E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqipëria ndjeu krizën, leku qëndroi si Skënderbeu

TIRANë- Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD, Kryeministri Berisha ka deklaruar se Shqipëria e ka ndjerë krizën ekonomike, por nuk është prekur nga ajo sa vendet e tjera. "Kuptohet që në këtë krizë globale edhe ekonomia shqiptare do prekej, se ekonomitë e vogla janë të destinuara të jenë hiperglobale. Në kontrast të plotë me ekonomitë e krizës është ekonomia shqiptare, e ka ndjerë krizën por dhe këtë vit ka disa tregues jashtëzakonisht të mirë ekonomikë” – deklaroi kreu i qeverisë.

Ndër treguesit e mirë ekonomikë Berisha përmendi rritjen e eksporteve, rritjen e kursimeve në bankat shqiptare, uljen e borxhit si dhe qendrueshmërinë e lekut të cilin e krahasoi edhe me Skënderbeun.

“Eksportet në prill të 2010 janë dyfishuar, në 4 muaj, 180 mln $ eksporte më shumë se në 2009. Kursimet në banka janë rritur 13.7 %. Bankat në Shqipëri janë ndër më solidet. Borxhi është ulur nga 70% në 59 % të GDP, ndërsa leku mbeti i fortë si Skënderbeu.

Në lidhje me krizën që ka prekur vendin fqinjë, Greqinë Berisha u shpreh se “Pakti FMN-BE me Greqinë është pozitiv.”

Në fillim të mbledhjes kryeministri nuk ka hezituar të prezantojë edhe komjuterin e tij të ri, bëhej fjalë për një ipad.“Ky është kompjuteri që unë kam pritur prej 30 vjetësh” – u shpreh kryeministri.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›