë më parë që nga krijimi i euros. FMN kujton se BQE ka ndërhyrë me veprime të rifinancimit të tregut. Por kushtet e kredive bankare janë përkeqësuar në ekonomi të ndryshme të avancuara. Fluksi i kapitalit drejt vendeve emergjente është pakësuar në mënyrë drastike dhe tregjet valutore janë ende shumë të lëkundur, thotë FMN në raportin e World Economic Outlook për 2012.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›